Para gjyqtarëve kushtetues ndryshimet skandaloze në Kodin Penal, që kanë bërë që shumë lëndë të vjetërsohen  

Ndryshimet skandaloze në Kodin Penal të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, pra neni 353, do të jenë sot para gjyqtarëve kushtetues. Konkretisht, gjyqtarët do të shqyrtojnë iniciativën e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, e cila kërkon rishikimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Kodin Penal, […]

shkurt 12, 2025 - 15:00
 0  4
Para gjyqtarëve kushtetues ndryshimet skandaloze në Kodin Penal, që kanë bërë që shumë lëndë të vjetërsohen  
Seanca e Gjykatës Kushtetuese, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk

Ndryshimet skandaloze në Kodin Penal të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, pra neni 353, do të jenë sot para gjyqtarëve kushtetues. Konkretisht, gjyqtarët do të shqyrtojnë iniciativën e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, e cila kërkon rishikimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Kodin Penal, shkruan Portalb.mk.

Kërkuesi thekson se ndryshimet ligjore të kontestuara janë në kundërshtim me sundimin e ligjit,  mbrojtjen e të drejtës pronësore dhe barazinë që promovon Kushtetuta. Në nismë thuhet se me këto ndryshime privilegjohet një kategori qytetarësh, në krahasim me personat e dënuar ligjërisht që marrin trajtim diskriminuese dhe për ta nuk vlen ulja e dënimeve, thuhet në sqarimin për nismën në agjendën e publikuar të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë që pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, janë në fuqi ndryshimet e vitit 2023 në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime më të buta për zyrtarët. Qeveria aktuale ka paralajmëruar miratimin e një Kodi të ri Penal, i cili ka disa muaj që është në Komisionin Evropian, ku duhet të jepet një mendim dhe pritshmëritë janë që të miratohet gjatë vitit 2025.

Kujtojmë se, ministria e Drejtësisë njoftoi më 31 tetor 2024 se është hartuar Kodi i ri Penal (KP). Dokumenti është përkthyer në anglisht dhe është dorëzuar për mendim në Komisionin Evropian (KE). Pasi KE të prononcohet për përmbajtjen e Kodit Penal, nëse nuk ka kundërshtime, dokumenti do të shkojë në procedurë qeveritare dhe më pas në Kuvend, ku duhet një shumicë e thjeshtë për t’u miratuar.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.