Pas rastit në Prishtinë, edhe në Pejë një i dyshuar tenton t’i ikë Policisë duke u hedhur nga ballkoni
Një person i dyshuar për përfshirje në një rrahje të rëndë ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke u hedhur nga ballkoni i banesës së tij në një ballkon tjetër, një kat më poshtë. Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka dal me njoftim lidhur me këtë rast, që ka ndodhur më 09 korrik 2025, rreth


Një person i dyshuar për përfshirje në një rrahje të rëndë ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke u hedhur nga ballkoni i banesës së tij në një ballkon tjetër, një kat më poshtë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka dal me njoftim lidhur me këtë rast, që ka ndodhur më 09 korrik 2025, rreth orës 22:30, në një lokal në rrugën “Madeleine Albright” në Pejë, ku është raportuar një rrahje.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku nga dëshmitarët kuptojnë se viktimën e kanë sulmuar fizikisht dy persona të dyshuar të cilët janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raportin zyrtar.
Viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në QKMF, e më pas në Spitalin Rajonal në Pejë, për shkak të lëndimeve të marra nga sulmi.
Falë punës hetimore të Sektorit Rajonal për Hetime, më 10 korrik 2025, rreth orës 14:15, është identifikuar lokacioni i njërës prej personave të dyshuar, i cili ndodhej në një banesë në Pejë. Policia ka tentuar të hyjë në banesë, por “nuk është hapur dera e banesës”.
Në ndërkohë, qytetarë kanë informuar Policinë se një person ka rënë nga ballkoni i banesës në një ballkon tjetër një kat më poshtë.
“Policia ka kuptuar se ai ishte personi i dyshuar i cili kërkohej nga Policia, me ç’rast është njoftuar emergjenca dhe zjarrfikësit, ku të dyshuarit i është dhënë ndihma nga ekipi mjekësor dhe i njëjti është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë, e më pas në QKUK-Prishtinë, për shkak të natyrës së lëndimeve”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndërkaq, i dyshuari i dytë në këtë rast ende ndodhet në kërkim policor, ndërsa është konfirmuar se “i njëjti është i njohur për Policinë”.
