Partizimi i gjyqësorit në RMV, juristët: E papranueshme, politikanët nuk dinë ndarjen e pushteteve
Emërimin e anëtarëve të rinj në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin Gjyqësor, për Portalb.mk e kanë komentuar profesionistë të fushës juridike. Duke kujtuar vërejtjet që i jep për çdo vit Raporti i Progresit nga KE-ja, juristët theksin e vendojnë mbi rëndësinë e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit, si kusht i parë dhe i vetëm për […]
Emërimin e anëtarëve të rinj në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin Gjyqësor, për Portalb.mk e kanë komentuar profesionistë të fushës juridike. Duke kujtuar vërejtjet që i jep për çdo vit Raporti i Progresit nga KE-ja, juristët theksin e vendojnë mbi rëndësinë e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit, si kusht i parë dhe i vetëm për avancimin në sundimin e Ligjit. Gjithashtu, duhet pasur parasysh fakti që një nga premtimet kryesore të pushtetit aktual është rikthimi i drejtësisë në vend.
Profesori universitar, Afet Mamuti për Portalb.mk, ka sqaruar se ndarja e pushteteve në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është një nga themelet e funksionimit të shteteve demokratike. Prandaj, sipas tij, kjo duhet të reflektohet te pushteti gjyqësor si garancë e sundimit të ligjit në veçanti, dhe sundimit të së drejtës në përgjithësi.
“Në të gjitha Progres Raportet e Komisionit Europian, gati për çdo vit po përsëriten vërejtjet e njëjta për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut, për paanësi dhe për ndërhyrje politike. -Në lidhje me paanësinë e gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik është e rëndësishme që të respektohen kriteret ligjore dhe profesionale. Të qenët anëtarë apo pjesë e strukturës në ndonjë partie politike padyshim që bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Me qëllim të ruajtjes së paanësisë së këtyre figurave, ky kufizim është paraparë që në Nenin 104 të Kushtetutës së RMV-së, ku për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor Republikan parashihen kufizime që të mos jetë anëtarë i ndonjë partie politike”, tha Mamuti.
Për shkak se bëhet fjalë për institucione kyçe në kuadër të sistemit të drejtësisë, profesori Afet Mamuti është decid se është e papranueshme zgjedhja e emrave pa ndonjë bagazh paraprak profesional dhe pa integritet.
“Anëtarët e këtyre trupave duhet të zgjidhen personat më profesional nga fusha e jurisprudencës, të cilët veç më kanë bë emër në fushën praktike apo doktrinare dhe të cilët janë të njohur në fellën e juristëve. Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të zgjedhjeve jo cilësore për anëtarë në këto organe, emra të cilët asnjëherë nuk kanë qenë të njohur në fushën e drejtësisë, apo persona të cilët të vetmin aktivitet publik e kanë pasur angazhimin në ndonjë parti politike apo në ndonjë kampanjë zgjedhore. Kjo është e papranueshme! Është detyrë e organeve vendimmarrëse që njëherë e përgjithmonë, t’i kthehen zgjidhjeve cilësore, kuadrove profesionale që e kanë dëshmuar veten në fushën e drejtësisë dhe personave me paanësi, të cilët pa mëdyshje do të kontribuonin në ngritjen e cilësisë dhe rritjen e besimit në gjyqësor”, sqaroi më tutje Mamuti.
I zhgënjyer nga mënyra e funksionimit të drejtësisë në vend dhe emërimit të personave, që janë të lidhur me partitë në fushën e gjyqësorit, është shprehur edhe profesori universitar Gordan Kallajxhiev.
“Më zhgënjeu VMRO-ja, tregoi se nuk po lufton për të hequr ndikimin partiak në gjyqësor, por për supremaci! Është shqetësuese. Të gjithë punën e shohin si fushë për PR-in e tyre dhe jo për shtetin ligjor. Deri më tash kemi pasur politikanë që absolutisht nuk e dinë si është ndarja e pushteteve ose çka është gjykim i drejtë”, pohoi Kallajxhiev.
Akuzat për partizim në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin Gjyqësor nuk janë ndalur, që do të thotë se në këtë drejtim nuk ka përmirësim, si në sistem juridik ashtu edhe në mendësinë e vepruesve.
Rasti eklatant i akuzave për përzeirje të politikës në gjyqësor është i dorëheqjes së kryetarjes së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Ajo theksoi se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal. Ajo e drejtoi gishtin nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Në analizën e mëparshme të Portalb.mk në lidhje me Raportin e progresit, vërtetoni se nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës së përpilimit të raportit vjetor. Në Raport rekomandohet që Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik.
“Progresi në zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimet e prokurorisë ishte i kufizuar. Mungesa e masave për të adresuar ndikimin e pensioneve të planifikuara ndikoi në efikasitet. Shumica e gradimeve për gjykatat më të larta u përballën me vonesa të mëtejshme. Vazhdoi puna për përmirësimin e sistemit të automatizuar informativ të menaxhimit të çështjeve gjyqësore për shpërndarjen e lëndëve nëpër gjykata. Një sistem i ngjashëm është futur edhe në Prokurorinë Publike”, thuhet në raport.
- LEXO: Ish kryetarja Dameva e paditi Këshillin Gjyqësor: Nëse nuk reagon gjyqësori, do t’i tregoj me emër ata që kanë ndikuar politikisht
- LEXO: Kuvendi zgjodhi për anëtar të Këshillit të Prokurorëve Publik bashkëpartiakun e Izet Mexhitit, Ardian Demirin
- LEXO: Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva dha dorëheqje: Tentuan të më cenojnë integritetin
- LEXO: Këshilli Gjyqësor: Të gatshëm ta rikthejmë Damevën nëse urdhëron Gjykata, por ende s’kemi marrë vendim