Në Kriva Reka është derdhur lëng i rrezikshëm me metale të rënda, 200 mijë euro gjobë për minierën që shkaktoi ndotjen
Pas incidentit të ndodhur më 14 mars, një inspektor mjedisor i minierës “Toranica” ka bërë inspektim ditën e aksidentit dhe ka konstatuar se ka pasur vetëm turbullira, gjegjësisht ndotje mekanike. Mirëpo, për shkak të reagimeve të ashpra dhe shqetësimeve të popullatës, kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, angazhoi një laborator privat dhe të […]


Pas incidentit të ndodhur më 14 mars, një inspektor mjedisor i minierës “Toranica” ka bërë inspektim ditën e aksidentit dhe ka konstatuar se ka pasur vetëm turbullira, gjegjësisht ndotje mekanike. Mirëpo, për shkak të reagimeve të ashpra dhe shqetësimeve të popullatës, kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, angazhoi një laborator privat dhe të pavarur për marrjen e mostrave nga Kriva Reka, i cili konfirmoi derdhjen e një lëngu të rrezikshëm në ujërat e lumit me prani alarmante të metaleve të rënda: plumb, arsenik, cianid…të cilat janë kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve, pasoja afatgjata dhe dëmtime në ekonomitë bujqësore, kulturat bujqësore dhe frutat në komunat Kriva Pallankë dhe Rankovcë, transmeton Portalb.mk.
Komuna e Kriva Pallankës ka thirrur sot konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën do të pranojnë se nga miniera “Toranica-bulmak” në Kriva Rekë ka rrjedhur cianidi. Pritet që të ketë pasoja afatgjata për të mbjellat e komunës fqinje të Rankovcës.
Eko-aktivistët u kanë bërë presion prej kohësh autoriteteve lokale që ta pranojnë këtë pasi një tub shpërtheu në pjesën e flotacionit të një prej minierave më të mëdha të plumbit dhe zinkut në vend më 14 mars, duke derdhur një lëng të rrezikshëm. Alarmi u ngrit pasi lumi u bë i vrenjtur dhe gri.
“Ju ftojmë në konferencën për media të kryetarit të komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, me rastin e aksidentit, gjegjësisht incidentit me derdhjen e lëngut të rrezikshëm nga miniera “Toarnica-Bulmak” në ujërat e Kriva Rekës, e cila ka ndodhur më 14 mars dhe ka shkaktuar turbullirë dhe ndotje të madhe të ujit, si dhe prezantimin e analizave të marra nga mostrat e marra nga ujërat e Kriva Rekës”, njoftuan nga atje.
Një tub i thyer nga pjesa e flotacionit të minierës “Toranica-Bulmak” ka derdhur një lëng të rrezikshëm që ka përfunduar në ujërat e Kriva Rekës. Eko-aktivistët kanë alarmuar për incidentin mjedisor pasi kanë vërejtur se lumi ka qenë i turbullt dhe i hirtë, andaj kanë bërë presion në komunën e Kriva Pallankës që për incidentin mjedisor ta njoftojë publikun. Ata përgjigjen se pas ngjarjes një inspektor mjedisor i minierës ka bërë kontroll ditën e aksidentit dhe ka konstatuar se ka pasur vetëm turbullira, pra ndotje mekanike.
“Më datë 14.03.2025 (e premte), në minierën “Toranica” ka ndodhur një incident i rrjedhjes së ujit teknologjik, i cili përdoret në procesin e flotimit të mineralit të plumb-zinkut. Incidenti ndodhi midis orës 6:30 dhe 7:00 të mëngjesit, për shkak të plasjes së një tubi përmes të cilit uji i procesit sillet nga rezervuari i vendosjes së ujit të gropës në impiantin e flotacionit. Ky ujë nuk përmban agjentë kimikë, pasi kullohet përpara se të hyjë në impiantin e flotacionit. Ai përmban vetëm papastërti mekanike, domethënë uji është i turbullt. Ndërkohë është rregulluar defekti dhe është ndalur rrjedhja e ujit – thuhet në raportin e inspektimit të inspektorit mjedisor të minierës, të cilin e ka dorëzuar në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit”, shkruan “Veçer”.
Mirëpo, për shkak të reagimeve të furishme dhe shqetësimeve të popullatës, kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, angazhoi një laborator privat dhe të pavarur për marrjen e mostrave nga Kriva Reka, me qëllim që, siç thonë ata, “të vërtetohen dëmet dhe pasojat e aksidentit të madh”.
Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit, njoftoi sot se pas inspektimit të jashtëzakonshëm më datë 24.03.2025, nga ana e Inspektoratit të Shtetëror të Mjedisit, është konstatuar se BULMAK 2016 SHPKNJP Probishtip filiali Miniera Toranica, Kriva Pallankë, sipas nenit 212-ë paragrafit (1) pikës 16, paragrafit (2) të Ligjit për Mjedisin, është kryer kundërvajtje e kategorisë së tretë me të cilën kryesi i lartpërmendur është dakorduar që të fillojë procedurën e negocimit në përputhje me Ligjin për Mjedisin para Komisionit për marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“Në fakt, sipas raportimit të BULMAK-ut në 14.03.2025, në periudhën nga ora 06:30 deri në ora 07:00, ka ndodhur një incident për shkak të plasjes së tubit përmes të cilit uji teknologjik sillet nga pastruesi i ujit të gropës në impiantin e flotacionit, ujë që nuk përmban kimikate sepse është kulluar para se të futet në impiantin e flotacionit dhe përmban vetëm papastërti mekanike, pra është i turbullt. Bulmak raportoi se ndërkohë është rregulluar defekti dhe është ndalur rrjedhja e ujit. Me nënshkrimin e këtij procesverbali, kryesi pajtohet që të fillojë procedurën e negocimit në pajtim me nenin 212-ç të Ligjit për Mjedisin. Gjoba kundërvajtëse e paraparë për tregtarët e mëdhenj, sipas regjistrimit në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, në këtë rast për personin juridik është maksimale dhe është në vlerë prej 180.000 deri në 200.000 euro në kundërvlerë të denarit, gjegjësisht maksimum 10.000 euro në kundërvlerë në denarë për personin përgjegjës”, thonë nga Ministria e Mjedisit.