Në Ministrinë e re të Energjetikës në RMV do të paraqiten rreziqe nga korrupsioni, IDSC: Përbërja e re t’u kushtojë vëmendje të veçantë

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve shtetërore, katër ministri të reja hynë nën mbikëqyrjen e përbërjes së re parlamentare. Midis tyre, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale theksohet si më e rëndësishmja dhe me prioritet më të madh për Qeverinë e re. Është pikërisht rëndësia e energjisë dhe […]

gusht 10, 2024 - 09:00
 0  9
Në Ministrinë e re të Energjetikës në RMV do të paraqiten rreziqe nga korrupsioni, IDSC: Përbërja e re t’u kushtojë vëmendje të veçantë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve shtetërore, katër ministri të reja hynë nën mbikëqyrjen e përbërjes së re parlamentare. Midis tyre, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale theksohet si më e rëndësishmja dhe me prioritet më të madh për Qeverinë e re. Është pikërisht rëndësia e energjisë dhe burimeve natyrore shtetërore, si dhe përfitimet e mëdha financiare që koncesionarët arrijnë në këto sfera, që i bëjnë këto ministri të ndjeshme ndaj rrezikut, madje edhe në vendet me politika të zhvilluara mirë kundër korrupsionit, vlerësohet në dokumentin e Institut për Demokraci Societas Civilis me titull “Cilat rreziqe nga korrupsioni duhet të merren parasysh në Ministrinë e re të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale“, raporton Portalb.mk.

Cilat rreziqe nga korrupsioni duhet të merren parasysh në Ministrinë e re të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale?

Raportet e revizionit të Entit Shtetëror për Revizion (EShR) kanë theksuar në mënyrë të përsëritur dobësi të shumta në rregullimin dhe mbikëqyrjen e marrëveshjeve koncesionare, si dhe mungesën e një strategjie afatgjatë për shfrytëzimin optimal të burimeve ujore, energjetike, minerale dhe burimeve të tjera natyrore.

Raporti i fundit i revizionit për shfrytëzimin e burimeve minerale thekson se tarifat për burimet e shfrytëzuara nuk pasqyrojnë çmimet reale të tregut, prandaj në periudhën 2018-2022 shteti mblodhi vetëm 1% të të ardhurave të realizuara nga shitja e koncesionarëve të mermerit, gjë që krijon hapësirë për dyshime për veprimtari korruptive.

Përveç kësaj, në të kaluarën, ka pasur një sërë polemika në proceset për lëshimin dhe më vonë revokimin e koncesioneve dhe lejeve për funksionimin e minierave Ilovicë dhe Kazandol, gjë që ka treguar se parregullsitë në rregullimin dhe në procesin e vendimmarrjes mund të rezultojnë në mosmarrëveshje dhe dëmtime të konsiderueshme për vetë shtetin.

Termocentrali elektrik “Negotinë”, sektori energjetik është shkaktar kryesor i gazrave serë në vendin tonë; Foto: Meta.mk
Termocentrali elektrik “Negotinë”, sektori energjetik është shkaktar kryesor i gazrave serë në vendin tonë; Foto: Meta.mk

IDSCS thekson se rreth punës së ministrisë së re do të paraqiten një sërë rreziqe nga korrupsioni, të cilave përbërja e re parlamentare duhet t’u kushtojë vëmendje të veçantë, edhe atë:

Rritja e lobimit të huaj dhe vendas: Është mjaft e pritshme që koncesionarët përmes përfaqësuesve të lobit të ushtrojnë ndikim të padrejtë ndaj zyrtarëve të ministrisë dhe deputetëve, gjë që do të çojë në vendime të dobëta ekonomike ose ligje që favorizojnë interesat private mbi mirëqenien publike. Ekziston gjithashtu rreziku i korrupsionit në organet kompetente rregullatore dhe mbikëqyrëse, puna e të cilave mund të favorizojë individë ose grupe të caktuara, të cilat do të kompromentojnë interesat shtetërore dhe burimet kombëtare;

Konflikti i interesit: Ekziston rreziku që zyrtarët në ministrinë e sapokrijuar ose zyrtarët e lartë, ose persona të lidhur me ta, të kenë përfitime financiare personale në kompanitë dhe koncesionet, punën e të cilëve ata mbikëqyrin, që do të kontribuojë në vendimmarrje të njëanshme;

Burimet e dobëta njerëzore dhe materiale në ministri: Organet që u bashkuan me ministrinë e re kanë një numër të vogël punonjësish që pritet të kryejnë mbikëqyrje inspektuese mbi punën e koncesionarëve dhe zbatimin e kontratave, që do të kontribuojë në mungesën e kontrolleve të hollësishme, që nga ana tjetër do të rrisë më tej gjasat e aktiviteteve korruptive brenda vetë ministrisë.

Vëmendje e veçantë gjatë miratimit të ligjeve

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij sektori, përbërja e re parlamentare pritet të jetë veçanërisht e kujdesshme gjatë miratimit të ligjeve që lidhen me punën e ministrisë së re.

“Kështu, ata duhet të avokojnë paraqitjen e rregullt për Vlerësim të Ndikimit të Rregullativës (VNR) dhe Vlerësimi të Legjislacionit Kundër Korrupsionit (VLKK) së bashku me propozim-ligjet. Paralelisht, deputetët duhet të organizojnë debate dhe konsultime të rregullta publike me ekspertë dhe sektorin civil, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e ligjeve që janë të analizuara mirë, transparente dhe në interesin më të mirë të publikut”, thuhet në dokument.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Deputetët e rinj duhet t’i përmbahen detyrimit ligjor për të njoftuar Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për të gjitha rastet e lobimit nga palët e treta gjatë proceseve të ndryshimeve legjislative. Kuvendi ka për detyrë të kërkojë të njëjtën gjë nga përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv.

Njëkohësisht, Kuvendi pritet të marrë parasysh rregullisht dhe të diskutojë për të gjitha raportet përkatëse të revizionit të EShR-së me qëllim që të perceptojë të gjitha lëshimet dhe mangësitë në funksionimin e ministrisë, veçanërisht në mbledhjen e kompensimeve koncesionare.

“Së fundi, duke pasur parasysh burimet e kufizuara njerëzore, është e rëndësishme që deputetët të angazhohen dhe të jenë të hapur për shpërndarjen e burimeve financiare shtesë për të rritur kapacitetet e inspektorateve. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij sektori, deputetët gjithashtu duhet të kërkojnë nga qeveria një strategji për krijimin e stafit të ri profesional dhe të trajnuar mirë për nevojat e ministrisë”, thuhet në dokument.

Ministria e re e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, thuhet më tej, ka potencial të sjellë përfitime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ekzistojnë rreziqe të rëndësishme të korrupsionit që duhet të adresohen në mënyrë proaktive. Deputetët kanë rol kryesor në sigurimin e integritetit dhe transparencës së ministrisë duke miratuar ligje dhe masa të përshtatshme mbikëqyrëse. Kjo do të sigurojë që ministria të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe që burimet natyrore të vendit të menaxhohen me përgjegjësi dhe qëndrueshmëri.

Dokumenti në fjalë është pjesë e projektit “Nxitja e debatit mbi llogaridhënien dhe anti-korrupsionin”, i cili synon të kontribuojë në proceset e reformave në Maqedoninë e Veriut duke forcuar rolin e Kuvendit në luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e reformave në sundimin e ligjit, duke mundësuar dialogun midis partive dhe të rinjve, si dhe midis deputetëve dhe shoqërisë civile.

Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit të 8 qershorit, miratoi ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat nga 16 do të bëhen 20 ministri. Këto propozime erdhën nga kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski.