Maqedonia e Veriut: Treg i punës për burrat, paragjykime dhe nënpërfaqësim për gratë (Infografik)
Gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut dhe më pak të paguara se burrat. Këtë e vërtetojnë edhe të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipërmarrësja Qanije Selimi thekson se gratë ende përballen me diskriminim, stereotipa dhe mungesë të mbështetjes. Kurse nga organizata “Reactor” theksojnë nevojën për reforma […]


Gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut dhe më pak të paguara se burrat. Këtë e vërtetojnë edhe të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipërmarrësja Qanije Selimi thekson se gratë ende përballen me diskriminim, stereotipa dhe mungesë të mbështetjes. Kurse nga organizata “Reactor” theksojnë nevojën për reforma në arsim, rritjen e shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe zbatimin e politikave të barazisë gjinore, për të lehtësuar përfshirjen e grave në tregun e punës, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse ndër vite ka pasur ndryshime në pjesëmarrjen e burrave dhe grave në tregun e punës, gratë gjithnjë kanë qenë të nënpërfaqësuara.
Portalb.mk i vizualizoi këto të dhëna për vitet e kaluara.
Përfaqësimi më i ulët i grave në tregun e punës u regjistrua në vitin 2017. Ndërsa përfaqësimi më i lartë viteve të fundit i grave në tregun e punës u regjistrua në vitin 2020.
Që gratë dhe vajzat janë të nënpërfaqësuara në tregun e punës, e tregon edhe shkalla e aktivitetit të popullsisë sipas grup moshave, ku dallimi midis burrave dhe grave është shumë i vogël.
Ndërkaq, edhe atëherë kur janë të përfaqësuara, gratë shpesh paguhen më pak se burrat, edhe në punësimet me kohë të plotë dhe në ato me kohë të pjesshme.
Dallimet në të ardhura mund të shihen edhe në bazë të grupmoshave.

Paragjykime dhe sfida në një treg tradicionalisht të dominuar nga burrat
Sipërmarrësja Qanije Selimi për Portalb.mk theksoi se arsyeja kryesore për mungesën e grave në tregun e punës mbeten stereotipat gjinore, mungesa e përfaqësimit në pozita vendimmarrëse dhe sfidat e balancimit të përgjegjësive familjare.
“Balancimi i përgjegjësive profesionale dhe personale ka qenë gjithmonë një sfidë e rëndësishme. Përveç këtyre, diskriminimi në pagë dhe mungesa e mbështetjes strukturore për gratë sipërmarrëse mbeten pengesa të vazhdueshme”, tha Selimi.
Ajo theksoi se shpesh gratë në pozita drejtuese përballen me pritshmëri më të larta dhe duhet të provojnë aftësitë e tyre më shpesh se burrat, ndërsa vendimet e tyre shpesh vihen në dyshim në mënyrë të pashprehur.
Selimi apeloi që gratë që të besojnë në aftësitë e tyre, të kërkojnë mundësi për zhvillim profesional dhe mos të lejojnë që paragjykimet të përcaktojnë të ardhmen e tyre.
“Po ashtu rrjetëzohuni me mentorë dhe modele pozitive dhe mos të hezitoni të merrni përsipër role të rëndësishme, pavarësisht sfidave”, porositi ajo.
Nevojitet forcim i politikave për barazi gjinore në punësim
Për të avancuar barazinë gjinore në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut, është e domosdoshme të sigurohen programe të specializuara për mbështetje dhe aktivizimin e grave ekonomikisht joaktive, të shoqëruara me masa që lehtësojnë përfshirjes e tyre në tregun e punës. Kështu thanë nga organizata Reactor për Portalb.mk.
“Një nga prioritetet është reforma e arsimit dhe puna e vazhdueshme për të çrrënjosur stereotipat gjinore të thella që kufizojnë zgjedhjet profesionale të grave. Më tej, duhet investuar ndjeshëm në shërbime të disponueshme dhe cilësore për kujdesin e fëmijëve dhe personave të varur, që do t’u mundësonte grave të harmonizojnë më lehtë detyrimet familjare dhe profesionale. Paralelisht me këtë, është e nevojshme miratimi i rregullativës evropiane për balancimin e jetës profesionale dhe private, që do të thotë harmonizim i legjislacionit të punës”, thanë nga Reactor.
Ata shtuan se nevojitet edhe forcimi i politikave për barazi gjinore në punësim, përfshirë zbatimin efektiv të parimit të pagës së barabartë dhe masave kundër diskriminimit, si dhe promovimi i formave të përshtatshme të punës.
Ndryshe, një hulumtim i organizatës joqeveritare Hera dhe Ambasadës Britanike në Shkup, tregoi se më pak se 25 përqind e kompanive në vend menaxhohen nga gra. Nga të gjithë të punësuarit 38,3 përqind janë gra. Vetëm 19 përqind e punëdhënësve në vend janë gra. Burrat e rinj të punësuar janë 23 përqind, ndërsa numri i grave të reja të punësuara është rreth 12.4 përqind. Ndërsa vetëm 41 përqind e grave i plotësojnë kushtet për të siguruar pension shtetëror.
Hendekun gjinor në tregun e punës e ka përmendur vazhdimisht edhe Raporti i Progresit i BE-së për RMV-në.
- LEXO: Ngërçe të (pa)zgjidhura, RMV-ja nuk e fitoi betejën për barazi gjinore as në 2024
- LEXO: KE-ja e tha qartë në raport: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore
- LEXO: Gratë në Maqedoni, të ngecura midis paragjykimeve, diskriminimit dhe stereotipeve
- LEXO: ANALIZË: (Pa)barazia gjinore: gratë në krahasim me burrat sipas parave, fuqisë, dijes (Infografik)