Në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona, Toshkovski thotë se janë të lidhur me terrorizëm

Katër persona, për të cilët autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë dyshime të bazuara se planifikonin të organizonin ngjarje që do të rrezikonin sigurinë e Maqedonisë dhe vendeve të tjera, janë arrestuar sot në mëngjes në një aksion policor të zhvilluar në Strugë dhe Gostivar, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, transmeton Portalb.mk. […]

dhjetor 15, 2024 - 19:00
 0  6
Në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona, Toshkovski thotë se janë të lidhur me terrorizëm
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Katër persona, për të cilët autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë dyshime të bazuara se planifikonin të organizonin ngjarje që do të rrezikonin sigurinë e Maqedonisë dhe vendeve të tjera, janë arrestuar sot në mëngjes në një aksion policor të zhvilluar në Strugë dhe Gostivar, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se janë kryer bastisje në disa lokacione dhe se personat e përfshirë kanë qenë pjesë e organizatave terroriste, të cilët në bashkëpunim me persona jashtë vendit janë monitoruar nga organet kompetente të sigurisë për një kohë të gjatë dhe se për to është vepruar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të vendit.

“Kemi mjaft prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar me qëllim të organizimit të ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të kërcënojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët mund të vepronin në përputhje me qëllimet e tyre”, tha Toshkovski.

Të katër personat janë shtetas të Maqedonisë dhe gjatë ditës pritet të sillen para gjykatësit për procedurë paraprake.

“Vepra penale për të cilën është paraqitur kallëzim është organizatë terroriste dhe për motivet kemi dyshime të arsyeshme se janë të lidhur me grupe të caktuara që përkrahin grupe të caktuara ekstremiste dhe fetare”, tha ministri Toshkovski.

Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion kanë thënë për “Skopje1” se rasti është ende në procedim, po kryhen bastisje dhe po mblidhen provat. Detajet do të bëhen të ditura nesër. Ata tregojnë se janë në pritje të kallëzimeve penale, të cilat nuk i kanë marrë deri në këtë moment.

Kujtojmë se dy ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në periudhën në vijim, “sipas informacioneve që kam, do të ketë dhjetëra raste të tilla”, duke iu referuar aksionit policor “Aditiv”, ku u arrestuan dhjetëra persona.

Ndryshe, në aksionin e koduar “Aditiv”, i cili u krye me 10 dhjetordyshohen gjithsej 23 persona, disa prej të cilëve ish-drejtorë të ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM), REK “Manastiri” dhe REK “Oslomej”.

Siç njofton Prokuroria, në periudhën prej datës 13.4.2023 deri më 23.8.2024, disa nga të dyshuarit në cilësinë e tyre si zyrtarë në SHA EMV dhe SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut”, kanë krijuar një grup që kishte për qëllim kryerjen e akteve kriminale dhe shpërdorimit të procedurës së prokurimit publik, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat, shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe pastrimit të parave dhe produkteve të tjera nga një vepër penale e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit. 273 i Kodit Penal.

Të dyshuarit, përmes kompanive të tyre, të cilat më herët i kishin riregjistruar, janë marrë vesh mes tyre që të trukojnë procedurat për prokurimin e aditivit të thëngjillit për nevojat e SHA EMV – Rek “Manastir” dhe Rek “Oslomej”.

Dëmi nga veprat kriminale dhe korruptive llogaritet në rreth 6.5 milionë euro.

Në mesin e të dyshuarve ishin edhe emrat e dy ish-drejtorëve të EMV-së, Vasko Kovaçevski dhe Vasko Stefanov.

Stefanov ka qenë jashtë vendit ditën e shpalljes së operacionit, por ai është kthyer, pas së cilës është arrestuar dhe aktualisht po vuan masën e paraburgimit, së bashku me tetë të dyshuar të tjerë.

Paraardhësi i tij si drejtor i EMV-së, Vasko Kovaçevski, është ende i padisponueshëm për organet e zbatimit të ligjit, sepse ndodhet jashtë vendit. Ndryshe, siç u tha të mërkurën në konferencën me gazetarë në Prokurorinë Publike të RMV-së, nuk ka dëshmi se ai ka qenë pjesë e organizatorëve të grupit dhe dyshohet për veprën penale të kryerjes së detyrës nga pakujdesia.

Mes të dyshuarve janë EDHE: Pece Matevski, Ardian Muça, Danço Stojanovski, Maja Jordanova, Nebojsha Stojanoviq.