Mjedisi jetësor në vitin 2024: Një ekuacion i pazgjidhshëm për institucionet në RMV
Ajri i ndotur, deponitë ilegale dhe mbeturinat, lumenjtë e bllokuar nga hidrocentralet e vogla, shumë burime natyrore me vlerë ende të pambrojtura, rreziqet për biodiversitetin, shkatërrimi i vazhdueshëm i Rajonit të Ohrit dhe pikat e nxehta ekologjike. Gjendja e mjedisit jetësor në vitin 2024 nuk mund të thuhet se ishte shumë më ndryshe nga ajo […]
Ajri i ndotur, deponitë ilegale dhe mbeturinat, lumenjtë e bllokuar nga hidrocentralet e vogla, shumë burime natyrore me vlerë ende të pambrojtura, rreziqet për biodiversitetin, shkatërrimi i vazhdueshëm i Rajonit të Ohrit dhe pikat e nxehta ekologjike. Gjendja e mjedisit jetësor në vitin 2024 nuk mund të thuhet se ishte shumë më ndryshe nga ajo në vitet e kaluara, ndërsa ajo vazhdon të mos jetë një nga prioritetet kryesore të politikanëve dhe institucioneve. Edhe pse të gjithë deklarativisht pajtohen se rëndësia është e madhe, buxhetet ende janë të vogla, kapacitetet janë të dobëta., shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Plane me shumicë, zero zbatim
Po e mbyllim këtë vit me një dokument të madh dhe të rëndësishëm të miratuar nga Qeveria, “Programin planifikues për ajër më të pastër 2024-2030”, në të cilin janë përcaktuar prioritetet afatmesme dhe afatgjata që janë të nevojshme për t’i reduktuar pasojat nga ndotja e ajrit në qytetet më të mëdha në vendin tonë. Qeveria parashikon projekte për reduktimin e emetimeve nga amvisëritë që përdorin dru për ngrohje, ndërtimin e centraleve me gaz, reduktimin e ndotjes nga ndërtesat publike që ende përdorin naftë dhe mazut, pastaj masa për uljen e ndikimit të transportit, ndalimin e djegies së arave, si dhe themelimin e shërbimeve të rojes komunale dhe të policisë komunale.
Dokumenti prek pikat që ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe ofron zgjidhje të caktuara, por duhet të kujtojmë se një dokument i ngjashëm tashmë ekzistonte dhe përmbante edhe shumë masa, projekte dhe ide se si mund të ndikohej për reduktimin e ndotjes së ajrit. Por problemi i çdo qeverie në vend, pa hyrë në cilësinë e zgjidhjeve që propozoi, mbetet zbatimi i tyre. Kohët e fundit u promovua një zgjidhje e re për reduktimin e emetimeve të transportit dhe rrëmujës në Shkup, koncepti car-sharing i makinave elektrike. Zgjidhja tashmë është zbatuar me sukses në disa qytete evropiane dhe po i jep rezultatet për të cilat Shkupi ka nevojë urgjente. Por derisa planet dhe programet të realizohen plotësisht, ajri që e thithim do të jetë i po kësaj cilësie.
Trajtimi bashkëkohor i mbeturinave vetëm në letër
Mbeturinat mbetën një nga sfidat më të mëdha edhe këtë vit. Trajtimi modern ende është vetëm në letër, në vizionin për deponi moderne rajonale, të cilat do të duhet t’i zgjidhin problemet me mbeturinat me të cilat jetojmë në çdo hap. Realizimi i deponisë të parë rajonal për rajonin Lindor dhe Verilindor këtë vit ka bërë lëvizje minimale nga pika e fillimit me shpalljen e tenderit për përzgjedhjen e një realizuesi.
Kjo na jep shpresë se në të ardhmen, në vitin 2025, mund të fillojë zbatimi i këtij projekti strategjik. Megjithatë, sasia e madhe e dezinformatave dhe abuzimi i banorëve lokalë me manipulime mund të ndikojë në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor të menaxhimit të mbeturinave në vend, i cili duhet të ndërtohet me para evropiane.
Ky vit mund të vlerësohet si pozitiv për sektorin e energjetikës dhe burimeve të rinovueshme të energjisë, veçanërisht në aspektin e shfrytëzimit të energjisë nga dielli. Angazhimet për eliminimin e karburanteve fosile në këtë sektor kanë rezultuar në një numër të madh investimesh në termocentrale fotovoltaike. Por edhe këtë vit mbetet përshtypja se transformimi në energji të gjelbër është i rezervuar për investitorët që synojnë fitimet dhe pjesërisht për kompanitë që përpiqen të reduktojnë shpenzimet e tyre të energjisë elektrike, por jo për qytetarët dhe komunitetet energjetike, të cilët nuk do të kenë kurrë të drejtë të barabartë për ta përdorur energjinë e diellit.
Ajo që Komisioni Evropian e ka konstatuar për disa vite me radhë në Raportet për progresin e vendit është moszbatimi i Ligjit për Veprimin për Klimën, një dokument kyç për t’i konfirmuar angazhimet tona për t’i luftuar ndikimet e ndryshimeve klimatike. Ligji është pritur për tre vjet me radhë dhe është edhe vendimtar për përcaktimin e tatimit për karbonin që kompanitë tona do duhet ta paguajnë nga viti 2026. Viti që vjen mbetet vendimtar për miratimin e këtij akti ligjor, si dhe të gjithë të tjerëve që do të duhet ta hapin rrugën për zbatimin e suksesshëm dhe sa më pak të dhimbshëm të kësaj risie.
Liqeni i Ohrit nën kërcënim konstant
Një nga krenaritë tona më të mëdha, pasuria kulturore dhe natyrore e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit, këtë vit mbeti në shënjestër të uzurpatorëve. Viti do të përmbyllet me zbulimin e një rasti nga organizatat qytetare ekologjike për ndërtimin e pesë ndërtimeve të reja pa leje dhe dy të tjera që po ndërtohen në zonën e Studençishko Bllato, për të cilën ka një vendim për mbrojtje të përkohshme, në sytë dhe me njohuri të të gjitha institucioneve shtetërore dhe lokale.
Qendra e Trashëgimisë Botërore e publikoi edhe Raportin e Misionit të UNESCO-s nga viti 2024 në të cilin për të tretën herë ekspertët konstatojnë se Rajoni i Ohrit i plotëson kriteret për Trashëgimi Botërore në Rrezik. Ndërhyrjet joadekuate, urbanizimi, planifikimi joadekuat hapësinor, projektet infrastrukturore shkaktojnë dëme të pakthyeshme, për shkak të të cilave Rajoni i Ohrit mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale në një periudhë të shkurtër dhe të mesme kohore.
Ne presim që të mbrohen, por realisht, edhe Mavrova me një proces të rishpalljes për park kombëtar, Matka, Studençishko Bllato, Demir Kapia, biodiversiteti unik dhe shumë thesare të tjera që mund të shkatërrohen para syve tanë nëse thjesht vazhdojmë vetëm të admirojmë dhe jo dhe të hedhim hapa konkretë.
Nuk ka zgjidhje për asnjë nga pikat e nxehta ekologjike
Dhe në fund, krahas problemeve aktuale me të cilat po përballemi, duhet t’i përmendim edhe dhimbjet kronike që për dekada me radhë po rrënojnë shëndetin tonë. Pikat e nxehta ekologjike historike mbeten të paprekura dhe në harresë. Një përjashtim i pjesërishëm është ОHIS-i, ku pastrimi i deponisë të vogël me lindan po vazhdon për të tretin vit me radhë, por për këtë arsye nuk ka aktivitete konkrete për deponinë e madhe, si dhe atë të Pelenicës.
Kodra e zezë me zgjyrë është ende një kërcënim për Velesin dhe pastrimi i saj ka ngecur në një mosmarrëveshje gjyqësore mes koncesionarit dhe komunës. Nuk ka zgjidhje as për аrsenin dhe mbeturinat e tjera minerale në Llojan dhe Tabanoc, për të cilat shteti sërish në vitin 2024 kërkonte koncesionar për pastrimin e tij. Një vit më parë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor njoftoi se nëse nuk do të gjendej investitor privat i interesuar, alternativa do të ishte gjetja e fondeve të huaja me kontribut të brendshëm sipas parimit sipas të cilit aktualisht po zgjidhet problemi me lindanin në OHIS.
Dhe këtë vit e kemi të qartë se me kapacitetet aktuale financiare dhe njerëzore mjedisi jetësor është një sfidë e pazgjidhshme si për institucionet shtetërore, ashtu edhe për ato lokale. Të njëjtat pyetje vazhdojnë t’i shqetësojnë qytetarët, të cilët kanë të drejtën e garantuar me Kushtetutë për një mjedis jetësor të shëndetshëm në të cilin do mund të jetojnë pa frikë nga pasojat për shëndetin e tyre. Është e qartë se kjo nuk do të jetë plotësisht e mundur as në vitin e ardhshëm, 2025, në të cilin do të duhet të kërkojnë vazhdimisht një angazhim më serioz nga ana e autoriteteve.