Mickoski kundër platformës antikorrupsion: Deri dje më thonin se ndryshimi i kuadrove në institucione shkonte keq, tani pohojnë për partizim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski nuk pajtohet me reagimin e Platformës së organizatave civile për luftë kundër korrupsionit se me ndryshime urgjente ligjore kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve të pavarura shtetërore u ndërpritet mandati, duke ndërhyrë në punën e këtyre institucioneve, transmeton Portalb.mk. Mickoski tha se para disa ditëve ka pasur takim me […]

tetor 13, 2024 - 08:00
 0  9
Mickoski kundër platformës antikorrupsion: Deri dje më thonin se ndryshimi i kuadrove në institucione shkonte keq, tani pohojnë për partizim
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski nuk pajtohet me reagimin e Platformës së organizatave civile për luftë kundër korrupsionit se me ndryshime urgjente ligjore kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve të pavarura shtetërore u ndërpritet mandati, duke ndërhyrë në punën e këtyre institucioneve, transmeton Portalb.mk.

Mickoski tha se para disa ditëve ka pasur takim me një organizatë, ku siç tha e kanë kritikuar mënyra se si kanë funksionuar deri më tan këto komisione.

“Tani ne bëjmë reforma. Kur ne bëjmë reforma, tani thonë pse po i ndërron njerëzit. Le të zgjedhim, për çfarë jemi? A duhet të vazhdojmë si më parë apo të ndryshojmë gjërat? Ju thoni se kjo nuk ishte mirë deri tani.. Ju thoni se ka procedura tenderimi që përfundojnë me negociata kokë më kokë. Nëse nuk është mirë, atëherë le të bëjmë një ndryshim dhe të shohim se si do të shkojë”, tha Mickoski.

Në këtë drejtim, kryeministri tha se nuk kanë ndërmend të partizohen.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit reagoi ashpër ndaj amendamenteve dhe shtesave të votuara, si dhe ndaj propozimeve për ndryshime të reja të ligjeve që u shuajnë mandatin para kohe anëtarëve dhe kryetarëve të organeve shtetërore të pavarura, Komisionit Shtetëror për Ankesa të Prokurimeve Publike, Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Komisionit Shtetëror të shkallës së dytë për vendimmarrje në procedimin administrativ.

Nga aty vlerësojnë se mbarimi i mandateve para skadimit bëhet me ndryshime urgjente ligjore, të propozuara nga një grup deputetësh, pa plotësuar kushtet për shkarkim dhe pa asnjë konsultim publik.

“Duke qenë se fokusi i këtyre ndryshimeve ligjore është pikërisht përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të pavarura, të krijohet përshtypja se qëllimi i ndryshimeve është përzgjedhja e përbërjeve të reja të këtyre komisioneve sipas masës së qeverisë së re. Një ndërhyrje e tillë në punën e institucioneve, të cilat sipas modelit të tyre duhet të jenë të pavarura nga pushteti qendror, paraqet precedent të rrezikshëm dhe sjell partizim shtesë të institucioneve”, thuhet në reagim.

Ndër organizatat e shoqërisë civile që janë anëtare të Platformës janë: Instituti për Demokraci Societas Civilis, Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë, Metamorfozis, Transparency International , Fondacioni “Shoqëri e Hapur”, Qendra për komunikime civile, Eurothink , Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.