Olivia Munn thotë se refuzoi ofertë milionëshe për të heshtur për një incident të rëndë në xhirime
Aktorja Olivia Munn ka treguar se ka refuzuar një ofertë financiare prej miliona dollarësh nga një studio filmike pasi përjetoi një ngjarje traumatike gjatë xhirimeve të një filmi. Ajo ka theksuar se studioja i ka kërkuar të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA) për të mos folur mbi incidentin, por se ajo e refuzoi. “Nuk është […]

Aktorja Olivia Munn ka treguar se ka refuzuar një ofertë financiare prej miliona dollarësh nga një studio filmike pasi përjetoi një ngjarje traumatike gjatë xhirimeve të një filmi.
Ajo ka theksuar se studioja i ka kërkuar të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA) për të mos folur mbi incidentin, por se ajo e refuzoi.
“Nuk është se do të flisja për këtë, vërtet, sepse thjesht doja ta lija pas. Por thashë ‘nuk do të nënshkruaj një NDA’. Dhe ata më thanë: ‘Duhet.’ E ndjeva që ishte shumë e gabuar”, ka thënë Munn, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Vendimi i saj erdhi në kohën kur lëvizjet #MeToo dhe Time’s Up po merrnin hov, duke denoncuar abuzimet në industrinë e filmit. Ajo ka shpjeguar se kishte frikë se nëse do ta pranonte marrëveshjen, studioja mund ta përdorte kundër saj për ta diskredituar.
Avokati i saj i sugjeroi të mendonte më gjatë për vendimin, por ka theksuar se ishte e vendosur.
“Një person më tha: ‘Është shumë e madhe parash, do të ishe e çmendur të mos i pranoje.’Dhe unë iu përgjigja: ‘E di që për ty është shumë e madhe, por për mua nuk është aq shumë sa për të humbur zërin tim’”, ka treguar tutje aktorja.
Ajo ka kujtuar se pak kohë më vonë, Kalifornia ndaloi NDA-të, gjë që do të thoshte se marrëveshja, edhe sikur ta kishte nënshkruar, nuk do të kishte asnjë vlerë ligjore.
Munn ka folur më parë për sjelljet e papërshtatshme në xhirime. Në vitin 2017, ajo ishte një nga gjashtë gratë që akuzuan regjisorin Brett Ratner për ngacmim seksual, duke pretenduar se ai masturboi përpara saj në xhirimet e filmit “After the Sunset” në vitin 2004.
Po ashtu, në vitin 2018, ajo ka raportuar se në xhirimet e filmit “The Predator” ishte detyruar të luante përballë një personi të regjistruar si kriminel seksual, mik i regjisorit Shane Black. Pas denoncimit të saj, skena u hoq nga filmi.
Ky qëndrim i saj përputhet me ligjet e reja të Kalifornisë, si Akti STAND dhe Akti Silenced No More, të cilat kufizojnë përdorimin e NDA-ve në raste të ngacmimit dhe diskriminimit, duke mbrojtur viktimat dhe duke nxitur transparencën.