Perinski dhe Ganiu do të presin sondazhet e partive të tyre për të parë nëse do të kandidojnë në zgjedhjet lokale

Sondazhet nga partitë amë do të tregojnë nëse në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë do të kandidojnë ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ministri Perinski thotë se është kandidat potencial për kryetar të Shkupit, por megjithatë shton se është ende herët për të folur, […]

shkurt 24, 2025 - 18:00
 0  3
Perinski dhe Ganiu do të presin sondazhet e partive të tyre për të parë nëse do të kandidojnë në zgjedhjet lokale
Zllatko Perinski dhe Visar Ganiu. Foto: Komuna e Çairit

Sondazhet nga partitë amë do të tregojnë nëse në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë do të kandidojnë ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ministri Perinski thotë se është kandidat potencial për kryetar të Shkupit, por megjithatë shton se është ende herët për të folur, transmeton Portalb.mk.

“Koha do ta tregojë. Është ende herët. Absolutisht që jam kandidat potencial për kryetar Komune. Por ende nuk ka një vendim përfundimtar. Do të shohim se në cilin drejtim do të shkohet”, tha Perinski gjatë vizitës së sotme në Komunën e Çairit në kuadër të vizitave në terren nëpër komuna.

Kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, është i bindur se kushdo që të jetë kandidat për personin e parë të kësaj komune nga radhët e VLEN-it do të jetë cilësor dhe i aftë për ta udhëhequr atë në mënyrën më të mirë.

Edhe ai si Perinski thotë se partia do të vendosë se kush do të jetë kandidati për kryetar komune sipas sondazheve që po bëhen.

“Partia do të vendosë për këtë. Ata duhet të bëjnë sondazhe. Por jam i bindur se nga Lëvizja Demokratike dhe si VLEN, dhe nëse nuk është Visar Ganiu, kushdo që të jetë ndër kandidatët që do ta fusin në sondazh, mendoj se secili ka aftësinë dhe cilësinë për ta udhëhequr këtë komunë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kushdo që zgjidhet për të qenë kandidat në të ardhmen, jam i bindur se do të jetë kandidati i duhur për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve”, tha Ganiu.

Partitë politike në Maqedoni kanë nisur që tani fushatën për zgjedhjet e parakohshme, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen në vjeshtë.