Një serb dënohet me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Çedomir Aksiqin për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes. Gjykimi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999, raporton Betimi për Drejtësi. Në nëntor të vitit 2023 nisi gjykimi ndaj […]
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Çedomir Aksiqin për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes.
Gjykimi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999, raporton Betimi për Drejtësi.
Në nëntor të vitit 2023 nisi gjykimi ndaj Arsiqit.
Ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi gjykimet në mungesë lejohen me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Në seancën e parë, Prokuroria tha se kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore që Arsiq të ishte i pranishëm në gjykatë, por nuk ishte arritur.
Sipas aktakuzës, që u ngrit majin e vitit të kaluar, Çedomir Aksiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, vend midis fshatrave të Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, në komunën e Shtimes.
Në aktakuzë thuhet se ata më pas kishin djegur shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar kështu dëme morale dhe materiale.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomir Aksiq është akuzuar se e kishte ekzekutuar një person, familjen e të cilit paraprakisht e ndaluar.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.
Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi.