Pas dështimit në Kupën e Afrikës, Gaboni pezullon ekipin kombëtar dhe përjashton sulmuesin e dëmtuar

Qeveria e Gabonit ka marrë masa drastike pas eliminimit të ekipit kombëtar nga Kupa e Kombeve të Afrikës, duke pezulluar skuadrën, përjashtuar sulmuesin e njohur Pierre-Emerick Aubameyang si dhe shkarkuar trajnerin Thierry Mouyouma. Vendimi u shpall nga ministri i Sportit, Simplice-Desire Mamboula, pas humbjes 3-2 ndaj Bregut të Fildishtë më 31 dhjetor. Siç shkruan BBC, […]

Jan 2, 2026 - 15:00
 0
Pas dështimit në Kupën e Afrikës, Gaboni pezullon ekipin kombëtar dhe përjashton sulmuesin e dëmtuar

Qeveria e Gabonit ka marrë masa drastike pas eliminimit të ekipit kombëtar nga Kupa e Kombeve të Afrikës, duke pezulluar skuadrën, përjashtuar sulmuesin e njohur Pierre-Emerick Aubameyang si dhe shkarkuar trajnerin Thierry Mouyouma.

Vendimi u shpall nga ministri i Sportit, Simplice-Desire Mamboula, pas humbjes 3-2 ndaj Bregut të Fildishtë më 31 dhjetor. Siç shkruan BBC, Gaboni e mbylli grupin në vendin e fundit në Marok, pas humbjeve ndaj Kamerunit dhe Mozambikut, rezultate që Mamboula i cilësoi si “të turpshme”.

“Duke marrë parasysh performancën e turpshme të Panterave, qeveria ka vendosur të shpërndajë stafin teknik, të pezullojë ekipin kombëtar deri në një njoftim të ri dhe të përjashtojë lojtarët Bruno Ecuele Manga dhe Pierre-Emerick Aubameyang,” tha ministri, sipas BBC Sport.

Gaboni kishte siguruar eliminimin nga turneu para ndeshjes me Bregun e Fildishtë, ku humbi një epërsi prej dy golash në Marrakech. Aubameyang, ish-sulmues i klubeve si Arsenal dhe Chelsea, nuk luajti në ndeshjen e fundit për shkak të një dëmtimi në kofshë. Ai u shpreh se “problemet e ekipit janë shumë më të thella sesa individi që jam unë”.

Trajneri Mouyouma ishte në drejtim për më shumë se dy vite. Dikur ishte e zakonshme që qeveritë afrikane të shpërndanin ekipet kombëtare pas rezultateve zhgënjyese, por kjo praktikë është bërë më e rrallë që kur FIFA ka forcuar rregullat kundër ndërhyrjes së qeverive në futboll.