Mexhiti: Nga java e ardhshme do të fillojnë procedurat që VLEN-i të bëhet parti politike

Zëvendëskryeministri dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, paralajmëroi se, nga java e ardhshme do të fillojnë procedurat që koalicioni VLEN të bëhet një parti politike. Në një intervistë për emisionin “PodGo” në Telegraf, Mexhiti informoi se, partia e re do të ketë shtab të përbashkët, qendër informuese, kandidatë të përbashkët, program të përbashkët dhe […]

Prill 20, 2025 - 14:00
 0  6
Mexhiti: Nga java e ardhshme do të fillojnë procedurat që VLEN-i të bëhet parti politike
Foto: Izet Mexhiti (faqja zyrtare në Facebook)

Zëvendëskryeministri dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, paralajmëroi se, nga java e ardhshme do të fillojnë procedurat që koalicioni VLEN të bëhet një parti politike. Në një intervistë për emisionin “PodGo” në Telegraf, Mexhiti informoi se, partia e re do të ketë shtab të përbashkët, qendër informuese, kandidatë të përbashkët, program të përbashkët dhe lista të këshilltarëve të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme lokale, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se, ende nuk është definuar se, kush do të jetë kryetar i partisë, por se kjo nuk paraqet problem, pasi sipas tij, qëllimi kryesor është unifikimi dhe organizim më i mirë para zgjedhjeve lokale.

“Mund të them publikisht se, i lexoj votuesit të cilët kërkojnë bashkimin e VLEN-it në një subjekt… As nuk kam pretenduar dhe as nuk pretendoj se jam lider i VLEN-it. Më intereson koncepti. Nuk është e rëndësishme kush do të jetë kryetar”, tha Mexhiti.

Koalicionin VLEN u formua para zgejdhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024 dhe fillimisht përbëhej nga Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Por në mbledhjen e 15 marsit, kryesia qendrore e ASH-së (krahu i Taravarit) vendosi që në zgjedhjet lokale të dalin me lista të veçanta për këshilltarë komunal. Pas kësaj, më 16 prill u mblodhën liderët e tjerë të VLEN-it në takim, ku konstatuan se, me këtë veprim, Taravari është vetë-përjashtuar nga koalicioni. Kësaj situate i kanë paraprirë përplaset publike mes liderëve të VLEN-it, pas kritikave që Taravari i bëri në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri.