Mickoski pas vizitës në Bruksel: Paraqitëm argumente dhe debatuam, do të vazhdojmë në Samitin e rregullt BE-Ballkani Perëndimor
Në Bruksel pata takime jashtëzakonisht cilësore me komisioneren e re për Zgjerim, Marta Kos, me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisioni Evropian (DG NEAR), Gert Jan Köppmann. Kështu tha sot kryeministri Hristijan Mickoski vetëm pak […]
Në Bruksel pata takime jashtëzakonisht cilësore me komisioneren e re për Zgjerim, Marta Kos, me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisioni Evropian (DG NEAR), Gert Jan Köppmann. Kështu tha sot kryeministri Hristijan Mickoski vetëm pak orë pasi u kthye nga Brukseli, ku mori pjesë në një darkë pune të organizuar nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, për liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u përgjigjur pyetjeve se a u kishte prezantuar qëndrimet maqedonase lidhur me veprimin e shtyrë për hyrje në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë darkës u bashkua edhe Kaja Kallas, e cila është përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Folëm për të gjitha temat që janë thelbësore. Kaluam sërish përmes argumenteve, debatojmë, nxjerrim argumente të reja. Megjithatë, duhet ta keni idenë se është një përbërje krejtësisht e re, dje ishte dita e tyre e dytë e punës. Informacioni që po marrin tani është një informacion praktikisht i ri për ta”, thotë ai.
Ai pret që në periudhën e ardhshme të zhvillohen dhe të formësohen disa zgjidhje të mundshme.
“Në datën 17 është sërish Samiti i rregullt, Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor. Do të jem sërish në Bruksel. Pres të kem disa takime dypalëshe. Ditën pasuese kemi një mëngjes pune në kuadër të Partisë Popullore Evropiane. Dhe këtu pres mbështetje dhe riafirmim të pozicionit tonë në familjen amë”, tha kryeministri.
Sipas tij, kemi argumente të ashpra dhe të forta, por nuk beson në zgjidhje të menjëhershme.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për muajin e gjashtë radhazi, me të gjithë personat e mundshëm që mund të luajnë rol në tejkalimin e kësaj mosmarrëveshjeje të imponuar që nuk na lejon të ecim drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, për shkak të politikës së jashtme ekzibicioniste të qeverisë së kaluar, pra politikë në të cilën shihet vetëm deri në hundë, e askush nuk ka parë përtej hundës. Pra, tani duhet ta zgjidhim dhe do ta zgjidhim, do të luftojmë, nuk ka dorëzim”, thotë Mickoski.
Ai shtoi se me një hap të vetëm nuk do t’i turpërojnë qytetarët maqedonas dhe as identitetin maqedonas.
Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne duhet të punojmë për ta arritur këtë.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.