Përveç Grubit dhe Bajramit, nën hetim për keqpërdorimet në Lotarinë e RMV-së është edhe një ish-kryeministër

Mëngjesin e sotëm policia ka bastisur disa shtëpi për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Policia ka bastisur shtëpitë e ish zv/kryeministrit Artan Grubi dhe shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, transmeton Portalb.mk. Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, siç ka njoftuar […]

dhjetor 16, 2024 - 20:00
 0  5
Përveç Grubit dhe Bajramit, nën hetim për keqpërdorimet në Lotarinë e RMV-së është edhe një ish-kryeministër
Artan Grubi, Përparim Bajrami, foto kolazh Portalb.mk

Mëngjesin e sotëm policia ka bastisur disa shtëpi për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Policia ka bastisur shtëpitë e ish zv/kryeministrit Artan Grubi dhe shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, transmeton Portalb.mk. Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, siç ka njoftuar qysh mbrëmë vet ai, ndodhet për vizitë familjare në Kosovë. Në shtëpi nuk është gjetur as i dyshuari Përparim Bajrami.

Toshkovski: kush ka bërë krim do të përgjigjet, pa dallim se, a ka qenë ish kryeministër apo zv/kryeministër

 

Në konferencën e sotme për media, ministri Pançe Toshkovski bëri të ditur detaje rreth aksionit në fjalë. Ai tha se janë ngritur kallëzime penale kundër tetë personave, njëri prej të cilëve ish-kryeministër, ish-zëvendëskryeministër, një ish-drejtor i një personi juridik dhe një ish-sekretar të përgjithshëm.

“Dy nga personat nuk janë në dispozicion të organeve të zbatimit të ligjit,” tha Toshkovski. Ai veçoi lëshimet e bëra nga disa policë kufitar, gjatë ditës së djeshme në orët e hershme dhe për të njëjtit ka hetim. “Nuk do të doja të supozojë se di si do rrjedh procedura, personalisht mendoj se nuk është vepruar si duhet dhe është bërë gabim gjatë kontrolleve kufitare”, deklaroi Toshkovski.

“Ka mbaruar koha “siç ka qenë deri më tash”, kush ka bërë krim do të përgjigjet, pa dallim se, a ka qenë ish kryeministër, apo zv/kryeministër”, tha më tutje ministri Toshkovski.

 

PTH: Të dyshuarit kanë dëmtuar buxhetin në shumë prej mbi 500 milionë denarë

 

Edhe Prokuroria nga ana tjetër ka dalë me informacione më të detajuara për rastin. Sipas saj, dy persona  dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Në bazë të kallëzimeve penale nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare, është zhvilluar një procedurë para hetimore në kuadër të së cilës janë ndërmarrë disa veprime, ndërsa mëngjesin e sotëm, me urdhër të gjykatës përkatëse, janë kryer bastisje në nëntë lokacione në Shkup dhe në Kumanovë me qëllim të sigurimit të provave për nevojat e procedurës. Bastisjet janë kryer nga pjesëtarë të MPB-së, nën udhëheqjen e prokurorëve publikë kompetentë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, nga provat e mbledhura ka dyshime të bazuara se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në Shoqërinë ShA për Organizimin e Lojërave të Fatit “Llotaria Shtetërore” e RMV, gjatë vitit 2023, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre të veçanta, kanë marrë pjesë bashkërisht në veprime të shkaktimi të dëmit në shoqërinë aksionare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për tjetrin, i cili llogaritet në shumë të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare.

“I dyshuari i parë e ka kryer veprën në cilësinë e kryetarit të Bordit Drejtues – Drejtor i përgjithshëm i “Lotarisë Shtetërore”, ndërsa i dyshuari i dytë ka ndërmarrë veprime në cilësinë e personit përgjegjës – kryesues i seancës së Qeverisë të mbajtur në cilësinë e kuvendit të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Katër të dyshuarit e mbetur ishin kryetar dhe anëtarë të komisionit për dy thirrje publike të ndara, të cilët dyshohen se kanë keqpërdorur kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike edhe pse e kanë ditur se një procedurë e tillë në rastet konkrete nuk duhet të bëhet, pasi nuk plotësoheshin kushtet ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

 

Policia financiare: I denoncuari P.B. gjatë vitit 2023 i ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare

 

Drejtoria e Policisë Financiare nga ana tjetër, ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,

“I denoncuari P.B. në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit, Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë vitit 2023 i ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare. Edhe pse ishte i vetëdijshëm dhe e dinte se SHA Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra fati elektronike dhe në internet, P.B. mori vendim për realizimin e një prokurimi publik deri në 1100 terminale video lotarie me pajisje periferike, nga të cilat 825 terminale video lotarish janë blerë gjatë vitit 2024. Me këtë procedurë, P.B. e ka dëmtuar buxhetin e shoqërisë aksionare në vlerë të përgjithshme prej 501.319.119 denarë, me çka ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni. 353 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Policia Financiare.

Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.

Ndryshe, me ndryshimet në Kodin Penal që u sollën gjatë qeverisjes së BDI-së, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kujtojmë se Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit.