Për një shëndetësi më humane dhe profesionale në Kosovë

Shkrim nga një punëtor i shëndetësisë Sistemi shëndetësor i Kosovës po përballet me sfida serioze në të gjitha nivelet, nga edukimi i profesionistëve shëndetësorë deri te kujdesi ndaj pacientit dhe komunikimi me qytetarët. Për të ndërtuar një shëndetësi funksionale, efikase dhe të drejtë, është e domosdoshme të investohet në ri-trajnimin e të gjithë stafit mjekësor, […]

shtator 13, 2025 - 20:00
 0
Për një shëndetësi më humane dhe profesionale në Kosovë

Shkrim nga një punëtor i shëndetësisë

Sistemi shëndetësor i Kosovës po përballet me sfida serioze në të gjitha nivelet, nga edukimi i profesionistëve shëndetësorë deri te kujdesi ndaj pacientit dhe komunikimi me qytetarët.

Për të ndërtuar një shëndetësi funksionale, efikase dhe të drejtë, është e domosdoshme të investohet në ri-trajnimin e të gjithë stafit mjekësor, përfshirë specialistët, mjekët, infermierët, teknikët, farmacistët dhe personelin tjetër mbështetës. Njohuritë në mjekësi nuk janë të përjetshme, ato ndryshojnë dhe përparojnë vazhdimisht. Kjo do të thotë se çdo profesionist duhet të ketë qasje të rregullt në trajnime, rifreskime praktike dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm.

Edukimi dhe bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve shëndetësorë është po aq jetik. Raporti i mjekut me kolegët e tij duhet të jetë bashkëpunues dhe konsultativ, jo hierarkik apo përjashtues. Vetëm përmes vendimmarrjes së përbashkët, të bazuar në respekt profesional dhe fokus në pacientin, mund të sigurohet trajtim i duhur. Mjekët dhe infermierët nuk duhet të ndihen të dobët kur kërkojnë ndihmë apo konsultë; përkundrazi, kjo i bën ata më të fortë dhe më të përgatitur për të mirën e pacientit. Komunikimi ndërmjet stafit mjekësor dhe pacientëve është po aq i rëndësishëm. Pacienti dhe familja e tij kanë të drejtë të informohen qartë, në mënyrë të kuptueshme, për diagnozën, trajtimin dhe opsionet e mundshme.

Mjekët dhe gjithë stafi shëndetësor duhet të jenë të afërt, të përulur dhe të qasshëm, jo të distancuar apo mendjemëdhenj. Aftësitë bashkëkohore të komunikimit nuk janë shtesë opsionale, por duhet të konsiderohen pjesë themelore e trajnimit profesional, si në nivelin bazik ashtu edhe në atë të avancuar. Këto aftësi duhet të mësohen dhe të praktikohen në mënyrë të vazhdueshme, duke u bërë pjesë natyrale e punës së përditshme në shëndetësi, në të gjitha nivelet e kujdesit.

Profesionistët shëndetësorë nuk janë aty vetëm për të “shëruar”, por për të bashkëpunuar me pacientin në çdo hap të trajtimit.

Një praktikë shqetësuese që po vërehet gjithnjë e më shumë është tendenca për të dërguar pacientët në ekzaminime të shtrenjta (CT, MRI, ECHO etj.) pa indikacione të qarta, si edhe në ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme, duke i rënduar ekonomikisht familjet pa përfituar realisht në diagnozë apo trajtim. Në të njëjtën kohë, shpesh neglizhohet ajo që është më bazike dhe shpesh jetike: anamneza, ekzaminimi fizik, analizat laboratorike të thjeshta dhe stabilizimi urgjent i pacientit.

Nuk është e pranueshme që në vitin 2025 në Kosovë të kemi pacientë që humbin jetën nga çrregullimet e elektroliteve (si hipokalemia), infeksione të lehta apo gjendje që mund të trajtohen me kujdes bazik. Aq më keq kur këta pacientë janë nën trajtim nga specialistë kardiologë, neurologë, gjinekologë etj. Ky është një dështim i sistemit, jo i mungesës së teknologjisë.

Si pjesë e sistemit shëndetësor për më shumë se 40 vjet, e kam kuptuar se problemi nis nga rrënjët – nga edukimi. Sistemi arsimor shëndetësor në Kosovë, në të gjitha nivelet – fillor, i mesëm dhe universitar – duhet të reformohet. Edukimi nuk mund të jetë vetëm teorik, i ndarë nga realiteti klinik. Praktika duhet të jetë pjesë përbërëse e të mësuarit që nga fillimi. Studentët e mjekësisë, infermierisë apo teknikës mjekësore duhet të mësohen të mendojnë praktikisht, të zbatojnë diturinë dhe të ndërtojnë përvojë reale që i përgatit për jetën profesionale.

Edukimi shëndetësor nuk duhet të kufizohet vetëm te profesionistët, por duhet të zgjerohet edhe tek qytetarët që nga shkolla fillore, me qëllim krijimin e një kulture të kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj shëndetit.

Në të njëjtën kohë, është thelbësore që edhe stafi specialistik ekzistues, veçanërisht ata që ndihen “të padiskutueshëm”, të përfshihet në mënyrë të rregullt në ri-trajnime, në përputhje me standardet dhe protokollet bashkëkohore mjekësore. Një pjesë e konsiderueshme e profesionistëve, të edukuar në periudha kur komunikimi me pacientin nuk trajtohej si element kyç i kujdesit shëndetësor, ende nuk i japin rëndësinë e duhur ndërveprimit njerëzor dhe bashkëpunues. Ky model i qasjes së ftohtë dhe autoritare, për fat të keq, vijon të përcillet edhe te brezat e rinj të mjekëve dhe stafit tjetër në Kosovë, duke e bërë të domosdoshëm një ndryshim kulturor në të gjitha nivelet e sistemit.

Askush nuk është mbi njohurinë apo zhvillimin profesional. Përmirësimi i vazhdueshëm është domosdoshmëri, jo kritikë. Vetëm përmes përgatitjes së vazhdueshme të stafit dhe fuqizimit të qytetarëve si bashkëpunëtorë aktivë në procesin e trajtimit, mund të ndërtohet një sistem shëndetësor i drejtë, efikas dhe human.