Ministrja gjermane Baerbock: Përderisa në BE vendimet merren unanimisht, RMV nuk mund të fillojë negociatat pa ndryshimet kushtetuese

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock lidhur me Maqedoninë e Veriut thotë se përderisa Bashkimi Evropian vendos unanimisht, Maqedonia duhet të respektojë kompromiset dhe të fusë bullgarët në kushtetutë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE, transmeton Portalb.mk. Sipas Berbok, në këtë rast nuk bëhet fjalë për padrejtësi, por për respektimin e […]

tetor 15, 2024 - 19:00
 0  5
Ministrja gjermane Baerbock: Përderisa në BE vendimet merren unanimisht, RMV nuk mund të fillojë negociatat pa ndryshimet kushtetuese
Timço Mucunski dhe Analena Berbok. Foto: MPJ

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock lidhur me Maqedoninë e Veriut thotë se përderisa Bashkimi Evropian vendos unanimisht, Maqedonia duhet të respektojë kompromiset dhe të fusë bullgarët në kushtetutë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE, transmeton Portalb.mk.

Sipas Berbok, në këtë rast nuk bëhet fjalë për padrejtësi, por për respektimin e rregullave të BE-së, ndonëse ajo vetë thotë se është pro heqjes së parimit të unanimitet në BE, veçanërisht në fushën e zgjerimit.

“Rregullat në BE janë të tilla, vendosen unanimisht dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë padrejtësi. Ne nuk jemi dakord me partnerët tanë evropianë për gjithçka, por këto janë rregullat. Përderisa nuk ndryshohen ato rregulla, për të cilat unë personalisht qëndroj, ato duhet të respektohen”, njoftoi Berbok nga një konferencë për media pas takimit me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunski pas samitit të Procesit të Berlinit në Berlin.

Ministrja gjermane i tha Mucunskit se përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutë është hapi i fundit për hapjen e klasterit të parë të negociatave me BE-në.

Ministria e Punëve të Jashtme përcolli deklaratën e Berbock se “është veçanërisht e rëndësishme për ne si Gjermani që të avancojmë në shumicë të cilësuar dhe jo vetëm në vendimmarrje unanime, çka do të thotë se në procesin e anëtarësimit mund të vendosim me shumicë dhe jo me unanimitet”.

Ndërkohë, Shqipëria sot ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.

“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.

Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.

Kryediplomati hungarez Szijjarto tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshpejtohet. Edhe komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varheyli nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së.

Shqipëria ka pritur disa vite që të hapë negociatat për anëtarësim. Tani, pas hapjes së kapitujve të parë pritet që procesi të jetë më i shpejtë.

Vendimi për hapjen e kapitullit të parë u mirëprit nga presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i cili tha se mbush me shpresë shqitarët për realizimin “e ëndrrës së kahershme ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa'”.

Shqipërinë e ka uruar edhe presidenja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike të rajonit duhet të vazhdojnë të bëjnë përparim në rrugën evropiane “që është thelbësore për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, jo vetëm për rajonin, por gjithë Evropën”.

Me hapjen e grupit të parë të kapitujve, është zyrtarizuar ndarja e paketës ku Tirana ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut. Për disa vite vendimet janë marrë paralelisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa tash rrugët janë ndarë.

Lidhur me ndarjen e rrugës evropiane të Tiranës dhe Shkupit, Rama shprehu keqardhje.

“Ndihem në siklet sepse më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut që u detyrua të ndryshonte edhe emrin për t’u futur në këtë proces. U qëndroj të njëjtave gjëra që kam thënë për miq tanë bullgarë, sepse historia nuk mund të jetë arsyeja për të ndaluar bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend”, tha Rama.

Arsyeja e ndarjes së Shqipërisë në këtë rrugëtim drejti BE-së, është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria. Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues. Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.