Pasi Osmani e propozoi dhe u pendua, as Qeveria aktuale s’ka interes për vendosjen e masave kundër personave të korruptuar ‘non-grata’
Kanë kaluar disa vite që kur gjyqësori në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht u shpall “i vdekur” me ndër 10 përqind besim nga popullata e vendit. Që atëherë zyrtarët, qofshin në opozitë apo pozitë vazhdimisht krtikojnë gjyqësorin për mosndëshkim të personave të korruptuar. Megjithatë, hipokrizia e tyre qëndron në mos-miratimin e një ligji që do të […]
Kanë kaluar disa vite që kur gjyqësori në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht u shpall “i vdekur” me ndër 10 përqind besim nga popullata e vendit. Që atëherë zyrtarët, qofshin në opozitë apo pozitë vazhdimisht krtikojnë gjyqësorin për mosndëshkim të personave të korruptuar. Megjithatë, hipokrizia e tyre qëndron në mos-miratimin e një ligji që do të mundësonte masa kufizuese dhe ndëshkimin e tyre në vend për personat në listën e zezë amerikane, të paktën në disa fusha. Portalb-i siguroi propozim-ligjin që u tërhoq nga qeveria paraprake.
Menjëherë pas shpalljes në listën e zezë amerikane, ideja e propozim-ndryshimeve në ligjin për maza kufizuese ishte që ta detyrojë prokurorinë publike t’i propozojë gjykatës masën e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik. Asokohe, propozues i këtij ligji ishte ish-ministri i jashtëm, Bujar Osmani. Edhe pse ky akt bëri shumë zhurmë dhe s’ngeli intervistë pa u mburrë me këtë ligj, më 30 janar të vitit 2023 qeveria vendosi ta tërheqë nga procedura parlamentare, duke mos dhënë asnjë arsyetim se pse e bënë këtë.
Nuk dihet se çfarë e bëri ish ministrin Osmani që të pendohet dhe të tërheqë ligjin. Ajo çfarë dihet është se ligji u propozua pasi në listën e zezë amerikane u përfshi Ramis Merko, por, që ligji nuk do të vlente për Merkon, pasi nuk kishte funksion retroaktiv.
Por përkundër kësaj, tani nga opozita BDI-ja ka lëshuar disa kumtesa me të cilat kërkon që ligji të sjellet edhe njëherë në Kuvend dhe të votohet.
“BDI publikisht sfidon VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e tyre ta kthejnë në rend dite Ligjin për masa restriktive dhe ta miratojnë pa anulime. Çdo refuzim ose anulim do të jetë një dëshmi e qartë për përkushtimin e tyre për të mbrojtur interesat e oligarkëve dhe sabotimit të luftës kundër korrupsionit” kumtojnë nga BDI-ja.
Ata arsyetohen se ligji asokohe nuk është miratuar në Kuvend për shkak se “VMRO DPMNE-ja e ka bllokuar”.
Cili ishte propozimi i ish ministrit Bujar Osmani, për të cilin më pas u pendua?
Propozim ligji kërkonte që çdo personi të shpallur non-grata nga ShBA-ja apo Mbertëria e Bashkuar t’i pamundësohet kandidimi dhe ushtrimi i funksioneve publike. Për personat juridik (bizneset), kërkohej që t’iu ndalohet pjesëmarrja në prokurime publike.
Gjithashtu, për personat që do të gjenden në listën e zezë amerikane ose të Mbretërisë së Bashkuar, propozoheshin procedura të menjëhershme penale pranë prokurorisë publike kompetente si dhe iniciativë për masën e përkohshme të sigurisë.
Me këto propozime parashihej zgjerimi i qëllimeve të ligjit dhe si bazë për të ndërmarrë masa kufizuese shtohej edhe “lufta kundër korrupsionit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe kërcënimet hibride kundrejt shtetit”.
Asokohe, Bujar Osmani deklaronte që ligji do të mundësojë që edhe shteti, përkatësisht Qeveria e Maqedonisë t’i ndëshkojë menjëherë personat veçse të ‘ndëshkuar’ nga ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar duke i shpallur si të padëshiruar.
Portalb-i siguroi propozim ligjin
Qeveria aktuale konsideron se s’ka nevojë për një ligj të tillë
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk thanë se ligjet aktuale janë të mjaftueshme për ndëshkimin e personave që përfshihen në listën e zezë amerikane.
“Si Qeveri, jemi në qëndrimin në pikëpamjen se edhe tani ekzistojnë baza ligjore mbi të cilat mund të nisen procedura kundër personave që gjenden në listën e zezë të SHBA-së. Në vitin 2021 u miratua Ligji për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Materien Penale dhe në këtë ligj është paraparë mundësia që organi kompetent vendor, në këtë rast Prokuroria Publike, të dërgojë kërkesë për bashkëpunim në materien penale deri te institucioni përkatës i shtetit të huaj.” thanë nga Qeveria e RMV-së.
Sipas tyre, mjafton që ligjet aktuale të mos anashkalohen por të zbatohen si dhe “organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e tyre me seriozitet dhe të mos sillemi në situatë të kërkojmë zgjidhje të reja për të cilat edhe nëse ka vullnet, do të kërkojnë kohë shtesë për miratimin dhe zbatimin e tyre.” shtuan nga qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria e RMV-së harrojnë që pikërisht miratimi i këtij ligji do t’i obligonte organet e pushtetit gjyqësor që të ndërmarrin masa të menjëhershme sigurie kundër personave të përfshirë në listën e zezë amerikane. Nëse ky ligj do të ishte miratuar në kohën kur u propozua, Artan Grubit do t’i pamundësohej arratia.
“Si VLEN jemi për, por s’e kemi diskutuar me partnerët”
Arben Fetai, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë për Portalb theksoi se pikërisht ky ligj ka qenë ndër të parit që e ka shqyrtuar pas emërimit në detyrë, por që tani nuk është i sigurt a duhet të procesohen ndryshimet.
“Bujar Osmani nuk është se e harroi këtë ligj, por e tërhoqi. Ligji i parë që e kam parë unë kur u emërova ishte pikërisht ky, Osmani pasi e ka propozuar, në atë tollovinë e 100 ditëshit të fundit të qeverisë e kanë tërhequr prej procedurës parlamentare” tha Fetai.
Ai thotë se si koalicion ‘VLEN’ janë për miratimin e këtij ligji por s’e kanë diskutuar me partnerët tjerë të qeverisë.
“Besoj që vullneti do të gjindet, duhet vetëm të ulemi si koalicion, nuk e kemi diskutuar në nivel të koalicionit deri tash, në nivel të VLEN-it e kemi diskutuar dhe natyrisht që e përkrahim, dhe do ishte mirë që të jetë në sistemin tonë juridik por duhet ta diskutojmë në nivel të koaliconit dhe të shohim se si dhe kur mund ta vendosim në procedurë parlamentare” tha Fetai.
Ai megjithatë përmendi rëndësinë e zbatimit të ligjeve aktuale, thotë se vendosja e Grubit dhe Bexhetit në listën e zezë amerikane është dëshmi që vendi ka nevojë për reforma.
“Por, për mua është shumë më me rëndësi të ketë drejtësi, të ketë llogaridhënie, institucionet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre, ndërsa kjo pjesa e ligjit është diçka ekstra që mund të bëhet. Ajo që është me rëndësi, është që të ketë llogaridhënie” tha Arben Fetai.
Troshanovski: Shteti dështon secilën herë që dikush i ri përfshihet në listën e zezë
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci theksoi se vendosja e personave në listën e zezë amerikane është dështim për institucionet e vendit, sidomos atyre gjyqësore.
“Besimi i ulët i qytetarëve në pushtetin gjyqësor është i arsyeshëm, pasi ata edhe njëherë dështuan të kryejnë detyrën e tyre, si Këshilli Gjyqësor ashtu edhe Këshilli i Prokurorëve Publik. Vendosja e funksionerëve të ri në listën e zezë është gjithsesi edhe një dëshmi se sistemi gjyqësor në shtetin tonë ka dështuar” tha Troshanovski.
Ai tha se vendi nuk mund të vazhdojë të funksionojë në këtë mënyrë, por duhet të gjenden një modalitet i mirë me anë të së cilit do të ‘pastroheshin’ gjykatat dhe i gjithë pushteti gjyqësor nga personat e korruptuar.
“Vetingu mendoj që është shumë i nevojshëm, por jo me modelin e Shqipërisë. Përkrahë që të ketë pastrim të gjyqësorit me një modalitet të mirë, sepse puna ka ardhë deri në atë nivel që tashmë në mënyrë të pakthyeshme dhe të pariparueshme po lëkunden themelet e shtetit të së drejtës” shtoi Troshanovski.
Ai tha se shteti gjithashtu duhet të sigurohet që gjyqësorit t’i ndajë buxhetin e nevojshëm dhe burimet njerëzore për të luftuar krimin dhe korrupsionin, pasi jemi dëshmitarë që vitet e fundit kjo nuk është realizuar siç duhet.
Ageler: Ide e shkëlqyer
Ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut para një jave, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve publikisht shprehi mbështetjen e saj për propozim-ndryshimet në ligjin për masat kufizuese.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë me masat restriktive, unë mendoj që ajo ishte një ide e shkëlqyer, por, gjithsesi ne nuk mund të kontrllojmë se cilat ligje miratohet. Por shpresoj shumë që pas shpalljes së këtyre personave në listën e zezë, që u nxit një reagim i fuqishëm publik, do të shohim lëvizje nga gjyqësori këtu në Maqedoni” tha Aggeler.
Forumi për Ndryshime në Arsim nga ana tjetër i ka bë thirrje Qeverisë së RMV-së që urgjentisht të votojnë ndryshimet në këtë ligj, sipas tyre, në mesi e masave kufizuese për personat e shpallur non-grata duhet të jetë edhe “ndalesa e punësimit në institucionet arsimore”.
Trembëdhjetë individë të njohur nga vendi jonë ndodhen në të famëkeqen “Listë të zezë të Shteteve të Bashkuara”. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një listë të vetme të zezë, por ekzistojnë disa lista të tilla të sanksioneve që SHBA i ka vendosur për individë dhe biznese të përfshira në korrupsion ose abuzime të të drejtave të njeriut.