Në afat të pacaktuar, banorët do të jenë pa ujë në rrugën ‘Boris Kidriç’ në Tetovë për shkak të rikonstruimit të rrugës

Qytetarët që jetojnë përgjatë rrugës Boris Kidriç në Tetovë do të kenë ndalesë të ujit deri në një kohë të pacaktuar për shkak të punimeve që po kryhen në rrugë. Rikonstruimi i rrugës është planifikuar që të përfundojë në fund të janarit 2025, Komuna e Tetovës dha detaje nga projekti për Portalb.mk. Ndërmarrja Publike Komunale […]

Nëntor 20, 2024 - 18:00
 0  6
Në afat të pacaktuar, banorët do të jenë pa ujë në rrugën ‘Boris Kidriç’ në Tetovë për shkak të rikonstruimit të rrugës
Punimet në rrugën "Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët që jetojnë përgjatë rrugës Boris Kidriç në Tetovë do të kenë ndalesë të ujit deri në një kohë të pacaktuar për shkak të punimeve që po kryhen në rrugë. Rikonstruimi i rrugës është planifikuar që të përfundojë në fund të janarit 2025, Komuna e Tetovës dha detaje nga projekti për Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” njoftoi të gjithë banoret, subjektet afariste që jetojnë dhe veprojnë në rrugën Boris Kidriç se:

“Do të ketë ndalesë të ujit deri me një kohë të pacaktuar për arsyen e instalimit të rrjetit të ri”.

Punimet në rrugën "Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Punimet në rrugën “Boris Kidriç” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024.

Të pyetur nga Portalb.mk Komuna e Tetovës ndau detaje të projektit. Afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizojë punimet, që i bie se rruga duhet të jetë gati në fund të shkurtit 2025.

“Ky projekt deri në përfundim, do të kushtojë 12.021.307 denarë dhe gjithashtu projekti në fjalë ka leje ndërtimi nga ana e Komunës së Tetovës. Në këtë rrugë, do të vendosen gypa të rinj dhe në të dyja anët do të ketë trotuar, ndërsa sa i përket kanalizimit dhe ujërave të zeza, janë funksional dhe në gjendje të mirë. Gjithashtu, në këtë rrugë do të ketë ndriçim publik dhe parkingje në të dyja anët”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kështu pritet të duket kjo rrugë sipas projektit ideor pas përfundimit.

Për ndërtimin e rrugës Boris Kidriç është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.