Monitoruesit e DnV-së në terren për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Demokracia në Veprim përmes disa ekipeve monitoruese nëpër komuna, do të angazhohet në vëzhgimin e procesit zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. DnV përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje subjekteve politike, përfaqësuesve të tyre, kandidatëve dhe mbështetësve në terren që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore, duke shmangur


Demokracia në Veprim përmes disa ekipeve monitoruese nëpër komuna, do të angazhohet në vëzhgimin e procesit zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
DnV përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje subjekteve politike, përfaqësuesve të tyre, kandidatëve dhe mbështetësve në terren që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore, duke shmangur çdo formë ndërhyrjeje apo ndikimi të paligjshëm në procesin e votimit, transmeton Klankosova.tv.
Gjithashtu, Demokracia në Veprim i bëri thirrje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të garantojë organizim dhe menaxhim të rregullt e transparent të procesit, si dhe institucioneve përgjegjëse për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së zgjedhjeve që të mundësojnë një ambient të qetë dhe të sigurt, ku qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar lirshëm dhe pa presion.
“Kryetarët që do të zgjidhen nga ky proces do të udhëheqin komunat për katër vitet e ardhshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve përmes shërbimeve publike, zhvillimit urban, arsimit, mirëqenies sociale dhe prioriteteve zhvillimore në komunitetet lokale. Për këtë arsye, pjesëmarrja e qytetarëve në votim është thelbësore për të siguruar që drejtimi i komunave të reflektojë vullnetin dhe interesat e banorëve”.
“Zgjedhjet përbëjnë një moment kyç të pjesëmarrjes publike dhe të llogaridhënies demokratike, dhe roli i secilit qytetar është i rëndësishëm në forcimin e procesit dhe institucioneve të vendit”, thuhet në njoftim.
