Mickoski: Nëse Ali Ahmeti e di se ku është Grubi, shpresoj të thirret në Prokurori
Kryeministri Hristijan Mickoski shpreson se Prokuroria do të thërrasë liderin e BDI-së Ali Ahmeti, i cili, siç raportuan dje mediat kosovare, ai ka thënë se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi ndodhet në territorin shqiptar dhe se do të kthehet në vend vetëm nëse nuk ka drejtësi hakmarrëse dhe selektive, transmeton Portalb.mk. “Shpresoj që kjo të arrijë në […]
Kryeministri Hristijan Mickoski shpreson se Prokuroria do të thërrasë liderin e BDI-së Ali Ahmeti, i cili, siç raportuan dje mediat kosovare, ai ka thënë se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi ndodhet në territorin shqiptar dhe se do të kthehet në vend vetëm nëse nuk ka drejtësi hakmarrëse dhe selektive, transmeton Portalb.mk.
“Shpresoj që kjo të arrijë në prokurori dhe të ketë një procedurë ligjore në të cilën nëse kemi një person që e di se ku është një i arratisur nga ligji, se do ta thërrasin atë person dhe ata do t’i përgjigjen pyetjes se ku është i arratisuri nga drejtësia. Për çdo gjë tjetër, mund të komentoj se të gjithë në vend e dinë se si janë emëruar prokurorët dhe gjyqtarët në shtatë vitet e fundit. Të njëjtët pa të cilët nuk mund të kalonte kualifikimi përmes Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, tani thonë se dikujt iu mohua drejtësia dhe se kjo ishte përndjekje politike. Më lejoni t’ju kujtoj – i arratisuri i përmendur është në listën e sanksioneve amerikane dhe aty thonë publikisht se ky person së bashku me njëri-tjetrin janë të lidhur me skandale të mëdha korrupsioni. Supozoj se nuk do ta akuzojnë Departamentin e Shtetit për përndjekje politik”, tha sot Mickoski.
Sipas kryeministrit, mënyra më e lehtë për të vërtetuar nëse dikush është fajtor apo jo është të vijë, të japë një deklaratë dhe të përballet me drejtësinë.
“Nuk ka asgjë të keqe të vish dhe të thuash nëse ke të drejtë apo gabim dhe prokurorët dhe gjyqtarët të vendosin se çfarë dhe si do të veprohet. Ne nuk ndërhyjmë, le të vendosin në bazë të provave që i marrin nga hetimi”, tha Mickoski.
Prokuroria Publike e Republikës sot bëri të ditur se për Grubin është lëshuar urdhërarrest kombëtar dhe ndërkombëtar dhe se autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara për ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë autoritetin të marrin të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë thirrjen e personave të tjerë nëse kanë informacion mbi vendndodhjen e tij të dyshuarit.
“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhërarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për të dyshuarin. Autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara me ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë të gjitha autorizimet për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjurmimin e personit, duke përfshirë thirrjen dhe intervistimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për vendndodhjen e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e PTHP-së.
Lidhja Socialdemokrate (LSDM) nga ana tjetër sot ka kërkuar nga Prokuroria dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që ta thërrasin liderin e Bashkimit Demokratik (BDI), Ali Ahmeti, për të dhënë deklaratë për të treguar vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, i arratisur prej dy javësh është në dispozicion të organeve të rendit.
“Pasi lideri i BDI-së u ngrit në mbrojtje të Grubit, është më se e qartë se ai vetë e ka informuar për vendndodhjen e tij dhe ka informacione të rëndësishme për rastin. Pse Prokuroria dhe Toshkovski nuk e thërrasin Ahmetin për të dhënë deklaratë? Si ka mundësi që Ahmeti dhe Mexhiti e dinë se ku është Grubi, vetëm Toshkovski të jetë plotësisht i painformuar?”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Nga atje thonë se ky rast është shembull klasik i selektivitetit, por edhe paaftësisë së madhe të Toshkovskit dhe MPB-së për zbatimin e ligjit.
TV21 raportoi se kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot para mediave të Kosovës tha se Grubi nuk është arratisur dhe se ai vetë nuk ka pasur kontakt me të, por ka informacione se ai është mirë dhe se ndodhet në trojet shqiptare. Kryetari i integristëve ka premtuar se Grubi do të kthehet dhe do të dalë para organeve të drejtësisë, “por jo drejtësisë hakmarrëse”.
Kujtojmë se, më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Megjithatë pak para formimit të lëndës, Grubi dhe Bajrami ishin larguar nga shtetit dhe mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit të RMV-së.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Më 24 dhjetor, Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Më 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.
Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë
Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.
Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.
Më 18 dhjetor konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku u mor në pyetje në polici për shkak të dyshimeve se e ndihmoi Grubin të arratiset.
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,
Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.