Mickoski: Më është ofruar ryshfet për të nënshkruar tenderin për hekurudhën drejt Bullgarisë
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se i është ofruar ryshfet për nënshkrimin e tenderit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë në vlerë prej 560 milionë euro. Bëhet fjalë për një tender të shpallur nga Qeveria e kaluar për ndërtimin e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, projekt të cilin kjo Qeveri paralajmëroi se […]
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se i është ofruar ryshfet për nënshkrimin e tenderit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë në vlerë prej 560 milionë euro. Bëhet fjalë për një tender të shpallur nga Qeveria e kaluar për ndërtimin e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, projekt të cilin kjo Qeveri paralajmëroi se nuk do ta bëjë sepse është i keq dhe përfundon në qorrsokak dhe tunel dhe nuk ka asnjë perspektivë që ajo të vazhdojë nga pala bullgare, transmeton Portalb.mk.
“Ofrimi i ryshfetit nuk del publike në emision apo me një dokument ku të dyja palët duhet të firmosin bashkë se unë të ofroj ryshfet, dhe ti e pranon. Ne e dimë se si kalon nëpër kanale dhe këtu po them se për hekurudhën në Bullgari është tentuar të më ofrohet ryshfet për të pranuar këtë dokumentacion tenderi që skadon më 17 shtator. Unë thashë se nuk do ta pranoj këtë tender dhe kështu do të jetë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media gjatë prezantimit të Agjendës reformuese 2024-2027 për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mickoski shtoi se “të gjitha ato institucione që duhet të informohen, janë informuar”, sa i përket ryshfetit.
Qeveria do të kërkojë që paratë e këtij projekti të dhëna nga BE-ja të kalojnë në projekte të tjera si ndërtimi i Korridorit 10.
“Janë para të taksapaguesve evropianë, ata gjetën mirëkuptim dhe dialogu i mëtutjeshëm me palën bullgare do të zhvillohet në Bruksel”, tha Mickoski.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski para pak kohësh deklaruan se do të kërkohet ridedikimi i mjeteve sepse hekurudha përfundon në qorrsokak, pasi pala bullgare nuk ka projekt për vazhdimin e hekurudhës deri në Sofje.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2023 në faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8. Bëhet fjalë për seksionin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa ndërtimi i dy pjesëve të mbetura nga Kumanova në Beljakovc dhe nga Beljakovca në Kriva Pallankë është ende në proces.
Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë. Me ardhjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, është paraqitur ideja për ridedikimin e këtyre mjeteve për ndërtimin e hekurudhës me Selanikun.