RVM, edukimi mediatik nuk është vetëm aftësi por domosdoshmëri, shteti të krijojë kushte që gazetarët të japin informacion të besueshëm
Edukimi mediatik nuk është thjesht aftësi, por domosdoshmëri për çdo aktor social. Edukimi joformal, ngjarjet publike, punëtoritë dhe seminaret luajnë një rol kyç në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit. Shteti duhet të krijojë kushte për media të pavarura, ku gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe të ofrojnë informacion të besueshëm për publikun, për të […]
Edukimi mediatik nuk është thjesht aftësi, por domosdoshmëri për çdo aktor social. Edukimi joformal, ngjarjet publike, punëtoritë dhe seminaret luajnë një rol kyç në ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit. Shteti duhet të krijojë kushte për media të pavarura, ku gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe të ofrojnë informacion të besueshëm për publikun, për të mbrojtur demokracinë. Këto ishin disa nga mesazhet e prezantuara sot në dëgjesën publike në Kuvend, e cila u mbajt me rastin e Ditëve të Edukimit mediatik, transmeton Portalb.mk.
Diskutimi publik organizohet nga Forumi Arsimor Rinor (FAR), në bashkëpunim me Klubin për Çështje dhe Politika Rinore.
Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, është thelbësore të mësohet të dallohet informacioni i vërtetë nga ai i rrejshëm.
“Konsideroj se është thelbësore të mësosh të dallosh informacionin e vërtetë nga informacioni i rremë. Është edhe më thelbësore të sigurohet që qytetarët, dhe veçanërisht të rinjtë, të jenë të gatshëm të analizojnë dhe vlerësojnë informacionin që marrin. Pajtohem se nuk është punë e lehtë në një botë të globalizuar dhe digjitale ku mediat janë protagonistët e kësaj epoke”, tha Gashi në fjalimin e tij në seancë.
Siç tha ai, trajtimi i kësaj sfide kërkon angazhim të përbashkët, punë serioze dhe një qasje gjithëpërfshirëse. Është e nevojshme, theksoi ai, që vazhdimisht të promovohet edukim mediatik në shkolla, universitete, institucione dhe në komunitete të ndryshme.
“Duhet të përdorim mediat në favor të informimit të drejtë, ndërgjegjësimit dhe promovimit të diversitetit. Kuvendi do të jetë gjithmonë i hapur dhe i gatshëm për t’i shërbyer këtij qëllimi. Është e mirëseardhur çdo iniciativë, e cila na mundëson fuqizimin e akteve dhe kornizave ligjore, për media më të mira, për qytetarë më të informuar dhe aktivë”, shtoi Gashi.
Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, në fjalimin e saj të sotëm në Kuvend theksoi se edukimi mediatik është kyç në shoqërinë e sotme, në periudhën kur informacioni është lehtësisht i disponueshëm dhe në të njëjtën kohë mund të jetë i diskutueshëm.
“Edukimi mediatik është baza e funksionimit të shoqërisë moderne, në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe progresi teknologjik. Është vendimtare në shoqërinë e sotme, në periudhën kur informacioni është lehtësisht i disponueshëm dhe në të njëjtën kohë mund të jetë i diskutueshëm. Për fat të keq, trendi i përhapjes masive të dezinformatave nga lajmet e rreme është gjithnjë e më i pranishëm”, tha Dimovska.
Ajo nënvizoi se në një epokë të mbingarkesës së informacionit, edukimi mediatik është qendra e gravitetit në luftën kundër lajmeve të rreme tekstualisht ka vërshuar gjithë botën.
“Çdo ditë marrim një sasi të madhe informacioni dhe shpesh qytetarët janë në një situatë ku duhet të bëjnë dallimin ndërmjet lajmeve të vërteta dhe të rreme. Shoqëria duhet të ketë rini të shkolluar mediatike, të cilët do të dinë të dallojnë lloje të ndryshme të informacionit dhe që do të dinë të mendojnë në mënyrë kritike dhe të pavarur”, tha Dimovska.
Sipas Dimovska-s, me edukimin mediatik nuk mësojmë vetëm të mbrohemi, por edhe të marrim pjesë në krijimin e realitetit tonë.
Ditët e edukimit mediatik u hap dje,ku dhe u tha se edhe pse nga inteligjenca artificiale (IA) ka përfitime të mëdha, përdorimi i saj sjell edhe rreziqe, si për shembull përdorimi i saj për të ashtuquajturat qëllime të këqija që cenojnë mbrojtjen e privatësisë, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. “Prandaj është e nevojshme që të ketë rregullore të qarta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”.
Ndryshe, vitin e kaluar Ditët e edukimit mediatik filluan më 24 tetor dhe zgjatën deri më 31 tetor, nën moton “Gisht i shpejtë, lajme të rreme”. Dhjetë panele diskutimesh, debate online, ekspozita, ditë të hapura në media, shkolla studentore dhe sesione publike u organizuan nga anëtarët e Rrjetit.