Ndërtesa moderne mbi varreza antike në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Organizatat kulturore për mbrojtje dhe konservim të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shprehen të shqetësuar për moskujdesejen nga organet kompetente shtetërore në Maqedoninë e Veriut ndaj gjetjeve arkeologjike dhe ngulfatjen e vendeve antike me godina urbane. Ndërkaq, institucionet e shtetit që për barrë kanë kujdesin për lokalitetet antike dhe artefaktet zotohen për përgjegjësi dhe kujdes të […]

Jan 12, 2025 - 16:00
 0  4
Ndërtesa moderne mbi varreza antike në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Organizatat kulturore për mbrojtje dhe konservim të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shprehen të shqetësuar për moskujdesejen nga organet kompetente shtetërore në Maqedoninë e Veriut ndaj gjetjeve arkeologjike dhe ngulfatjen e vendeve antike me godina urbane. Ndërkaq, institucionet e shtetit që për barrë kanë kujdesin për lokalitetet antike dhe artefaktet zotohen për përgjegjësi dhe kujdes të veçantë. Nga ana tjetër, partitë politike fajin e hedhin ndaj njëra tjetrës, se kush më pak e kush më shumë i ka shkatërruar artefaktet shqiptare me plane urbanistike. raporton Portalb.mk.

Si i mbron shteti lokalitetet antike?

“Lulëzimi” i ndërtesave në Komunën e Karposhit në Shkup, respektivisht në afërsi të lokalitetit “Skupi- qyteti antik”, ku para dy viteve gjatë gërmimeve arkeologjike (shkurt, 2023) u gjet edhe pllaka me mbishkrim “Dardanus”, ka ngritur edhe një herë alarmin te shoqatat kulturore për mbrojtje të artefakteve.

Organizata për kulturë dhe mbrojtje dhe konservim të trashëgimisë kulturore shpirtërore HUTA Tetovë thotë se me datë 14.12.2024 pasi kuptuan që në atë vend ku u gjet pllaka “Dardanus” punimet për ndërtime po vazhdojnë, ata si organizatë kanë vizituar vendin dhe incizuan që aty ndërtohet. Ata madje thanë se duke incizuar sigurimi i atij vendi i ka penguar dhe u ka thënë se nuk lejohet incizimi.

“Që aty vazhduam te lokaliteti “Skupi” ku edhe u vendos pllaka “Dardanus”, por dyert ishin mbyllur. Ne i kemi drejtuar përsëri kërkesë Komunës Karposh me datë 05.12.2024, që të na tregojnë se a kanë dhënë leje ndërtimi për ato parcela ku më datë 13.03.2023 na thanë që nuk ka leje ndërtimi, por deri në këtë moment nuk kemi përgjigje. Si OJQ përkujdesjen e artefakteve arkeologjike e vlerësojmë si të tmerrshme, pasi që pllakat e gjetura në nekropolin ku u gjet pllaka “Dardanus” janë hedhur në lokalitetin “Scupi” dhe nuk kanë konservim adekuat pasi që rrezikohen të dëmtohen nga shiu e bora. E kemi edhe Kursumli An-in ku është e mbushur me artefakte arkeologjike që as nuk ekspozohen as nuk mirëmbahen”, thanë nga HUTA, për Portalb.mk.

Portalb.mk ka kërkuar detaje nga Komuna e Karposhit rreth lejes së ndërtimit dhe mekanizmave mbrojtës që ka komuna për vendet antike ose hapësira ku ka gjetje arkeologjike, por nga kjo komunë deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.

Arkeologia Vera Atanasovska nga Qendra Konservatore- Shkup thotë se ndërtimi në zonën e Kontaktit të Kompleksit Monumental të Qytetit Antik Skupi lejohet me kusht që të kryhen më parë kërkimet arkeologjike.

“Kërkimet arkeologjiket janë kryer në të gjitha parcelat ku aktualisht është duke u ndërtuar, me Leje për Kërkime Arkeologjike nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës. Janë eksploruar varret romake nga nekropoli juglindor i qytetit të Skupit. Të gjitha varret e zbuluara janë dokumentuar, pllakat e gjetura me mbishkrime janë dërguar në lokalitetin arkeologjik të Skupit, ndërsa materiali i luajtshëm arkeologjik, pas përfundimit të hulumtimit, i është dorëzuar Institucionit Publik Muzeu i Qytetit të Shkupit. Aktualisht, kërkimet vazhdojnë në nekropolin juglindor të Skupit. Në rastin konkret, ndërtimet e reja nuk kërcënojnë truallin, sepse zona ku po ndërtohet është hetuar arkeologjikisht në tërësi”, tha për Portalb.mk Atanasovska.

Atanasovska veçoi se Qendra Konservatore Shkup, si institucion kompetent për mbrojtjen e trashëgimisë së paluajtshme kulturore, kujdeset plotësisht dhe me përgjegjësi për të gjitha lokacionet nën juridiksionin e saj, duke përfshirë edhe pjesën e zonës së kontaktit të lokacionit Skupi, ku janë gjetur stela me mbishkrime.

Për rastin konkret, Portalb.mk ka kontaktuar edhe ministrinë përgjegjëse, respektivisht, Ministrinë e Kulturës. Nga aty deklaruan se në lokalitetin arkeologjik të Skupit nga viti 1966 e deri më sot janë kryer kërkime arkeologjike në vazhdimësi në përputhje me metodologjinë për kërkime arkeologjike, Rregulloren për kërkime arkeologjike, Ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kushtet e përcaktuara në Vendimin për Shpalljen e Kompleksit të qytetit të lashtë të Skupit në Shkup për trashëgimi kulturore të një rëndësie të veçantë, nënkategori me rëndësi të madhe.

“Kjo do të thotë se institucioni kompetent, në përputhje me rezultatet e kërkimeve arkeologjike, nëse bëhet fjalë për strukturat e zbuluara që duhet të ruhen dhe të prezantohen, jep propozimin për mbrojtjen dhe paraqitjen e duhur. Nëse bëhet fjalë për nekropol apo varre, si në rastin e përmendur dy vite më parë, varret hetohen dhe përgatitet dokumentacioni përkatës tekstual, teknik dhe fotografik; gjetjet e luajtshme (artefaktet në fjalë, dy pllakat me mbishkrime të ndryshme) janë të dokumentuara; mblidhen, inventarizohen dhe depozitohen në institucionin muzeor kompetent për përpunim të mëtejshëm profesional e shkencor, botim dhe prezantim. Më pas, lëshohet një leje ndërtimi dhe investitori duhet t’i përshtatë aktivitetet e mëtejshme të ndërtimit sipas kushteve të përcaktuara në të”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Partitë politike kanë adresë fajtori

Pllaka “Dardanus” ka gjetur vend edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Por, në vend të zgjidhjes dhe ndonjë projekti konkret për të mbrojtur trashëgiminë kulturore nga objektet urbane, politikanët kanë fajësuar njëri tjetrin.

Deputetja e Frontit Evropian, kuadër i BDI-së, Arbana Pasholli në rrjete sociale ka publikuar përgjigjen me shkrim të marrë nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në lidhje me lokalitetin antik Skupi dhe mbrojtjen e gjetjeve arkeologjike atje.

“Është shumë për tu habitur se si ka fytyrë BD të parashtrojë pyetje për DARDANUS kur pikërisht ish- Qeveria BDI lejoi kriminalizimin urbanistik mbi artefakte shqiptare, pra nuk patën kujdes as për artefakte shqiptare ku dëshmohet lashtësia shqiptare. BDI edhe sot dështimet e veta, në mesin e të cilave edhe lejimi i ndërtimeve në vende ku dëshmohet lashtësia shqiptare nuk po i pranon dhe pa turp po na akuzon. BDI nuk pati fuqi e as aftësi për ta mbrojtur këtë vend, ku u gjet pllaka DARDANUS, madje atë e zhvendosën në Kumanovë dhe tash pa fije turpi pyesin për këtë çështje. Gjejeni Artan Grubin dhe kërkoni nga ai dhe Artanët tjerë se çka ka ndodhur me shqiptarët dhe çështjen shqiptare në kohën tuaj. Por, edhe përkundër kësaj edhe pse me vonesë dhe pa marrë parasysh se sa energji na merr dhe sa na kushton ne do t’i zgjidhim e do t’i pastrojmë të gjitha problematikat që na i la trashëgim BDI”, i është përgjigjur Mexhiti deputetes Pasholli.

Duke komentuar përgjigjen e Mexhitit, deputetja Pasholli ka thënë se “sulmi është mbrojtja më e mirë, veçanërisht kur paaftësia dhe nënshtrimi të imponon mënyrën se si mendon dhe vepron”.

Ndryshe, pllaka e zbuluar në lokalitetin Skupi, me mbishkrimin “Dardanus” daton nga shekulli i dytë. Epitafi në sarkofagun e zbuluar përmban emrin e Epikratusit, bashkëshortes së tij dhe tre djemve të tyre, ku djali të tretë i kishin dhënë emrin Dardanus. Nëna e Dardanusit ishte skllave dhe dy djemtë e saj të cilët i lindi para se të lidhtë martesë me Epikratusin, po ashtu lirinë e fituan më vonë. Pas kurorëzimit Epikratusi u bë edhe më një djalë, të cilin e quajti Dardanus. I pari nga tre djemtë e Ekipratusit që lindi i lirë.