Paratë evropiane të bllokuara në burgun më të madh të Maqedonisë së Veriut

Përfaqësues të Bankës për Zhvillim në Këshillin e Evropës këtë javë kanë vizituar burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut. Arsye për këtë, ndër të tjera, është edhe ngecja në projektin për rindërtimin e burgut, që ka nisur që më 2010. Tashmë janë ndërtuar reparte të hapura dhe gjysmë të hapura, si dhe salla e gjyqit, […]

tetor 10, 2024 - 16:00
 0  5
Paratë evropiane të bllokuara në burgun më të madh të Maqedonisë së Veriut
Pamje nga jashtë e njërit prej anekseve të burgut të Idrizovës. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.

Përfaqësues të Bankës për Zhvillim në Këshillin e Evropës këtë javë kanë vizituar burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut. Arsye për këtë, ndër të tjera, është edhe ngecja në projektin për rindërtimin e burgut, që ka nisur që më 2010. Tashmë janë ndërtuar reparte të hapura dhe gjysmë të hapura, si dhe salla e gjyqit, e cila nuk është vënë në funksion kurrë, por faza e dytë e projektit, ende nuk ka filluar, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Rezultati i kësaj vizite ende nuk është bërë i njohur por të gjitha raportet e organizatave të burgjeve në Maqedoninë e Veriut tregojnë se burgu i Idrizovës është i mbipopulluar, pa kushte elementare për vuajtjen e dënimit, të cilat janë cilësuar si johumane dhe poshtëruese.

Duhet të ndërtohen ambiente ndihmëse si, reparti i mbyllur dhe i paraburgimit, për çka Banka jep një pjesë të huas në shumën prej 25 milionë eurosh, kurse shteti duhet të ndajë nga fondet e veta 16 milionë euro.

Mirëpo, drejtori i burgut më të madh në Maqedoninë e Veriut, Zoran Jovanovski, tha se nga ai është kërkuar që të sanohen mangësitë e konstatuara gjatë zbatimit të fazës së parë në mënyrë që financimi të vazhdojë.

“Këto mangësi dhe anomali nuk janë korrigjuar për një kohë të gjatë. Kur erdha unë si drejtor, filluam rehabilitimin dhe riparimin e tyre për t’i sjellë në gjendjen ashtu siç është kërkuar nga ne. Bëhet fjalë për drenazhimin, dhe disa anomali të tjera. Presim që të na aprovojnë fazën e ardhshme, me të cilën do të ndërtohen objektet e reja”, tha Jovanovski.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë nga burime në Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve, afati për fillimin e punimeve të ndërtimit ka skaduar në qershor të vitit 2024. Si afat i fundit tani është caktuar qershori i vitit 2025. Megjithatë, parashikimet janë se edhe nëse fillohet menjëherë me ndërtimin, do të duhen rreth pesë vjet për t’i përfunduar ato.

Më 18 maj të vitit 2022, presidenti i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor apo Poshtërues (KPT), Alan Mitchell, dhe zëvendësguvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Tomas Bocek, kërkuan nga Qeveria e atëhershme e Maqedonisë së Veriut që ta shfrytëzojë huan dhe t`i ndërtojë objektet në Idrizovë.

Një pjesë e një reparti ku lihen gjëra të panevojshme - aty shihet edhe njjë kuti me bukë. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.
Një pjesë e një reparti ku lihen gjëra të panevojshme – aty shihet edhe njjë kuti me bukë. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.

Leja e ndërtimit ende problem

Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, e cila është përgjegjëse për burgjet, konfirmojnë se burgu nuk ka leje të vlefshme për ndërtimin e objekteve. Ajo ishte lëshuar nga Ministria e Transportit, por problemi ka lindur para dy javësh kur i ka skaduar vlefshmëria.

“Përmes Njësisë së Zbatimit të Projekte kemi aplikuar për leje të reja. Procedura vazhdon në Ministri”, thanë nga Drejtoria për Radion Evropa e Lirë.

Më 29 korrik të këtij viti, drejtori i sapoemëruar i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, njoftuan se kishin biseduar për fillimin e procedurës për ndërtimin e hapësirave të reja në Institucionin për Ekzekutimin e Vendimeve Penale (IEVP) Idrizovë. Por, atëherë nuk u bë e ditur që për më pak se një muaj do të skadonte leja e ndërtimit. Tani, nga Ministria e Transportit thonë se është filluar një procedurë e re, por edhe pas marrjes do të duhet të zhvillohet procesi për shpalljen e tenderit për zbatuesin e punimeve.

Më 29 korrik të këtij viti, drejtori i sapoemëruar i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, njoftuan se kishin biseduar për fillimin e procedurës për ndërtimin e objekteve të reja në Institucionin për Ekzekutimin e Vendimeve Penale (IEVP) në Idrizovë. Mirëpo, nuk u bë e ditur se leja e ndërtimit do të skadonte për më pak se një muaj e gjysmë.

Tani, nga Ministria e Transportit thonë se është filluar një procedurë e re, por edhe pas marrjes së saj, do të duhet të zhvillohet procesi për shpalljen e tenderit për kontraktuesin e punimeve.

Dush i improvizuar në burgun e Idrizovës. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.
Dush i improvizuar në burgun e Idrizovës. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.

Kushtet e burgut më 2023, katastrofike

Disa institucione relevante analizuan kushtet në burgun e Idrizovës në vitin 2023.

Këshilli i Evropës, nëpërmjet Komitetit për Parandalimin e Torturës, publikoi një raport në të cilin thuhet se, në vend të amnistive – që autoritetet shpesh i shohin si zgjidhje për mbipopullimin në burgje – zgjidhje mund të jetë edhe realizimi i fazës së dytë të projektit për burgun e Idrizovës, i financuar nga Banka.

“Situata në burgun e Idrizovës mbetet alarmante. Në raport theksohen keqtrajtimi fizik nga ana e personelit dhe izolimi i zgjatur i të burgosurve problematikë, shkalla e lartë e dhunës mes të burgosurve dhe kushtet johigjienike e të pasigurisë. Mbipopullimi serioz në pjesën e mbyllur i përkeqëson këto probleme. Për më tepër, korrupsioni i përhapur i personelit minon funksionimin e drejtë të burgut dhe kjo bën që të burgosurit më të pafavorizuar të mbahen në kushte më të këqija”, thuhet në raport.

Në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023, gjithashtu është konstatuar se ka numër të madh të të burgosurve dhe shumë pak polici burgjesh. Kushtet, po ashtu, janë karakterizuar si katastrofike, kurse mbetet sidomos problematik edhe trajtimi mjekësor i të burgosurve.

“Vizita në repartin e mbyllur u realizua me fokus në anekset 3, 4, 7 dhe të ashtuquajturën ‘Ambulancë’. Gjendja ishte seriozisht shqetësuese, për çka edhe u shënua se gjendja në këtë aneks lirisht mund të përfshihet nën nocionin e trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues. Mbipopullimi ishte evident, saqë disa të dënuar flinin në dysheme të korridoreve të disa anekseve, ndërsa në disa dhoma, në shtretër të improvizuar me katër kate qëndronin deri në 14 ose 15 persona”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Të burgosurit shfrytëzojnë diellin për të tharë rrobat e tyre. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.
Të burgosurit shfrytëzojnë diellin për të tharë rrobat e tyre. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.

Aspak më i mirë nuk është as Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

“Mbipopullimi, veçmas në IEVP Idrizovë, ku ndodhet numri më i madh i të dënuarve, shumica e të cilëve përbëjnë rrezik për sigurinë, është një problem alarmant për të cilin shteti urgjentisht duhet të gjejë zgjidhje“, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Në burgun e Idrizovës që nga qershori i vitit 2023 është shpallur gjendje krize për shkak të numrit të vogël të gardianëve, për çka është angazhuar Armata e Republikës së Maqedonisë (ARM), për të ndihmuar me ushtarë që e sigurojnë burgun nga jashtë.

Numri i të punësuarve në burgun në Idrizovë në fund të vitit 2023 ishte 289, për dallim nga fillimi i vitit kur ishin 212 të punësuar.

Burgu i Kumanovës ka probleme kronike me ujin

Burgu i Kumanovës, i cili u financua gjithashtu nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës u vu në përdorim në shtator të vitit 2013 dhe atëbotë pushteti e promovoi si një institucion që i plotëson standardet evropiane.

Mirëpo, shumë shpejt u shfaqën ankesa nga të burgosurit se aty ndodh shpesh që të mos ketë ujë për dy deri në tri ditë dhe fare nuk sigurohet ujë i ngrohtë. Burgu nuk ka as sistem të furnizimit me ujë dhe as infrastrukturë sanitare për ujërat e zeza. Uji që përdoret për pije, gatim e pastrim, sillet me cisterna, ka shkruar Komiteti i Helsinkit në një nga raportet e tij.

Madje, ishin dërguar edhe mostra të ujit për analiza laboratorike, nga të cilat u morën rezultate se uji nuk është i sigurt për t’u konsumuar. Problemi nuk është zgjidhur as sot e kësaj dite.

Në informacionin e Bankës thuhet, gjithashtu, se qëllimi i projektit të destinuar për burgjet, është të zhvillohet infrastruktura e ndëshkim-korrektimit, përmes përmirësimit të kushteve fizike nëpër burgje, si për të burgosurit, ashtu edhe për të punësuarit, në përputhje me standardet evropiane dhe rregullat e burgut.

Një nga çezmat në repartin e burgut në Idrizovë. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.
Një nga çezmat në repartin e burgut në Idrizovë. Foto nga Ministria e Drejtësisë RMV.