Mickoski optimistë për integrim në BE: Jam i bindur se do të arrijmë sukses
Të jemi optimistë, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke folur për procesin eurointegrues, përmes garancive se nuk do të ketë më çështje dypalëshe. Ai optimizmin e bazon në takimet me krerët e huaj, mes të cilëve ishte edhe presidenti i Francës Emanuel Makron. “Rruga e Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në BE do të jetë e […]
Të jemi optimistë, tha kryeministri Hristijan Mickoski duke folur për procesin eurointegrues, përmes garancive se nuk do të ketë më çështje dypalëshe. Ai optimizmin e bazon në takimet me krerët e huaj, mes të cilëve ishte edhe presidenti i Francës Emanuel Makron.
“Rruga e Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në BE do të jetë e hapur gjerë dhe do të vlerësohet sipas arritjeve dhe kompetencave, e jo në çështje dypalëshe. Unë jam i bindur se do të arrijmë sukses në të gjitha këto. Optimizmin tim e bazoj në takimet e zhvilluara që i kam brenda këtyre 5 muajve pasi u formua qeveria”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga kabineti i Makronit paraprakisht njoftuan se Franca do ta përkrahë Maqedoninë në rrugën e saj eurointegruese por në pajtueshmëri me detyrat ndërkombëtare që vendi ynë i ka marrë përsipër. Mesazh të ngjashëm një kohë më parë dërgoi edhe kandidatja për eurokomisare për zgjerim Marta Kos.
“Ne presim që vendi kandidat Maqedonia e Veriut ta ndryshojë Kushtetutën, siç u premtua. Asgjë më shumë e asgjë më pak”, shtoi Marta Kos, kandidate për eurokomisare.
“Unë e kuptoj eurokomisaren për deklaratën e saj. Megjithatë ajo duhej ta kalonte dëgjimin ku duhej të votojnë edhe eurodeputetë të fqinjit tonë lindor”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Afrim Gashi në intervistë për MIA nuk u përgjigj konkretisht në lidhje me spekulimet se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të fillojë në fund të këtij viti.
“Mundemi dhe nuk mundemi të themi…Nëse diçka nuk varet prej nesh, nuk mund të pohojmë nëse do të ketë apo jo. Kur të ketë, unë shpresoj se do të më njoftojnë që menjëherë të fillojë procedura”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Nga kabineti i presidentit bullgar Rumen radev theksuan se në takim me bullgarët e Maqedonisë, ai i ka thënë pritshmëritë e tij se kreu shtetëror në Shkup së shpejti do t’i vendosë bullgarët në Kushtetutë dhe se do të vazhdojë me zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe për fqinjësi të mirë, e cila, siç njoftuan, është pjesë përbërëse e kornizës negociuese.