Nuk kaluan interpelancat kundër funksionarëve qeveritarë në RMV
Nuk kaloi asnjë nga interpelancat e koalicionit ‘Fronti Evropian’ ndaj ministrave të kabinetit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk. Deputetët me votat e tyre nuk kaluan asnjë nga katër interpelancat të cilat i referoheshin zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Jetësor Izet Mexhitit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve Ivan Stoillkoviq, ministrit të Brendshëm […]
Nuk kaloi asnjë nga interpelancat e koalicionit ‘Fronti Evropian’ ndaj ministrave të kabinetit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.
Deputetët me votat e tyre nuk kaluan asnjë nga katër interpelancat të cilat i referoheshin zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Jetësor Izet Mexhitit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve Ivan Stoillkoviq, ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovskit si dhe zëvendësit Astrit Iseni.
Me 64 vota ‘kundër’ dhe 3 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Izet Mexhitit.
Me 52 vota ‘kundër’ dhe 7 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Ivan Stoillkoviq.
Me 63 vota ‘kundër’ dhe 7 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Pançe Toshkovskit.
Me 62 vota ‘kundër’ dhe 4 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Astrit Isenit.
Deputetët nga opozita dhe pushteti gjatë seancës së sotme kanë hedhur akuza dhe kundërakuza ndaj njëra tjetrës.
Pse u dorëzuan interpelancat?
Interpelancat ndaj ministrave të Qeverisë u dorëzuan muajin e kaluar nga koalicioni ‘Fronti Evropian’.
Interpelanca për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhitin sipas ‘Frontit Evropian’ e është bërë për shkak se Mexhiti është përgjegjës për keqmenaxhimin e situatave që ndodhin në vend, përfshirë marrëdhëniet ndëretnike.
Interpelanca e dytë për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, është dorëzuar për shkak të mosveprimit dhe mosdeklarimit të tij në lidhje me ngjarjet në Kumanovë, kur disa automjete dhe një dyqan që u përkasin shqiptarëve u dogjën. Stoilkoviq, në cilësinë e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, nuk arriti të respektojë dhe zbatojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Interpelancat për ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni, ‘Frontit Evropian’ i ka dorrëzuar sepse në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në mënyrë të paprecedentë dhe të pajustifikuar, duke penguar manifestim tradicional të shqiptarëve.
Kaloi vetëm interpelanca ndaj deputetes Ilire Dauti
Kujtojmë se më herët gjatë ditës sot me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Kuvendi në njoftimin e pasdites sqaroi që ky votim nuk nënkupton edhe shkarkimin e Dautit nga ky pozicion.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare nuk ka marrë pjesë në votimin për këto interpelanca, duke vlerësuar se në këtë moment nuk paraqesin zgjidhje të krizës dhe mund të nënkuptojnë ndarje të reja në baza etnike.