Për cilat takime “të rëndësishme” në SHBA flet VLEN? Opozita: akt i paprecedent manipulimi dhe mashtrimi
Nuk ka përgjigje konkrete në kërkesën e Portalbit por dhe opinionit se a kishin ftesë zyrtare krerët e koalicionit VLEN që të jenë të pranishëm në inaugurimin e presidentit të sapoinaguruar amerikan Donald Trump. Nga koalicioni përmes një reagimi për media nuk tregojnë ftesën si dëshmi, por me akuza i kundërpërgjigjen opozitës e cila kërkon […]
Nuk ka përgjigje konkrete në kërkesën e Portalbit por dhe opinionit se a kishin ftesë zyrtare krerët e koalicionit VLEN që të jenë të pranishëm në inaugurimin e presidentit të sapoinaguruar amerikan Donald Trump. Nga koalicioni përmes një reagimi për media nuk tregojnë ftesën si dëshmi, por me akuza i kundërpërgjigjen opozitës e cila kërkon nga Komisionit për Antikorrupsion për të hetuar dhe zbardhur transparencën e udhëtimit të liderëve të VLEN-it në Uashington, raporton Portalb.mk.
Në një prononcim për “Slloboden peçat“, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se “Ftesa është nga miqtë tanë nga SHBA dhe shpenzimet mbulohen privatisht“. Taravari nuk ka specifikuar nëse shpenzimet janë mbuluar personalisht apo nga miqtë.
“Dikush në Uashington duke përfaqësuar shqiptarët, dikush duke fshirë djersën nga frika se mos përfundojnë në listat e zeza! VLEN është zëri i popullit, ndërsa BDI non grata është turpi i së kaluarës!” thuhet në reagimin e VLEN duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në inaugurimin e Presidentit Trump është “nder dhe një dëshmi e pozicionit tonë të fortë në arenën ndërkombëtare.”
“Aktualisht Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Arben Taravari dhe Zeqirija Ibrahimi ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime të rëndësishme, ku po diskutojnë për nevojat reale të qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit”, thanë nga VLEN.
Për cilat takime “të rëndësishme” flet VLEN?
Duke mos u përgjiur në kërkesën e Portalbit për të publikuar thirrjen e Trumpit, për të publikuar dokumente shtesë për protokolin e vizitës si dhe për atë se sa ka kushtuar vizita, kemi analizuar aktivitetet e krerëve të VLEN-it në rrjete sociale, ku i shpërndajnë aktivitetet e tyre, brenda tre ditëve të fundit, mund të vërejmë “sa me rëndësi janë aktivitetet në Uashington”.
I pari i Kuvendit, Afrim Gashi nga vizita në SHBA ka publikuar një foto në ambient të hapur, bashkë me shokët e koalicionit VLEN, kryetarin e AAA, Zeqirija Ibrahimi dhe zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti. Si dhe një foto bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor në Byronë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Alexander Kasanof.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti nuk ka publikuar në rrjete sociale nga takimet të rëndësishme, ku thuhet se po diskutojnë për nevojat reale të qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit, por ka publikuar fotografi dhe video nga prezenca e tij në inaugurim.
Kryetari i AAA, Zeqirija Ibrahimi ka postuar vetëm foton e përbashkët me zv/kryeministrin Mexhiti dhe kryeparlamentarin Gashi.
Nga takimet e rëndësishme të VLEN-it nuk ka postuar as ministri i Shëndetësis, Arben Taravari, i cili gjithashtu gjendet në Uashington. Edhe ministri Taravari përdori rrjetet sociale për të dëshmuar se ka qenë në Uashington në inaugurimin e presidentit Trump.
Deri në publikimin e tekstit këto janë aktivitetet e krerëve të VLEN në Uashington.
Opozita me reagime: Në akt i paprecedent manipulimi dhe mashtrimi
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, i ka bërë thirrje Komisionit për Antikorrupsion që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe zbardhur transparencën e plotë të udhëtimeve të liderëve partiak në pushtet dhe kryeministrit në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.
“Në veçanti, kërkojmë përgjigje për këto çështje: 1. Kush ka paguar biletat për të marrë pjesë në këtë ngjarje?; 2. Kush i mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në SHBA?; 3. A janë përdorur fonde publike për këto shpenzime dhe në çfarë baze janë justifikuar ato?; Kjo garë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe institucioneve për të udhëtuar në SHBA dhe për të dëshmuar një “imazh perëndimor”, ndërkohë që Maqedonia mbetet e bllokuar në proceset integruese, është një hipokrizi e papranueshme. Në këtë situatë të brishtë, një agjendë e dyshimtë e cila promovon interesa personale dhe politike, dëmton seriozisht imazhin e shtetit dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në kumtesën e ASH-së.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim, përfaqësuesit e koalicionit VLEN sërish kanë dëshmuar se i gjithë koalicioni i tyre është i ndërtuar mbi gënjeshtra dhe manipulime.
“Deklaratat e tyre publike për një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit Donald Trump ishin një mashtrim i turpshëm dhe një përpjekje e shëmtuar për të krijuar një iluzion të mbështetjes ndërkombëtare. Në vend që të përfaqësonin dinjitetshëm interesat e qytetarëve, ata u panë duke endur rrugëve të Uashingtonit, duke publikuar foto groteske në rrjetet sociale përpara posterave të ceremonisë dhe ndërtesave qeveritare. Kjo farsë publike, e paguar me paratë e taksapaguesve, është maja e manipulimeve që karakterizojnë këtë subjekt politik pa vizion, pa moral dhe pa përgjegjësi ndaj qytetarëve.”, thuhet në reagimin e BDI.
Nga BDI Kërkojnë që çdo njëri prej përfaqësuesve të VLEN të bëjë publike fondet e shpenzuara nga shteti për këtë ekskursion, siç e quan BDI, dhe më pas, Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi këtë skandal.
Inaugurimi i presidentit të ri amerikan Donald Trump u mbajt më 20 janar. Trumpi është presidenti i parë i zgjedhur në mbi një shekull që fton udhëheqësit e huaj në ceremoninë e tij të betimit, sipas mediave amerikane. Historikisht, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë diplomatët e huaj dhe ambasadorët.
“Është e pazakonshme që të ketë një lloj të tillë të pjesëmarrësve [të udhëheqësve] të huaj, sepse inaugurimi shihet si një ngjarje e brendshme politike”, tha Cayce Myers, profesor në Virginia Tech, i cili përqendrohet në takimin e marrëdhënieve me publikun me politikën.
Në mesin e udhëheqësve të huaj të ftuar ishte kryeministrja konservatore italiane, Giorgia Meloni, dhe presidenti populist i krahut të djathtë argjentinas, Javier Miel. I ftuar ishte edhe zëvendëspresidenti kinez, Han Zheng.