Në Gjykatën Penale vazhdon sot gjykimi për vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit

Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit me dëshminë e të akuzuarit Vlatko Keshishev, i cili duhet të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve tjerë. Sipas njoftimit, pas dëgjimit të Keshishevit, duhet të dëshmojnë babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe Ljupço Palevski, transmeton […]

Prill 7, 2025 - 12:00
 0  10
Në Gjykatën Penale vazhdon sot gjykimi për vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit
Ljupço Palevski Palço. Foto printscreen nga video e Skopje1.mk

Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit me dëshminë e të akuzuarit Vlatko Keshishev, i cili duhet të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve tjerë. Sipas njoftimit, pas dëgjimit të Keshishevit, duhet të dëshmojnë babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe Ljupço Palevski, transmeton Portalb.mk.

Në seancën e fundit, Keshishev tha se Pançen dhe Vanjan i ka parë për herë të parë pas postimeve në Facebook për zhdukjen e tyre. Ai ka dëshmuar për rrëmbimet e tyre dhe sipas përgjigjeve të tij ka luajtur kryesisht rolin e “rojtarit”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit publik që kishin të bënin me komunikimet me të akuzuarit, motivet e të pandehurit dhe vetëdijen për seriozitetin e situatës, Keshishev pranoi se ishte nën ndikimin e Ljupço Palevskit, por pretendoi se nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e tij.

Në pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë, Keshishev dha detaje për lëvizjet e të akuzuarve në ditën e vrasjes së Pançe Zhezovskit dhe theksoi se për babanë e Vanjës për herë të parë ka kuptuar kur është marrë në paraburgim.

Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i viktimës Pançe Zhezovski në Veles, megjithatë, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij “Citroen” për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator 2024. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.