Nevzad Lutfiu: Serbia shkel ligjet e veta kur është fjala për interesat e shqiptarëve
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka bërë thirrje për adresimin e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë rajon, duke përmendur si një prej rasteve më shqetësuese emërimin e një serbeje në krye të Gjykatës së Preshevës. Lutfiu ka deklaruar për “Front Online” se jo vetëm emërimi i kësaj
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka bërë thirrje për adresimin e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë rajon, duke përmendur si një prej rasteve më shqetësuese emërimin e një serbeje në krye të Gjykatës së Preshevës.
Lutfiu ka deklaruar për “Front Online” se jo vetëm emërimi i kësaj figure, por edhe procedurat e tjera të konkurseve për pozita gjyqësore, janë shoqëruar me diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve.
“Jo vetëm në zgjedhjen e kryetares së Gjykatës, por edhe në konkurset e tjera të këtij institucioni, injorohen kuadrot shqiptare, ndërsa sjellin kuadro nga qytete të tjera të Serbisë”, tha Lutfiu.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar theksoi se ky diskriminim është shndërruar në një problem të madh, duke prekur kufijtë e racizmit.
“Për këto arsye ne kemi realizuar 3 protesta kohëve të fundit, sepse diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar i ka prekur kufijtë e racizmit”, shtoi Lutfiu.
Lutfiu shprehet se Serbia shkel ligjet e veta kur është fjala për interesat e shqiptarëve.
Ai theksoi se Ligji për gjykatës ndalon diskriminimin dhe kërkon kujdes të veçantë për përbërjen kombëtare të popullsisë, duke siguruar përfshirjen e pakicave dhe përdorimin e terminologjisë profesionale në gjuhën e tyre.
“Kur janë në pyetje interesat e shqiptareve Serbia shkel ligjet e veta. Gjatë propozimit për zgjedhjen e gjyqtarit dhe gjatë zgjedhjes së gjyqtarit është i ndaluar diskriminimi në çdo formë”, precizon Ligji për gjykatës, ku kërkohet të tregohet kujdes i veçantë në përbërjen kombëtare të popullsisë, përfshirjen e duhur të pakicave kombëtare dhe njohjen e terminologjisë profesionale juridike të gjuhës së pakicave kombëtare e cila është në përdorim zyrtar në atë Gjykatë”.
Lutfiu thotë se këto janë disa nga fushat që qytetarët e Luginës janë të diskriminuar, duke përmendur mos integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore.
“Pasivizimi i adresave, proces përmes së cilit Serbia po realizon spastrim etnik, mos integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore. E para po ulë numrin e shqiptarëve në Serbi e dyta po i detyron shqiptarët që si rezultat i mungesës së perspektivës të emigrojnë”, shprehet Lutfiu.