Për avancim të gjuhës shqipe duhen ndryshime kushtetuese, por me VMRO-në s’ka dritë në fund të tunelit
Nuk mund të ri-emërtohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve (gjuhës shqipe) dhe as avancohet i njejti nëse nuk ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Faktori politik shqiptar në pushtet zotohet se përpos heqjes së 20% që figuron në ligj, madje do të avancojë pozitën e gjuhës shqipe por është i paqartë për mënyrën […]


Nuk mund të ri-emërtohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve (gjuhës shqipe) dhe as avancohet i njejti nëse nuk ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Faktori politik shqiptar në pushtet zotohet se përpos heqjes së 20% që figuron në ligj, madje do të avancojë pozitën e gjuhës shqipe por është i paqartë për mënyrën se si do ta bëjnë këtë kur dihet se për hapjen e Kushtetutës duhen votat e partnerit të tyre qeverisës, VMRO-DPMNE, por, për të cilët ndryshimet kushtetuese janë vepër me shumë pikëpyetje, shkruan Portalb.mk.
Së fundmi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në emisionin Daily Click në TV21 tha se, gjuhë zyrtare në Maqedoni do të jenë gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe.
“Gjuhë zyrtare në Maqedoni do të jenë gjuha maqedonase dhe jo gjuha e 20% e atyre që jetojnë mbi 20% në Maqedoni, po gjuha shqipe”, tha Taravari.
Për liderin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, avancimi i gjuhës shqipe në gjuhë të barabartë me gjuhën maqedonase është proces.
“Nga aty ku kemi qenë, në atë që duam ta arrijmë, një barazi të plotë, sigurisht që kërkon një proces të përgatitjes së shoqërisë, një proces të përgatitjes së institucioneve dhe një proces pra të ndryshimeve hap pas hapi të Kushtetutës, ne në këtë rast po themi që fillimisht pra me me këto ndryshime kushtetuese do të largojmë pra këtë definicion, ne themi të papërshtatshëm për gjuhën shqipe në Kushtetutë dhe në fazën tjetër është implementimi dmth i Ligjit ekzistues, me ndryshimet kushtetuese, sigurisht pra do të bëhet Ligj për Gjuhën shqipe dhe jo si është tani, ligj për gjuhët. Implementimi i plotë i Ligjit për Gjuhën Shqipe që si një fazë paraprake deri sa ne të arrijmë barazi të plotë”, tha Kasami.
Ndërkaq, i pari i Lidhjes Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës – VLEN, Izet Mexhiti në një tubim partiak tha se VLEN do t’i mbarojë punët e lëna në gjysmë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Bisedojmë për stemën, bisedojmë për himnin, por bisedojmë për gjuhën shqipe…. Është koha e fundit! Shqiptarët nuk janë numra. Nuk janë 20%, por janë “gjuhë shqipe” dhe gjuhë zyrtare”, tha Mexhiti duke shtuar se bashkë me pjesëtarët e VLEN-it do “t’i mbarojnë punët e lëna përgjysmë nga BDI”, tha Mexhiti.
Mungon vullneti politik i partisë më të madhe në RMV
Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, ku VLEN sheh edhe zbatimin e politikave të tyre, nga VMRO- DPMNE nuk shohin hapësirë për hapje të Kushtetutës. Me t’u hapur tema e ndryshimit të stemës, dhe mundësisë që e njëjta të realizohet me një pako ndryshimesh, ku parashihen edhe intervenimet në himnin shtetëror dhe ligje tjera, VMRO- DPMNE ishte kategorike se nuk flitet për diçka tjetër, por vetëm për stemën shtetërore.
VMRO – DPMNE siguroi votuesit e saj, se përskaj ndryshimit të Stemës shtetërore nuk flitet për çështje tjera. “BDI- matrica e etnizimit të të gjitha çështjeve të rëndësishme dhe politika e ping-pongut të LSDM-së duhet të ndalet. Asnjëherë nuk është diskutuar për ndryshimin e himnit dhe as do të ketë në të ardhmen. Qytetarët mund të jenë të sigurt”, u theksua në reagimin e VMRO – DPMNE-së.
Rrjedhimisht, vet Arben Taravari, pranoi ditë më parë se pa VMRO-DPMNE, nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese.
“VMRO-ja duhet të bindet, sepse pa VMRO-në nuk mund të ndodhin ndryshime kushtetuese. Pra është e pamundur, nuk ka asnjë formulë që mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa pëlqimin e VMRO-së. Kryeministri me sa shoh unë është gati, por kërkon njëfarë garancie. Ne do të përpiqemi disi si VLEN dhe si pjesë e qeverisë ta përshpejtojmë këtë proces dhe të përpiqemi të bëjmë diçka sa më shpejt që të largohemi nga kjo situatë status quo“, tha Taravari.
Pas ndryshimeve kushtetuese, patjetër të ketë dispozita ligjore

Eksperti i së drejtës kushtetuese, profesori universitar Osmani Kadriu në një deklaratë për Portalb.mk, paralajmëroi se për t;u zyrtarizuar gjuha shqipe dhe për të mos u krijuar hapësirë për kontestim në kushtetuese, në Kushtetutën e RMV duhet të qëndrojë se gjuhë zyrtare në vend është edhe gjuha shqipe.
“Në radhën e parë që të çilet Kushtetuta duhet të bëhet intervenim në Kushtetutë, se gjuhë zyrtarë në Maqedoninë e Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe, konform Kushtetutës së Kosovës, e cila në këtë pikëpamje ka një dispozitë shumë të qartë – në Republikën e Kosovës gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.
Ai është decid se pas ndryshimeve të Kushtetutës, patjetër të përmirësohen edhe dispozitat tjera që kontestohen, se vallë me gjuhë zyrtare përfshihet e gjithë jeta publike, institucionet, ose të jetë e kufizuar.
“Kush mendon se nuk duhet të përdoret në gjihë institucionet vetëm në fusha të caktuara, nuk është në rregull, edhe kjo duhet të rregullohet në Kushtetutë. Kushtetutdhënësi duhet të parashikojë dispozitë të veçantë ku do të thuhet se obligohet ligjvënësi të miratojë ligj, jo për të garantuar gjuhën shqipë, atë e garanton Kushtetuta, por, për ta rregulluar aplikimin e saj, përdorimin e saj në praktikë. Prandaj, ligji patjetër duhet ndryshuar konform ndryshimit të Kushtetutës”, tha për Portalb, Kadriu.
Ndryshe, më 20 mars Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën përgatitore rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Kadriu pret debat të gjerë për ligjin.
“Do thirren pjesëmarrësit, inicuesit e iniciativave, ekspertë shqiptarë dhe maqedonas, pjesëmarrës edhe nga Komisioni i Venecias, por edhe ekspertë të huaj nga fusha e të drejtave të njeriut dhe të drejtës kushtetuese”, theksoi Kadriu.
Kujtojmë se, nga formimi i Qeverisë aktuale, nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, partitë shqiptare të përfshira në qeverisje kanë paralajmëruar ndryshime kushtetuese, fillimisht për t’u pozicionuar pro Bashkimit Europian, që si kusht kanë vendosur përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Vendit, e së fundmi edhe për zbatimin e politikave të VLEN dhe realizimin e zotimeve para elektoratit shqiptar.
- LEXO: RMV: Të dhëna dëshpëruese për eurointegrimet, vetëm 20 përqind e qytetarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese
- LEXO: Për kryeparlamentarin Gashi, gjuha shqipe nuk është zyrtare, edhe pse ai seancat e Kuvendit i udhëheq në dy gjuhë
- LEXO: Maqedoni, ja detajet çfarë përmban ligji për gjuhët (gjuhën shqipe)
- LEXO: Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve: Mos u bëni pjesë e skenarëve politikë, vendimet arbitrare cenojnë marrëdhëniet ndëretnike
- LEXO: BDI përsëri me letër ndaj ndërkombëtarëve, kërkojnë të parandalojnë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve i cili mund të krijojë trazira
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?