Qeset me nikotinë shiten me të madhe në RMV, s’janë të rregulluara me asnjë ligj përkundër rreziqeve
Qeset me nikotinë që konsumohen duke i vendosur nën buzë, të njohura ndryshe si ‘bomba nikotine’ për shkak se kanë përqendrim tejet të lartë të nikotinës po bëhen përditë më popullore në mesin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut përkundër faktit që ky produkt dhe mënyra e përdorimit të tij, nuk është e rregulluar […]
Qeset me nikotinë që konsumohen duke i vendosur nën buzë, të njohura ndryshe si ‘bomba nikotine’ për shkak se kanë përqendrim tejet të lartë të nikotinës po bëhen përditë më popullore në mesin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut përkundër faktit që ky produkt dhe mënyra e përdorimit të tij, nuk është e rregulluar me asnjë ligj në vend ndërsa rreziqet nga përdorimi janë të shumta, shkruan Portalb.mk.
Për 500 denarë dhe në një shitore shumë afër shkollës fillore ‘Kirili dhe Metodi’ në Tetovë, gazetari i Portalb bleu këtë produkt dhe bisedoi me shitësen.
“Përdoret nga të gjithë, të të them drejt, se kam idenë nëse lejohet t’ju shitet minorenëve, por ata e blejnë, ju duket interesant”, tha shitësja.
Produkti nga ana tjetër në të gjitha anët e tij paralajmëron përdoruesit se është i rrezikshëm, krijon varësi dhe potencialisht mund t’ju shfaqen disa simptome.
“Të përziera, marramendje, të vjella, ethe, dobësi dhe humbje e ndjesisë në trup” janë disa prej simptomave të mundshme nga konsumimi i këtij produkti.
Përkundër që qëllimi kryesor i prodhimit të qeseve me nikotinë është t’ju ndihmojë personave të varur nga duhani të heqin dorë, dukshëm për shitësit e këtij produkti ‘target’ nuk janë këta persona, por minorenët dhe të rinjtë.
Kjo dëshmohet me faktin që qeset me nikotinë shiten edhe në bufenë e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Kirili dhe Metodi”, ku Ilina Banova është studente. Ajo për Portalb-in thotë se është skandaloze që ky produkt gjendet në bufenë e një universiteti publik.
“Po, ne mund të jemi mbi 18 vjeç në universitet. Por, a na bën ky fakt të vetëdijshëm për pasojat e këtij produkti? Nuk jam e sigurt. Pa marrë parasysh se çfarë thotë ligji, shitja e këtij produkti në bufetë universitare nuk është etike, të rinjve duhet t’ju thuhet se këto praktika janë të dëmshme dhe krijojnë varësi, jo t’ju ofrohen, edhe në fakultet”, tha Banova.
Mësojmë se Kuvendi Studentor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” ka realizuar një pyetësor me pyetjen nëse duhet lejuar që këto produkte të shiten në bufetë e fakulteteve, pjesa dërmuese e studentëve janë përgjigjur me ‘Jo’.
Banova kërkoi që “të reagojnë edhe institucionet si dhe administratat e fakulteteve, në vend që të ketë fushata për të rritur ndërgjegjësimin për dëmet që shkaktojnë këto produkte, ne vazhdojmë t’I lejojmë të qëndrojnë në rafte të dukshme brenda bufeve”.
Mjeku toksikolog për Portalb: Të ndalohet shitja e këtij produkti në kioska, të mund të blihet vetëm me recetë mjekësore
Niko Bekjarovski është mjek specialist i toksikologjisë, ai tha se ky produkt përmban nikotinë shumë më shumë se sa një cigare, andaj pasojat nga përdorimi i tij nga ana e fëmijëve mund të jenë të larta.
“Bëhet fjalë për një produkt me përqendrim të lartë të nikotinës, qëllimi primar është lënia e duhanit dhe zëvendësimi i krizave abstinente të nikotinës. Meqë përqendrimi i nikotinës në një qese të tillë është disa herë më i lartë se ai që përmban një cigare, dëmet që mund të shkaktohen te personat e mitur janë shumë”, tha Bekjarovski.
Shtoi se “përdorimi i tij nga të miturit duhet të ndalohet dhe në paketim të specifikohet qartë se është i ndaluar për ta dhe se është i dëmshëm për shëndetin”.
Sipas mjekut Beqarovski, ky produkt në vendin tonë nuk përdoret fare për lënien e duhanit por për qëllime krejtësisht tjera. Andaj, propozon të ndalohet shitja e tij në kioske.
“Qëndrimi im personal, duke pasur parasysh që ky produkt te ne nuk përdoret fare për lënien e duhanit, është që ai të ndalohet për shitje të lirë në kioska dhe të jetë i disponueshëm vetëm në farmaci me recetë mjekësore për lënien e duhanit tek personat madhorë”, tha Bekjaorvski.
Aktualisht, qeskat me nikotinë ligjërisht mund t’iu shiten edhe fëmijëve, përkatësisht minorenëve nën moshën 18 vjeçe, pasi këto produkte nuk përmbajnë duhan, por vetëm nikotinë.
Si snusi, por ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon për kujdes
Dallimi mes produktit “snus” dhe “qeset me nikotinë” është te fakti që produkti snus përmban duhan ndërsa në Maqedoninë e Veriut me ligj është i ndaluar konsumimi dhe nxjerrja në treg duhanit për përdorim oral. Qeset me nikotinë nga ana tjetër përmbajnë nikotinë, e cila sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “mund të krijojë varësi“, sidomos nëse konsumohet nga fëmijët.
Sipas studimeve, ekspozimi ndaj nikotinës, sidomos përmes këtyre qeseve pasi përmbajnë sasi shumë të lartë, mund të shkaktojë efekte si marramendje, dhimbje koke, të përziera dhe ngërçe abdominale, veçanërisht te personat që zakonisht nuk pinë duhan.
Institucionet në huti, kërkojnë ndihmë nga njëra-tjetra
Marrë parasysh se bëhet fjalë për një produkt relativisht inovativ, institucionet në Maqedoninë e Veriut janë gjetur të ‘papërgatitur’. Qeset me nikotinë nuk përmenden në Ligjin për duhan, prodhime nga duhani dhe prodhime të ngjashme, si dhe në asnjë ligj tjetër.
Doganat e Maqedonisë për Portalb-in thanë se ata punojnë ashtu siç ju thonë institucionet përkatëse. Për produktin në fjalë, kanë pyetur institucionet se si të veprojnë, dhe kanë konstatuar bëhet fjalë për produkt të parregulluar ligjërisht.
“Importi i qeseve të nikotinës nuk është i ndaluar. Ky produkt nuk është i rregulluar dhe nuk është i përfshirë në ligj, as nuk është i mbuluar nga ndonjë rregullore tjetër ligjore. Ne i integrojmë masat e politikës tregtare bazuar në kërkesat e institucioneve përgjegjëse për kontrollin e produkteve specifike”, thanë nga Doganat e Maqedonisë.
Ata megjithatë kanë arritur të identifikojnë institucionin përgjegjës për kontrollin e qeseve të nikotinës, siç thonë “me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të rreziqeve, dhe kësisoj është ngritur nevoja për rregullimin e tregtimit të këtyre produkteve”.
Përkatësisht, Doganat e Maqedonisë kanë kërkuar nga institucionet kompetente të punojnë në rregullimin ligjor të këtij produkti. Deri atëherë, ky produkt do të importohet në vend, përkundër që s’ka asnjë rregullore për mënyrën e përdorimit ose tregtimit.
Edhe Inspektoratit të Tregut i nevojitet ndihmë dhe kohë
Kontaktuam edhe me Inspektoratin e Tregut, për të parë nëse ata kanë të drejtë të ndëshkojnë shitoret që ju shesin fëmijëve këto qese me nikotinë, por as ata s’e dinë se si duhet të veprojnë, ndihmë kanë kërkuar nga institucionet tjera.
“Aktualisht Inspektorati Shtetëror i Tregut po punon në zgjidhjen e këtij problemi dhe kemi dërguar disa kërkesa deri te institucionet përkatëse për të na dhënë mendim në lidhje me qeset me nikotinë”, thanë nga Inspektorati i Tregut.
Premtojnë që “do tu përgjigjemi pyetjeve gazetareske sapo të marrim përgjigje nga institucionet kompetente”. Deri atëherë, produkti do vijojë të shitet në mënyrë të pakontrolluar në vendin tonë.
Rregullim ligjor në MV kërkohet tash më shumë se 9 muaj
Më 26 mars të vitit 2024, Qeveria e Maqedonisë kishte miratuar nevojën fillimisht për të analizuar nëse qeset me nikotinë janë të sigurta për përdorim dhe më pas për rregullimin e tij ligjor.
Qeveria asokohe njoftoi se Ministria e Shëndetësisë duhet të përpilojë analizë me të cilën do të përcaktohet nëse qeset e nikotinës janë të sigurta për popullsinë në aspektin shëndetësorë toksikologjik dhe nëse produkti duhet të jetë në shtije të lirë në vend, ose gjatë aprovimit eventual në treg duhet të vihet ndalesë për shitje për personat më të ri se 18 vjet.
Përpos kësaj, qeveria e angazhoi Ministrinë e Bujqësisë që të formojë një grup pune me përfaqësues të disa institucioneve, për të përpiluar një analizë krahasuese të legjislacionit për problemet që lidhen me qeset e nikotinës në BE dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe të bëjë propozime për ndryshimin dhe plotësimin e rregulloreve në fushën më të cilën rregullohet siguria shëndetësore, qarkullimi, taksat dhe akcizat për qeset e nikotinës në shtet.
Rregullimi ligjor do të bazohej në analizën e Ministrisë së Shëndetësisë. Portalb-i mëson se mjekët të cilët kanë përpiluar këtë analizë, në mesin e të cilëve edhe Niko Beqarovski që e intervistuam më lartë, kanë dhënë mendim që produkti të mos shitet në kioske, por vetëm në farmaci, me recetë mjekësore.
Ministria e Bujqësisë nuk përgjigjet për Portalb nëse kanë përgatitur ndonjë raport.
BE-ja po përgatitet për rregullimin e “qeseve të nikotinës”
Siç rritet vëllimi i tregut të qeseve të nikotinës, administrata e BE-së po përgatit ngadalë terrenin për rregullimin e shitjes së tyre. Analisti i agjencisë së kërkimeve investive “Morningstar”, Filip Goram, beson se me rregulloren e re të BE-së, produktet e nikotinës do të trajtohen njësoj si produktet e duhanit.
Kjo mundësi mbështetet nga opinioni i Komisares Evropiane për Shëndetësi, Stella Kiriakides, sipas së cilës popullariteti në rritje i “qeseve të nikotinës” shkakton “shqetësime serioze për shëndetin publik”.
Një raport i Institutit Federal Gjerman për Vlerësimin e Rrezikut thotë se nikotina “ka efekte të forta në sistemin kardiovaskular” dhe se “qeskat e nikotinës” përbëjnë një rrezik të lartë për fëmijët, gratë shtatzëna dhe ato në laktacion dhe njerëzit me sëmundje kardiovaskulare.
Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu janë të ndarë ekspertët nëse duhet të ndalohet krejtësisht importi dhe tregtimi i këtyre produkteve, ose duhet vetëm të rregullohen ligjërisht, që të mund të blihen vetëm në barnatore me recetë mjekësore.