Përfundoi takimi i Komisionit të përbashkët historik, është biseduar për disa çështje teknike dhe protokollare

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Takimi i sotëm në Shkup është i pari me përbërje të re të ekipit nga pala maqedonase me kolegët e tyre nga pala bullgare. Bashkëkryesuesi i ekipit bullgar, Angel Dimitrov, pas takimit tha se kjo ka qenë […]

tetor 25, 2024 - 01:00
 0  6
Përfundoi takimi i Komisionit të përbashkët historik, është biseduar për disa çështje teknike dhe protokollare
Flamujt e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian para Këshillit Ministror të Bullgarisë, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Takimi i sotëm në Shkup është i pari me përbërje të re të ekipit nga pala maqedonase me kolegët e tyre nga pala bullgare. Bashkëkryesuesi i ekipit bullgar, Angel Dimitrov, pas takimit tha se kjo ka qenë “më shumë si takim njohës” dhe “nga aspekti teknik”, raporton MIA.

Më shumë detaje për atë se çfarë është biseduar në pjesën e parë të takimit nuk ka, ndërsa bisedimet siç është paralajmëruar do të vazhdojnë nga nesër.

“Biseduam për disa çështje teknike, të përgjithshme, pra protokollare. Jemi takuar, por është e vështirë të arrihet deri te një zgjidhje, por kjo nuk do të thotë se sot kemi humbur kohë”, tha Angelovi. I pyetur se cilat janë konkluzat e para për anëtarët e rinj të Komisionit, ai tha se “ende nuk kemi një mendim përfundimtar, le të kalojnë disa takime pastaj do të kemi qëndrim”.

Mbledhja e fundit e Komisionit të përzier për çështje historike është mbajtur më 30 dhe 31 maj në Sofje, ndërsa takimi i planifikuar në Shkup më 18 dhe 19 shtator të këtij viti është shtyrë me kërkesë të palës nga Maqedonia.

Historiani Mitko Panov ka thënë kohë më parë se nuk pajtohet me konceptin e punës së Komisionit të mëparshëm dhe ka theksuar se do të punojnë “të pangarkuar nga çdo ndikim politik”, sepse, siç tha ai, “komisioni duhet të punojë në një atmosferë të tillë që të diskutojë”.

Përbërja e re e palës nga Maqedonia e Veriut nga Komisioni i përbashkët është zgjedhur nga Qeveria më 10 shtator. Kryetar i ri i palës maqedonase në komisionin e përbashkët është Vanço Gjorgjiev, profesor në Fakultetin filozofik në Shkup, ndërsa përveç Mitko Panovit, anëtarë të Komisionit janë edhe Aleksandar Litovski, Nikolla Minov, Sasho Dodevski, Besnik Emini dhe Dimitar Lorovski. Kryetari Vanço Gjorgjiev më parë ka qenë anëtar i Komisionit, por u largua në vitin 2021. Vendimi për t’u tërhequr nga Komisioni, siç deklaroi ai atëherë, ka qenë për shkak se “është përballur me presione politike në punën e tij”.

Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore është themeluar si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të nënshkruar më 1 gusht 2017.

Ndryshe, deri më tani, komisioni ka miratuar rekomandime për shënimin e përbashkët të pesë figurave historike – vëllezërve Kirili dhe Metodi, Sh. Naumi i Ohrit, Sh. Klimenti i Ohrit dhe Mbreti Samoil dhe nga pesë rekomandime për ndryshime në tekstet e historisë për klasën e gjashtë në Maqedoni dhe për klasën e pestë në Bullgari.

Kujtojmë se ish anëtarët e Komisionit Historik akuzuan se puna e tyre është keqpërdorur për qëllime partiake. Përmes një njoftimi për mediat ata drejtuan gishtin drejt kryeministrit dhe ministrave në qeveri duke thënë se u është vënë etiketa politike dhe kanë minuar interesat kombëtare. Ata kërkuan që në përbërje të Komisionit të përfshihen edhe ekspertë të huaj të UNESCO-s, Këshillit të Evropës apo OSBE-së