Natë e mbushur me shqiptarë në Champions, derbi Barça – Bayern

Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me nëntë ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës. Sonte na pret një përballje gjigantësh në garën më prestigjioze për klube në Evropë. Dueli kryesor i natës, por edhe në përgjithësi i kësaj xhiroje konsiderohet ai mes Barcelonës dhe Bayern Munichut. Gjiganti […]

tetor 23, 2024 - 14:00
 0  13
Natë e mbushur me shqiptarë në Champions, derbi Barça – Bayern

Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me nëntë ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës.

Sonte na pret një përballje gjigantësh në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Dueli kryesor i natës, por edhe në përgjithësi i kësaj xhiroje konsiderohet ai mes Barcelonës dhe Bayern Munichut.

Gjiganti bavarez po konsiderohet si “mace e zezë” për gjigantin katalunas, ndaj të cilit ka dominancë absolute në vitet e fundit, shkruan Gazeta Express.

Barça nuk ka arritur ta shënojë asnjë gol ndaj Bayernit në katër sfidat e fundit, ndërsa gjermanët në të njëjtën kohë i shënuan 11 sosh.

Hera e fundit kur “Blaugrana” kanë fituar ndaj Bayernit ishte në maj të vitit 2015.

Prandaj, të përzgjedhurit e trajnerit Hansi Flick do të mundohen ta mbyllin këtë seri të zezë sonte me një fitore ndaj “Bavarezëve”, të prirë nga super-sulmuesi Robert Lewandowski, i cili do të luajë ndaj ish-skuadrës së tij.

Aktualisht, Barcelona dhe Bayerni e kanë nga një fitore e nga një humbje në formatin e ri të Championsit.

Interi po ashtu do ta kërkojë sonte fitoren e dytë të edicionit.

Kristjan Asllani me shokë do ta vizitojnë Zvicrën, ku i pret ekipi vendës, Young Boys.

Zviceranët i kanë dy humbje dhe janë në kërkim të pikëve të para, por favoritë pa dyshim janë Zikaltrit.

Një duel interesant do të jetë edhe ai mes Leipzigut dhe Liverpoolit, me anglezët që shihen si favoritë pasi i kanë shënuar dy fitore karshi dy humbjeve të ekipit gjerman.

Ndërkohë, sonte në fushën e blertë do të zbresin edhe disa futbollistë shqiptarë, të cilët do të kenë angazhime me ekipet përkatëse.

Lille i Edon Zhegrovës do të ketë punë të vështirë pasi do ta vizitojë Spanjën, ku i bën konak Atletico Madridi.

Të dy ekipet e kanë nga një fitore e nga një humbje aktualisht, ndërsa e kërkojnë trepikëshin e dytë.

Ylli kosovar do të mundohet t’i shfaq vlerat e tij njëjtë siç kishte bërë ndaj Real Madridit dy javë më parë.

E më së shumti shqiptarë do të shohim në “Etihad Stadium”, ku Manchester City e pret Sparta Pragën.

Ekipi çek në organikën e tij i ka katër shqiptarë, Albion Rrahmanin, Ermal Krasniqin, Indrit Tucin dhe Qazim Laçin.

Për ta, kjo do të jetë një mundësi e artë për t’i tregojnë cilësitë e tyre në këtë ndeshje të madhe dhe të rëndësishme për ta.

Në duelet tjera, Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës do të jetë mysafir i Brestit, kurse Atalanta e Berat Gjimshitit do t’i bëjë konak Celticut.

E Dinamo Zagrebi i Arijan Ademit do ta vizitojë Salzburgun në Austri.

Dy ndeshje do të nisin në orën 18:45 e shtatë të tjera nga ora 21:00.