22 nga 34 komuna në RMV nuk kanë gjelbërim minimal sipas standardeve të rekomanduara
Nga 34 Komuna, plot 22 prej tyre nuk e përmbushin standardin e rekomanduar për gjelbërim prej 25 metrash katrorë për banor. Këtë e tregon një raport i Entit Shtetror të Revizionit (ESHR) me temë “Planifikimi urban i infrastrukturës së gjelbër në qytete”. Ky audit u krye për t’iu përgjigjur pyetjes nëse masat dhe politikat e […]


Nga 34 Komuna, plot 22 prej tyre nuk e përmbushin standardin e rekomanduar për gjelbërim prej 25 metrash katrorë për banor. Këtë e tregon një raport i Entit Shtetror të Revizionit (ESHR) me temë “Planifikimi urban i infrastrukturës së gjelbër në qytete”. Ky audit u krye për t’iu përgjigjur pyetjes nëse masat dhe politikat e qeverisë qendrore dhe lokale sigurojnë planifikim efektiv të infrastrukturës së gjelbër në qytete, transmeton Portalb.mk.
Raporti tregon se Planet e Përgjithshme Urbane (PPU) të 22 Komunave nuk e përmbushin standardin e rekomanduar për sipërfaqe të gjelbër prej 25 metrash për banor, ndërsa sipërfaqet e gjelbra që mirëmbahen dhe hapësirat e gjelbra të ndërtuara rishtazi në korrelacion me numrin e banorëve sipas regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se asnjë Komunë nuk e përmbush standardin e përcaktuar në dispozitat e nenit 19 të Ligjit për Hapësirat e Gjelbra Urbane.
Pamjet e filmuara me dron nga vende dhe qytete të shumta tregojnë se zonat qendrore urbane të qyteteve nuk përmbajnë mjaftueshëm hapësira të gjelbra publike që duhet të kontribuojnë në uljen e ndotjes dhe në një mjedis të pastër. Komunat e Çairit dhe Kisella Vodës përbëjnë vetëm 3% të gjelbërimit urban të Qytetit të Shkupit. Në Komunën e Shtipit, megjithëse Plani i Përgjithshëm Urbanistik parashikon 16,9% të sipërfaqeve të gjelbra me qëllimin D, 8,97 hektarë mirëmbahen përmes NPK “Isar” nga Shtipi, që përfaqëson vetëm 0,39% të sipërfaqes së PPU-së prej 2.292 hektarësh. PPU-ja aktuale e Tetovës ka një periudhë planifikimi prej 2003-2013 dhe parashikon 12.4% sipërfaqe të gjelbra. Është karakteristikë e Tetovës që nuk ka park qyteti.
“Ndarja e aktivitetit të planifikimit hapësinor dhe urban dhe mungesa e koordinimit të institucioneve kompetente rezulton në mungesë të një kornize ligjore që do të rregullojë planifikimin hapësinor dhe infrastrukturën e gjelbër, ndërsa zgjidhjet ligjore për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara pa leje e çrregullojnë sistemin e planifikimit urban. Në kushte kur miratimi i një Plani të ri Hapësinor si dokumenti më i lartë strategjik i shtetit vonohet me më shumë se katër vjet, duke marrë parasysh ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur në zhvillimin social, ekonomik, demografik dhe hapësinor, Plani Hapësinor ekzistues nuk përfaqëson një bazë të mirë për përcaktimin e dokumenteve strategjike dhe planifikuese në shtet në një nivel më të ulët, të cilat në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024 miratohen në bazë të të dhënave dhe informacioneve të vjetruara dhe nuk korrespondojnë me situatën në shtet”, thuhet në raportin e auditorëve.
Nga 34 komuna me seli në qytete, vetëm dy komuna, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Ohrit, kanë miratuar strategji për zhvillimin e gjelbërimit. Tre komuna kanë kadastër të gjelbër në formën e një portali GIS, përkatësisht Qyteti i Shkupit, Kavadarit dhe Ohrit, dhe 18 komuna nuk e kanë përmbushur detyrimin për të miratuar programe vjetore për krijimin dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit, gjë që tregon mungesën e vizionit, qëllimeve, aktiviteteve dhe treguesve afatgjatë për monitorimin e gjelbërimit urban në nivel lokal.
Nga gjithsej 34 komuna me seli në një qytet, 8 komuna (23%) kanë PPU të vlefshme, 24 komuna (71%) kanë PPU me një periudhë planifikimi të skaduar, dhe dy komuna (6%) nuk kanë miratuar fare Plan të Përgjithshëm Urban. Planet e përgjithshme urbane të 14 komunave u miratuan pas 3 deri në 5 vitesh të periudhës së planifikimit për të cilën ato i referohen, duke e bërë të pamundur që qytetet të zhvillojnë plane të detajuara për kohëzgjatjen e periudhës.
Në periudhën 2020-2024, 77% e procedurave për miratimin e një PPU-je në sistemin e-urbanizm nuk janë përfunduar, për shkak të mosrespektimit të afatit të përcaktuar me ligj për kohëzgjatjen e procedurës deri në 18 muaj, i cili për komuna të caktuara zgjat deri në 4 vjet.
Kujtojmë që ndryshimet në Ligjin për planifikimin urbanistik të cilat u miratuan pa debat dhe me procedurë të shkurtuar më 13 gusht 2024, nxitën reagime të mëdha nga organizatat e mjedisit.
Ata edhe para se të miratoheshin ndryshimet kishin kritika për ligjin, ndërsa pas miratimit i kërkuan presidentes që mos e nënshkruajë ligjin.
Një nga vërejtjet që kishin organizatat e mjedisit ishte pikërisht se gjelbërimi dhe parqet do ishin viktima e parë.
Ndryshe, sipas një ankete të Institutit të Gjelbër të vitit 2023, nga 150 të anketuar për qasjen e hapësirave të gjelbra publike, 37 përqind janë përgjigjur se jetojnë me më pak se 50 metra katrorë gjelbërim.