Osmani: Çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në RMV do të përballet me kundërshtim të vendosur

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka thënë se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, transmeton Gazeta Express. Ajo tha se çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre në këtë shtet do të përballet me […]

Nëntor 21, 2024 - 19:00
 0  6
Osmani: Çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në RMV do të përballet me kundërshtim të vendosur
Vjosa Osmani, foto nga profili i saj në Facebook

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka thënë se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, transmeton Gazeta Express.

Ajo tha se çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre në këtë shtet do të përballet me kundërshtim të vendosur nga shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

“Në të njëjtën kohë, ne shohim shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, sa i përket të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit dhe dua t’i siguroj të gjithë që do të bëjmë çmos që mos të bëhet asnjë hap prapa, por vetëm hapa përpara. Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtave të tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej Ballkanit perëndimor. Në këtë drejtim, koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti për çështje të politikës së jashtme e sigurisë por mbi të gjitha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në të gjithë rajonin e kudo tjetër që jetojnë ata, është vendimtar për suksesin tonë dhe për ecjen përpara drejt familjes euro-atlantike, aty ku e kemi vendin dhe e meritojmë”, ka thënë Osmani.

Kujtojmë se tema për gjuhën shqipe u ngrit pasi në dhjetor në Gjykatën Kushtetuese duhet të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i ligjit të gjuhëve.

Akoma më aktuale si temë ditëve të fundit u bë pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën.

Për këto deklaratë erdhën edhe reagimet e para nga partitë politike në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim thotë deklaratat e tilla të Kurtit lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme. “Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve”, theksuan nga BDI.