Nga e hëna, 55 autobusë privatë do të përfshihen në transportin publik të Shkupit

Duke filluar nga e hëna, 55 autobusë të rinj privatë do të fillojnë të qarkullojnë në rrugët e Shkupit me qëllim lehtësimin e transportit publik për banorët e Shkupit, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Përveç kësaj, në dy muajt e ardhshëm, ai tha se do të përfshihen edhe 20 autobusë të […]

Nëntor 7, 2025 - 19:00
 0
Nga e hëna, 55 autobusë privatë do të përfshihen në transportin publik të Shkupit

Duke filluar nga e hëna, 55 autobusë të rinj privatë do të fillojnë të qarkullojnë në rrugët e Shkupit me qëllim lehtësimin e transportit publik për banorët e Shkupit, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Përveç kësaj, në dy muajt e ardhshëm, ai tha se do të përfshihen edhe 20 autobusë të tjerë, që sipas tij do të thotë normalizim i transportit publik së bashku me 80 autobusë të rinj që pritet të mbërrijnë vitin e ardhshëm.

Jovica Zafirovski, përfaqësues i transportuesve privatë, tha se në periudhën e kaluar kanë punuar në rinovimin e flotës dhe se mund t’u përgjigjen nevojave të Qytetit të Shkupit.

“Në periudhën e ardhshme, do të punojmë në ndryshimin e orarit, i cili do të futet dhe respektohet në një kohë të shkurtër, dhe autobusët do të mbërrijnë në kohë, siç shkruhet në tabela”, tha ai.

Sipas tij, borxhi që Qyteti i Shkupit ka ndaj tyre është rreth 180 milionë denarë.

Gjorgjievski tregoi se javën e ardhshme do të ketë një takim tjetër me transportuesit për të rënë dakord për afatin e pagesave të rregullta për shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, ndërsa do të merren vesh edhe për orarin.

Lidhur me faktin se disa nga autobusët ende kanë targa të huaja, Zafirovski tha se ato duhet të kalojnë nëpër procedurën doganore, homologimin, të lyhen me të kuqe dhe të bardhë, dhe më pas të paraqesin kërkesë për licencë në Qytetin e Shkupit.

I pyetur nga gazetarët nëse është e nevojshme të publikohet shpallje për përfshirjen e transportuesve privatë në transportin publik dhe të ketë vendim nga Këshilli i Qytetit të Shkupit për linja të reja, Gjorgjievski nuk dha përgjigje specifike, por tha se deri më tani nuk janë nënshkruar licenca për operatorët privatë.

“Kjo ishte një pengesë për qytetarët që të kenë transport normal. Përveç kësaj, problemet që lidheshin me mospagesën ndaj tyre do të rregullohen javën e ardhshme pasi të bëhet një ndryshim në menaxhimin e NTP-së”, shtoi ai.

Një pjesë e autobusëve që do të përfshihen në transportin publik, tha Gjorgjievski, do të jenë në linja që do të operohen nga transportues privatë, ndërsa disa do të jenë të kombinuar.

Kryetari i Qytetit njoftoi se ribalancimi i buxhetit do të përfshijë edhe sistemin BRT, të cilin ai beson se është i nevojshëm në kombinim me alternativa të tjera për të zgjidhur kaosin e trafikut.

“Në një kombinim të autobusëve, trenave të qytetit dhe BRT, mendoj se shumë shpejt bashkëqytetarët tanë në qytetin e Shkupit më në fund do të marrin transport publik efikas dhe efektiv siç e meritojnë”, shtoi Gjorgjievski.

Pas informacionit të djeshëm se 371 persona ishin pushuar nga puna në ndërmarrjet publike, Gjorgjievski tha se numri sot është 398, dhe ai është i bindur se do të arrijë në 500.

“U bëra thirrje institucioneve të ndërhyjnë dhe të merren me këto raste dhe funksionimin e ndërmarrjeve publike, si u kryen abuzimet, si u siguruan materialet dhe pjesët rezervë që nuk nevojiteshin. Ndërsa gjysma e Shkupit nuk ka ujë të pijshëm, ka katër depo plot me materiale në ‘Ujësjellës dhe Kanalizime’”, tha Gjorgjievski.

Gjorgjievski tha se nuk do të ketë konkurse për pozicionet e personave që janë pushuar nga puna, sepse, siç tha ai, “kemi treguar se edhe pa to mund të funksionojë puna e qytetit”.

Propozimi që ai njoftoi se do t’ia paraqesë Këshillit është rikthimi i sistemit që lejon hedhjen e mbeturinave nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22 të mbrëmjes.

Gjorgjievski tha se dje e gjeti thesarin e qytetit me 40 milionë denarë dhe borxhe serioze, veçanërisht ndaj ndërmarrjeve publike.

Ndryshe, NTP kohëve të fundit u kërcënua nga transportuesitprivat pasi, kompania thoshte se NQP ka borxh mbi 10 milionë euro dhe ka fatura të papaguara për më shumë se dy vjet, gjë që, sipas tyre, është arsyeja kryesore pse u njoftua ndërprerja e furnizimit me karburant.