Për vetëm një muaj numri i sëmundjeve akute infektive në RMV është rritur me 92.8 përqind

Gjatë muajit dhjetor 2024, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka marrë gjithsej 1.623 raportime për persona që vuanin nga sëmundje akute infektive (duke përjashtuar COVID-19, grip, tuberkuloz, AIDS, AFP dhe bartës kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV), ndërsa kjo është një rritje prej 92.8 përqind krahasuar me muajin paraardhës nëntor, shkruhet në buletinin […]

Jan 22, 2025 - 20:00
 0  5
Për vetëm një muaj numri i sëmundjeve akute infektive në RMV është rritur me 92.8 përqind
Ilaçe, barna. Foto: Ski-Qendra Kodra e Diellit

Gjatë muajit dhjetor 2024, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka marrë gjithsej 1.623 raportime për persona që vuanin nga sëmundje akute infektive (duke përjashtuar COVID-19, grip, tuberkuloz, AIDS, AFP dhe bartës kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV), ndërsa kjo është një rritje prej 92.8 përqind krahasuar me muajin paraardhës nëntor, shkruhet në buletinin mujor të publikuar sot nga ISHP. Në dhjetor, u regjistrua një vdekje nga SIDA, e raportuar si e infektuar në nëntor 2024, i gjinisë mashkull, i cili bënte pjesë në grupmoshën 20 deri në 29 vjeç, transmeton Portalb.mk.

Dy sëmundjet e para më të zakonshme infektive (lija e deleve dhe enterokoliti) përbëjnë 84,8 përqind të numrit të përgjithshëm të pacientëve. Në muajin dhjetor, sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar ishte lija e deleve me gjithsej 1.025 persona të regjistruar.

Për sa i përket ndarjes sipas grupeve të sëmundjeve infektive akute, në muajin dhjetor përqindja më e madhe, 65,9 përqind, i takon sëmundjeve me puçrra, dhe incidenca më e lartë është regjistruar te lija e dhenve. Në këtë grup janë raportuar 30 raste me mononukleozë infektive, 9 raste me skarlatinë, 4 raste me kollë të mirë dhe dy raste me shytat infektive.

Në muajin dhjetor janë raportuar 381 raste të pacientëve me sëmundje të zorrëve. Prej tyre, numri më i madh i personave janë raportuar për enterokolite. Janë raportuar gjithashtu 21 raste të salmonelozës, 7 raste të infeksioneve ushqimore dhe intoksikimeve bakteriale dhe nga një rast të hepatitit viral A dhe kampilobakteriozës.

Në grupin e infeksioneve seksualisht dhe të transmetueshme me gjak (pa HIV/AIDS), janë regjistruar 22 të sëmurë – shtatë raste me sifilis, gjashtë raste me hepatit B viral, pesë me hepatit viral C dhe katër me infeksion klamidia.

“Në grupin e zoonozave, në muajin dhjetor janë raportuar 11 raste, përfshirë 10 raporte për tularemi dhe një raport për borreliozë Lyme”, thuhet në raport.

Gjatë muajit dhjetor janë raportuar dy raste të konfirmuara me HIV, nga meshkujt e grupmoshës 40-49 vjeç. Është regjistruar një vdekje nga SIDA, e raportuar në nëntor 2024, mashkull, i grupmoshës 20-29 vjeç.

Kujtojmë se sipas autoriteteve shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, kulmi i të sëmurëve me grip pritet në mesin e muajit shkurt, pasi faktorët që mund të ndihmojnë në këtë janë fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë për nxënësit dhe shoqërimi në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta.