Osmani: “Kurthi i madh – të drejtat po negociohen, jo po zbatohen”
Nënkryetari i parë i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj ndalesës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si pasojë të mungesës së vullnetit The post Osmani: “Kurthi i madh – të drejtat po negociohen, jo po zbatohen” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Nënkryetari i parë i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj ndalesës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si pasojë të mungesës së vullnetit për zbatimin e ligjit.
Sipas Osmanit, studentët e drejtësisë “me të drejtë kanë ngritur zërin kundër një ndalese absurde”, duke theksuar se ata “nuk po mbrojnë vetëm një të drejtë procedurale, por po ekspozojnë një problem shumë më të madh: mungesën e vullnetit për zbatimin e ligjit”.
Ai rikujton se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe parasheh harmonizimin e të gjitha ligjeve të tjera me të. “Nëse kjo nuk ndodh, prevalon Ligji për Gjuhët, i cili garanton përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në institucione. Këtu nuk kemi krizë ligjore. Kemi refuzim për zbatim”, thekson Osmani.
Osmani e quan të rrezikshme qasjen për ndryshimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës si mënyrë “zgjidhjeje”. “Po krijohet një precedent ku çdo e drejtë duhet të negociohet veçmas, ligj pas ligji, rast pas rasti. Kjo e fragmenton Ligjin për Gjuhët, e dobëson dhe e zbraz nga fuqia e tij universale”, deklaron ai.
Sipas tij, kjo logjikë rrezikon të shndërrojë të drejtat në çështje të përditshme negocimi. “Sot është provimi i jurisprudencës. Nesër do të jetë një procedurë tjetër, pastaj një institucion tjetër. Një ligj që duhet të zbatohet automatikisht, kthehet në betejë të përditshme”, shprehet Osmani.
Ai kritikon edhe qasjen e Qeverisë, duke thënë se “padija dhe pafuqia e VLEN ka hapur rrugën për një standard të ri të rrezikshëm: që të drejtat të mos burojnë nga ligji, por të negociohen rast pas rasti”.
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski në Kuvend, Osmani thotë se “ai foli si kryeministër i vitit 1991, duke relativizuar statusin institucional të gjuhës shqipe dhe duke e shtyrë atë në sferën private”.
Në fund, Osmani thekson se zgjidhja është e qartë: “Zbatim autentik i Ligjit për Gjuhët në të gjitha institucionet, pa përjashtime dhe pa negociata. Çdo rrugë tjetër është kurth”. Gazeta Flaka
The post Osmani: “Kurthi i madh – të drejtat po negociohen, jo po zbatohen” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .