Osmani: Optimizini mbyll paralelet shqipe – nuk i prej ato maqedonase dhe serbe në Kumanovë?! (FOTO)

Të dhënat e programeve të shkollave për vitin shkollor 2026/27 tregojnë se në shumë shkolla me mësim në gjuhën serbe dhe maqedone edhe pse me më pak nxënës, paralelet vazhdojnë të funksionojnë pa u prekur, përkundër kësaj në shënjestër janë...

shtator 17, 2026 - 11:30
Osmani: Optimizini mbyll paralelet shqipe – nuk i prej ato maqedonase dhe serbe në Kumanovë?! (FOTO)

Të dhënat e programeve të shkollave për vitin shkollor 2026/27 tregojnë se në shumë shkolla me mësim në gjuhën serbe dhe maqedone edhe pse me më pak nxënës, paralelet vazhdojnë të funksionojnë pa u prekur, përkundër kësaj në shënjestër janë ato shqipe. Ne heshtim!

– Në Çerkez, njoftimi për mbylljen e dy paraleleve erdhi më 31 gusht, ani pse u regjistruan 44 nxënës, duke humbur tashmë një vend pune. Në Kostornik, në qershor, nga ministria u tha se paralelet nga klasa I-V do të mbyllen dhe nxënësit do dërgohen në shkollë qëndrore, si pasojë pati revoltë qytetare dhe ende s’ka verdikt final. Kaloi në heshtje edhe mbyllja e një paraleleje në shkollën “Naim Frashëri”, gjitha këto me pretekstin se paralelet nuk mund të funksionojnë pa 20-të nxënës për klasë.

– Hajde ta shohim me fakte anën tjetër të monedhës! Statistikat për transparencë duhet të publikohen të plota, shkollë për shkollë! Ministria thotë se 26-të shkolla periferike janë mbyllur tashmë. Fotot që po publikoj janë disa nga shkollat periferike të Kumanovës bazuar në dokumente zyrtare. Asnjë nga këto s’është mbyllur! Pse? Ato tregojnë qartë se si po zbatohet i ashtuquajturi “optimizim” i rrjetit të shkollave. Numrat dëshmojnë qasjen selektive dhe totalisht asimetrike;

Foto 1 – Shkolla qëndrore në Umindoll dhe ajo periferike në Lubodrag ( 1 paralele me 3 nxënës dhe 1 paralele me 7 nxënës). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone dhe serbe.

Foto 2 dhe 3 – Shkolla qëndrore në Tabanoc “Brakja Ribar” dhe shkollat periferike të saja në Sopot, Kojnare e Epërme, Çetircë dhe Kosturnik. ( 1 paralele me 1 nxënës, 1 paralele me 3 nxënës, Çetircë asnjë i regjistruar shkolla nuk optimizohet). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone dhe serbe.

Foto 4 – Shkolla qëndrore “11 Tetori” në Kumanovë me shkollat e saja periferike në Kojnare të Poshtme dhe Reçicë. (1 paralele me 3 nxēnës Kojnare e Poshtme nuk optimizohet). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone dhe serbe.

Foto 5 – Shkolla qëndrore “Kirili dhe Metodi” në Rramanli dhe shkolla periferike e sajë në Agino Selo. (1 paralele me 4 nxënës Rramanli dhe 1 paralele me 4 nxënës Agino Selo prap nuk ka optimizim). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone.

Foto 6 – Shkolla qëndrore “Brakja Miladovci” dhe shkolla periferike e saj në Pçinjë. (1 paralele me 2 nxënës në Pçinjë). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone dhe serbe.

Foto 7 – Shkolla qëndrore “Vuk Karaxhiç” jo e fundit për nga rëndësia, përkundrazi.( me vite të tëra funksionojne 2 paralele me nga 2 nxënës edhe atë shumica vetëm formalisht, shkolla shfrytëzon hapësirë të objektit për mbi 1000 nxënës ndërkaq posedon në të gjithë gjeneratat 80 nxënës). Shkollë me mësim në gjuhën maqedone dhe serbe.

– Vlerësoj se gjithë drejtorët, sindikalistët shqiptarë, prindërit, mësimdhënësit, këshilli i komunës dhe përfaqësuesit e pushtetit, përfshirë edhe zyrtarët e lartë si zv. ministri i arsimit i cili vjen nga Kumanova, nuk mund të fshihen nga përgjegjësia! Nëse lejoni këtë nënçmim që paralelet shqiptare të mbyllen edhe krahas këtyre numrave skandaloz, le që s’po realizoni zbatim të barabartë të një kriteri, por po lejoni një standard të dyfishtë të legjitimohet para syve tuaj.

– Nëse numrat nuk ju alarmojnë dhe nuk ju bindin për të kërkuar llogari, për ta imponuar si diskutim në tryezë politike, me këtë paaftësi përballë këtij disproporcioni agresiv, ju direkt bëheni pjesë e problemit dhe dëmit kolateral.

– Në cilin rast ka më shumë suficid të mësimdhënësve në raport me deficitin e nxënësve dhe kush po i merr mjetet financiare të dyfishta padrejtësisht prej taksave tona?

– A është standard i njejtë mësimdhënësit shqiptarë të kryejnë procesin e mësimdhënies nëpër klasa me nga 25 nxënës krahas palës tjetër me nga 3, dhe në fund të muajit të marrim pagën e njejtë?

– Këto dhe shumë pyetje tjera duan përgjigje! Uroj t’i hapni sytë e mos t’poshtërohemi më shumë se kaq.

*Status i profesorit Ramadan Osmani


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.