PD-PS pakt për ndryshimin e Kodit Zgjedhor? Propozimet e Celibashit: Partitë përfaqësues edhe në numërimin e votave të Diasporës

PS dhe PD duken më afër një pakti në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor lidhur me zgjatjen e afateve të dokumenteve të skaduara dhe përfshirjen e partive politike në numërimin e votave të Diasporës. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha sot se do të dërgojë një draft në Kuvend që mesa duket kënaq […]

Jan 20, 2025 - 13:00
 0  3
PD-PS pakt për ndryshimin e Kodit Zgjedhor? Propozimet e Celibashit: Partitë përfaqësues edhe në numërimin e votave të Diasporës

PS dhe PD duken më afër një pakti në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor lidhur me zgjatjen e afateve të dokumenteve të skaduara dhe përfshirjen e partive politike në numërimin e votave të Diasporës.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha sot se do të dërgojë një draft në Kuvend që mesa duket kënaq të gjitha palët.

“400 mijë shtetas që iu skadon identifikimi elektronik dhe janë 600 mijë shtetas që iu skadon pasaporta. Duke marrë në konsideratë këto numra dhe çfarë është diskutuar me përfaqësues të partive politike, vlerësojmë që është e përligjur që ti kërkojmë qeverisë që të zgjasë me akt normativ afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë”, tha Celibashi.

“Sot do t’i përcjell Kuvendit një propozim për disa ndryshime të Kodit që konsistojnë në dhënien e të drejtës për KQZ për të prokuruar shërbimin e dërgesës postare në shkuarje dhe kthim mbrapsht të fletës së votimit, rishikimin e afateve që lidhen me regjistrimin e partive dhe kandidatëve për të përfituar edhe 10 ditë më shumë në dispozicion për të përgatitur fletën e votimit. Do propozoj që të ndryshojë Kodin sa i përket strukturës që do merret me numërimin e fletëve të votimit. Do të ishte e udhës që në procesin e numërimit të fletëve të votimit të përfshihen edhe partitë veç KQZ-së”.

10,497 regjistrime të shqiptarëve të diasporës janë refuzuar deri më tani, për të votuar më 11 maj.

Regjistrimet e refuzuara janë 3887 në Itali, 2357 Greqi, 1276 Gjermani, 356 SHBA, 251 Angli. Sipas Celibashit, shumica dërrmuese ngarkuan dokumentin e ID në anën e gabuar.

Celibashi: Shkaku lidhet me gabimin që bën shumica dërrmuese e votuesve, ngarkojnë dokumentin e adresës, shumica kanë ngarkuara si dokument dokumentin e identitetit nga shteti italian, e kanë ngarkuar nga ana e gabuar nga faqja nuk e përmban adresën, do duhet të ngarkojnë faqen e  dokumentit të identitetit të lëshuar nga shteti italian e cila përmban adresën, e kanë ngarkuar nga faqja që nuk përmban adresën. Mbi 90% e gabimit, mënyra se si dhe dokumenti që ngarkohet në sistem, gjej rastin për të sqaruar që gjatë ngarkimit të dokumentit është shumë e rëndësishme që dokumenti të përmbajë adresën.