Në Likovë, familja Shukriu vazhdon të përballet me rrezik serioz për shkak të çarjes së tokës që ka dëmtuar dhe ndarë oborrin e tyre
Qeveria ia lë në kompetencë të Komunës së Likovës zgjidhjen e rastit të familjes Shukriu nga Likova, shtëpia e së cilës rrezikohet nga çarja e tokës. Për këtë rast televizioni Alsat ka raportuar më herët, ndërsa edhe sot nuk ka zgjidhje konkrete në terren. Çarja e tokës që ka ndarë në dysh oborrin e familjes […]
Qeveria ia lë në kompetencë të Komunës së Likovës zgjidhjen e rastit të familjes Shukriu nga Likova, shtëpia e së cilës rrezikohet nga çarja e tokës. Për këtë rast televizioni Alsat ka raportuar më herët, ndërsa edhe sot nuk ka zgjidhje konkrete në terren. Çarja e tokës që ka ndarë në dysh oborrin e familjes vazhdon të zgjerohet, duke rrezikuar seriozisht shtëpinë dhe objektet përreth. Agim Shukriu thotë se po jetojnë në frikë të vazhdueshme dhe pa siguri për jetën e tyre.
“Krejt shtëpia po qëndrojmë me frikë në shtëpi, pak gjumë, pak roje… lopët i kemi nëpër shtëpi të huaja, tash jemi kthyer në vendin tonë… gjithnjë me frikë kur hyjmë brenda, se mund të bëhet edhe më shumë dëm, mund të na zërë muri, mund të rrënohet gjithçka… Sa më shpejt shteti të marrë masa, nuk shkon jeta kështu,” tha Agim Shukriu, banor i Likovës.
Nga Komuna e Likovës më herët deklaruan për Alsat se kanë ndërmarrë masa fillestare dhe kanë ndarë mjete për ndërhyrje emergjente, ndërsa kanë kërkuar edhe mbështetje financiare nga Qeveria për një zgjidhje afatgjate. Sipas komunës, kërkesa me të gjitha detajet dhe elaboratin i është dërguar Qeverisë për mbështetje financiare, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Komuna i bën thirrje Qeverisë që seriozisht ta trajtojë këtë problem, me qëllim parandalimin e rrezikut për familjen dhe banorët e tjerë që jetojnë në vendin e quajtur “Uji i Thatë”.
Por nga Qeveria thonë se menaxhimi i situatave të tilla është përgjegjësi e pushtetit lokal. Sipas tyre, Komuna e Likovës ka përfituar mjete të konsiderueshme për projekte infrastrukturore në vitet e fundit.
“Kujtojmë se Komunës së Likovës, Ministria e Pushtetit Lokal dhe ministritë përkatëse i kanë ndarë mjete për projekte infrastrukturore, edhe atë në vitin 2024 mbi 55 milionë denarë dhe në vitin 2025 mbi 185 milionë denarë, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët. Nga ana tjetër, komuna ka paraqitur kërkesë për ndihmë financiare, por pa një projekt konkret dhe të detajuar që do të mundësonte zgjidhje të qëndrueshme të këtij problemi,” thanë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Përgjegjësia për rastin në Likovë i takon Komunës, janë ndarë mbi 185 milionë denarë në 2025, mungon projekti konkret për zgjidhjen e problemit të rrëshqitjes së tokës – Qeveria
Ndërkohë, derisa institucionet shmangin përgjegjësinë, familja Shukriu vazhdon të jetojë nën rrezikun e shembjes së shtëpisë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente. /Alsat.mk