Osmani: Beteja për gjuhën, betejë mbi të gjithë ne

Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që, sipas tij, tregojnë për një politikë të qëllimshme dhe të organizuar për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Në një status publik, Osmani rikujton se procesi i miratimit të Ligjit për Gjuhët ka qenë i shoqëruar […]

Prill 6, 2026 - 12:00
Osmani: Beteja për gjuhën, betejë mbi të gjithë ne

Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që, sipas tij, tregojnë për një politikë të qëllimshme dhe të organizuar për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Në një status publik, Osmani rikujton se procesi i miratimit të Ligjit për Gjuhët ka qenë i shoqëruar me tensione të mëdha, duke theksuar se deputetët e VMRO-DPMNE kishin tentuar fizikisht të pengojnë votimin në Parlament, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin, duke detyruar rikthimin e tij për rivotim.

Ai shton se e njëjta parti e kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut gjatë kohës kur ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, sipas tij, e ka instrumentalizuar këtë institucion për ta mbyllur çështjen.

Statusi i plotë i Bujar Osmanit:

Deputetët e VMRO-DPMNE në Parlament tentuan fizikisht ta pengojnë miratimin e ligjit për gjuhën.

Presidenti Ivanov nuk e nënshkroi ligjin dhe ai u detyrua të rikthehet për së dyti në Parlament.

VMRO-DPMNE e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese derisa ishte në opozitë.

Prej ditës që erdhi në pushtet, e instrumentalizoi Gjykatën Kushtetuese për ta mbyllur këtë çështje.

Inspektoratit i është marrë pavarësia dhe është futur në kuadër të një drejtorie në Ministrinë e Drejtësisë, duke i u marrë të gjitha kompetencat. Agjencinë e shndërruan në një hije pa zë.

Filloi ndryshimi i logove të ministrive duke e hequr gjuhën shqipe. Filloi të hiqet shqipja nga çdo dokument zyrtar, nga tabelat, nga vulat, nga përdorimi institucional.

Po fillojnë të përgatisin narrativin për t’i hequr nenet kryesore.

Kjo është vazhdimësi e një politike të planifikuar e paramenduar mirë.

Fatkeqësisht, në këtë proces janë instrumentalizuar edhe disa aktorë politik shqiptarë, duke u bërë pjesë e këtij plani.

Por motra dhe vëllezër, gjuha nuk është e askujt veçmas. Është përpjekje e vazhdueshme e gjeneratave nëpër shekuj.

A do të lejojmë që një klikë shoviniste dhe nacionaliste të na e prek atë që është më e shenjta.

Pjesa më e sinqertë e shoqërisë, studentët po e paralajmëron këtë proces, duke dhënë një mesazh të qartë se kjo çështje i tejkalon dallimet partiake.

Sot duhet të jemi të gjithë bashkë. Bile jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata qytetarë që e duan këtë shtet të barabartë, të zhvilluar dhe evropian.

Beteja për gjuhën është betejë mbi të gjithë ne.

Andaj, sot është detyrim kombëtar, njerëzor dhe evropian që të jemi pranë studentëve, të lëmë punët tona, të dalim dhe të mos i lëmë studentët vetëm.