Oda e Mjekëve nuk ka vendosur ende për licencat e mjekëve të përfshirë në rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe

Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut ende nuk ka vendosur për licencat e mjekëve të përfshirë në rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe në fillim të këtij muaji, transmeton Portalb.mk. Nga Oda e Mjekëve për Alsat theksuan se udhëzimet e marra nga Ministri i Shëndetësisë janë në fazën e shqyrtimit dhe konsultimit me […]

tetor 30, 2024 - 07:02
 0  4
Oda e Mjekëve nuk ka vendosur ende për licencat e mjekëve të përfshirë në rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe
Klinika Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve në Shkup, foto nga Portalb.mk

Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut ende nuk ka vendosur për licencat e mjekëve të përfshirë në rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe në fillim të këtij muaji, transmeton Portalb.mk.

Nga Oda e Mjekëve për Alsat theksuan se udhëzimet e marra nga Ministri i Shëndetësisë janë në fazën e shqyrtimit dhe konsultimit me organet e Odës për veprim të mëtejshëm.

“Ne e konsiderojmë rastin jashtëzakonisht serioz dhe të rëndësishëm, kështu që qasja e Odës është e thelluar dhe profesionale”, thane nga Oda e Mjekëve.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 24 tetor tha se Odës së Mjekëve i është propozuar marrja e përkohshme e licencave të punës për mjekët të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e vdekjes së foshnjës.

Nga Klinika Kozle nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë rast, kanë mohuar se te ata kishte lëshime profesionale.

Një javë më parë drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi pezulloi nga puna dy mjeket specialiste deri në një vendim përfundimtar nga komisioni disiplinor. Mjeket kanë qenë kujdestare dhe e kanë kontrolluar fëmijën më 3 tetor, të cilat përskaj gjendjes së rënduar shëndetësore të foshnjës, nuk e kanë shtruar në spital, por e kanë lëshuar për kurim shtëpiak.

Nga ana tjetër familjarët e foshnjës 14 muajshe që humbi jetën kërkuan dorëheqjen e Ministrit Taravari dhe Drejtori të Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memedi. Hedhja e përgjegjësisë vazhdon mes institucioneve shëndetësore lidhur me këtë rast tragjik.

Më 5 nëntor 2024, një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

Raporti i Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14 muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak.