Nuk ka nevojë të udhëtojmë me aeroplan deri në Beograd dhe Zagreb nëse kemi “linjë të gjelbër”
Është mirë që po lidhemi me grupe të tjera ndërparlamentare nga vendet fqinje. E shohim se sa i nevojshëm është bashkëpunimi ynë i përbashkët edhe nga aspekti i transportit cilësor. Transporti që shkakton ndotje më të vogël janë ato linjat hekurudhore të gjelbra e të shpejta, për të cilat i kemi dhënë vetes një afat […]


Është mirë që po lidhemi me grupe të tjera ndërparlamentare nga vendet fqinje. E shohim se sa i nevojshëm është bashkëpunimi ynë i përbashkët edhe nga aspekti i transportit cilësor. Transporti që shkakton ndotje më të vogël janë ato linjat hekurudhore të gjelbra e të shpejta, për të cilat i kemi dhënë vetes një afat të caktuar për të udhëtuar në atë mënyrë. Nuk ka nevojë të udhëtojmë me aeroplan deri në Beograd dhe Zagreb nëse e kemi të ashtuquajturën “linjë e gjelbër”, tha deputetja Velika Stojkova – Serafimovska sot në kuadër të tryezës së rrumbullakët “Grupet parlamentare të gjelbra në Ballkanin Perëndimor – Takimi me komunitetin e transportit”, që po mbahet në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Ajo si anëtare e të ashtuquajturit “eko grup” ndërparlamentar për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike, tha se qëllimi i tyre është bashkëpunimi intensiv me qytetarët, sepse të gjithë ne e thithim të njëjtin ajër. Stojkova-Serafimovska është e mendimit se kur bëhet fjalë për mjedisin jetësor, duhet menduar në rrafsh rajonal, por edhe në rrafsh global.
“Ne nuk mund të jemi të vetmit që punojmë për ta përmirësuar mjedisin jetësor, e fqinjtë tanë të mos punojnë”, shtoi deputetja në një deklaratë për mediat. Ajo tha se ne jemi të lidhur dhe rajoni duhet të punojë së bashku për ta përmirësuar mjedisin jetësor – si për cilësinë e ajrit të pastër, ashtu edhe për transportin e gjelbër dhe ujërat e pastër.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Drexler, në fjalimin e saj gjatë hapjes së eventit tha se Gjermania mbetet një partner i përkushtuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tranzicionin e gjelbër të rajonit duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
“Qëllimi ynë i përbashkët është një Evropë e qëndrueshme dhe përparimtare klimatike. Nëpërmjet iniciativave si Partneriteti Rajonal Klimatik – ku ne e harmonizojmë Procesin e Berlinit me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – ne e konfirmojmë mbështetjen e Gjermanisë për mbrojtjen klimatike dhe tranzicionin e gjelbër në rajon. Nëpërmjet këtij mekanizmi ne punojmë së bashku për ta përforcuar infrastrukturën e qëndrueshme, për ta përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të krijuar mundësi të reja ekonomike”, theksoi ambasadorja.
Ajo tha se Gjermania tashmë është angazhuar për mbështetje financiare për Partneritet Rajonal të Klimatik: deri në 500 milionë euro në afat të shkurtër dhe afat të mesëm, si dhe 1 miliard euro shtesë deri në vitin 2030 për investime për energji të gjelbër.
“Deputetët luajnë një rol qenësor në këtë transformim. Përfshirja e tyre në krijimin e legjislacionit për çështjet klimatike dhe transportin është e një rëndësie qenësore për nxitjen e ndryshimeve dhe sigurimin e llogaridhënies. Jemi të bindur për rëndësinë qenësore të grupeve parlamentare të gjelbra në promovimin e procesit të dekarbonizimit në sektorin e transportit dhe Agjendën e Gjelbër në një kontekst më të gjerë”, shtoi Drexler.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, tha se zbatimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor kërkon lidership të guximshëm, pasi ajo përfaqëson një vizion strategjik për të ardhmen e rajonit me më pak ndotje, transport të përballueshëm dhe zgjidhje të mençura.
“Kjo e ardhme fillon me mobilitet të qëndrueshëm. Për realizimin e saj, mbështetja e deputetëve është qenësore, sepse e siguron legjitimitetin demokratik dhe vullnetin politik të nevojshëm për ta udhëhequr këtë transformim afatgjatë”, theksoi Zakonjsek.
Siç theksoi ai, transporti në Bashkimin Evropian dhe në Ballkanin Perëndimor është një nga elementet kryesore që i lidh njerëzit, lidh transportin e mallrave, por, për fat të keq, shkakton edhe një të katërtën e emetimeve që shkaktojnë ndotje jo vetëm në rajon, por edhe në BE.
“Ndikimin e këtyre ndryshimeve mund ta shohim edhe sot, jo vetëm në ajrin që e thithim dhe në ndryshimet e motit gjatë dimrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor, të njëjtën gjë e vëmë re edhe në Shkup, por e shohim edhe në aspektin e efekteve të ndryshimeve klimatike ndaj infrastrukturës. Shembull për këtë janë ngjarjet tragjike që ndodhën në Bosnje dhe Hercegovinë, përmbytjet që i pamë dhe që po ndikojnë realisht në infrastrukturën rrugore”, theksoi Zakonjsek në një deklaratë për mediat.
Ai tha se prandaj janë mbledhur sot, për të gjetur një zgjidhje se si të bëhet më i gjelbër transporti dhe mobiliteti, si të prezantohet më shumë përdorimi i automjeteve elektrike dhe të vendosen më shumë stacione ku do të karikohen ato automjete.
Ai theksoi se duhet t’i kushtohet vëmendje transportit në qytete – të përdoret transporti publik, të përdoren biçikletat dhe të lëvizet në këmbë.
Jasna Sekulloviç, koordinatore e komponentit të projektit në Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), tha se janë pikërisht nga partitë e gjelbra ato deputetë që duan të investojnë mund, që duan të investojnë kohë në promovimin e politikave për transport të qëndrueshëm, duke përfshirë këtu edhe politikat për transport të gjelbër.
“Gjithashtu, ata janë ata që kanë kapacitet që në kuadër të rolit të tyre mbikëqyrës në Kuvend, të avokojnë për promovimin e kësaj çështjeje, por edhe për ngritjen e vetëdijes për këtë çështje në rajon”, theksoi Sekulloviq.
Sot në Shkup po mbahet një tryezë e rrumbullakët me titull “Grupet parlamentare të gjelbra në Ballkanin Perëndimor – Takimi me komunitetin e transportit”. Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim mes Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Grupeve Parlamentare të Gjelbërta të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e përforcimit të angazhimit politik për zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe Mobilitetit të Qëndrueshëm në rajon.
Bëhet fjalë për takimin e dytë mes grupeve parlamentare të të Gjelbërve nga rajoni dhe Komunitetit të Transportit. Ky takim ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve më të reja nga lëmia e transportit dhe detyrimeve të transportit nga Agjenda e Gjelbër.
Tryeza e rrumbullakët ka për qëllim ta avancojë dialogun ndërmjet deputetëve, institucioneve dhe ekspertëve të transportit, përmes shqyrtimit të progresit të arritur deri më tani në zbatimin e Transport community treaty action plan, zhvillimin e Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN-T), si dhe masat kyçe në kuadër të Strategjisë për Mobilitet Smart dhe të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.