Pivovarov: Ministria e Brendshme ka dështuar plotësisht në rastin e Koçanit, ka mangësi serioze
Eksperti i sigurisë, Vlladimir Pivovarov, i ftuar në një podkast, ka analizuar veprimet e institucioneve, me fokus policinë, e cila është dashur të kontrollojë funksionimin e diskotekës “Pulse” në Koçan, ku incidenti me zjarrin rezultoi me 59 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur rëndë në zjarrin e rëndë, transmeton Portalb.mk. Sipas Pivovarovit, baza për […]


Eksperti i sigurisë, Vlladimir Pivovarov, i ftuar në një podkast, ka analizuar veprimet e institucioneve, me fokus policinë, e cila është dashur të kontrollojë funksionimin e diskotekës “Pulse” në Koçan, ku incidenti me zjarrin rezultoi me 59 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur rëndë në zjarrin e rëndë, transmeton Portalb.mk.
Sipas Pivovarovit, baza për një fatkeqësi të këtyre përmasave është korrupsioni dhe çdo avancim i tij i mëtejshëm që e bën sistemin jofunksional.
Pivovarov përgjegjësinë ia ngarkon sektorit të Punëve të Brendshme në Koçan, i cili është dashur, por nuk ka bërë, kontrolle në shumë aspekte të funksionimit të diskotekës, të cilat nëse do të ishin kryer diskoteka nuk do të kishte ekzistuar fare.
“Kjo ngjarje, me sa di unë, është paralajmëruar në rrjetet sociale për një kohë të gjatë. Nëse është paralajmëruar për një kohë të gjatë, por nuk është raportuar në sektorin e Punëve të Brendshme, sigurisht që Drejtoria e Punëve të Brendshme të Koçanit është dashur të reagojë menjëherë dhe ta njoftojë pronarin se nuk lejojnë mbajtjen e një koncerti të tillë”, tha Pivovarov.
Ai sqaroi se për mbajtjen e një koncerti të tillë, autoritetet do të duhej të kontrollonin të gjitha dokumentet që lidhen me operacionin, të cilat, siç doli, ishin të falsifikuara.
“Nëse ato dokumente kanë qenë të falsifikuara, dhe siç tha kryeministri, Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka bërë asnjë inspektim, pyetja është pse? A është sistemi ynë kaq i korruptuar? A është për shkak të mosmarrjes së veprimeve zyrtare? Këto kontrolle nuk duhet të kryhen saktësisht çdo ditë, por kjo është një periudhë shumë e gjatë, gjatë së cilës mblidhet një grup shumë i madh njerëzish. Këtu po flasim për një ngjarje kulturore, por ka kërkesa të ngjashme për të gjitha ngjarjet tjera”, tha Pivovarov.
Edhe pse disa aspekte të funksionimit të klubit nuk janë në juridiksionin e policisë, sipas Pivovarovit, policia është dashur t’i kishte këto informacione sepse disko nuk plotësonte asnjë kërkesë teknike. Nëse ajo kishte dijeni se ishte objekt i paligjshëm, se kishte zhurmë të tepërt, ishte e autorizuar të njoftonte organet e tjera kompetente shtetërore për të ndërmarrë veprime për të parandaluar një përshkallëzim, gjë që fatkeqësisht ndodhi.
Këto gjetje ngrenë pikëpyetje serioze për funksionalitetin dhe efikasitetin e sistemit, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe koordinimit ndërmjet autoriteteve kompetente.
“Pse nuk është inspektuar në asnjë bazë ky objekt për kaq shumë vite? Kjo është pyetja që na shqetëson të gjithëve. A po na vë ky korrupsion i neveritshëm në një situatë kaq të palakmueshme, saqë duhet ta paguajmë me gjak, me varre me kryqe dhe me lotë të shumtë të prindërve që nuk do t’i kthejnë kurrë fëmijët e tyre”, nënvizoi Pivovarov.
Nga ana tjetër, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, MPB nuk është e obliguar të sigurojë çdo objekt hotelierik..
“A është Ministria e Brendshme përgjegjëse për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike? Po. A duhet Ministria e Brendshme të sigurojë objekte në Maqedoni sipas ligjit? Jo. Ky është ligji. Ministria e Brendshme nuk mund të sigurojë siguri për të gjitha objektet. A duhet të ishte njoftuar Ministria e Brendshme për përdorimin e mjeteve piroteknike? Po, por nuk është njoftuar”, tha ministri.
Çfarë dihet deri më tani?
Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë.
Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë.
Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.
Prokuroria Publike ka formuar ekip të prokurorëve të cilët po kryejnë hetime për rastin. Prokuroria ka dorëzuar propozim për paraburgim të shkurtër tashmë për 8 persona, ndërsa 3 të tjerët ende janë të shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në pyetje është marrë edhe ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Kryeprokurori Lupço Kocevski ka bërë të ditur se objekti ka pasur lëshime të mëdha dhe se “bëhet fjalë për rrëzim të sistemit”, duke shtuar se objekti nuk kishte asgjë që parashikonte ligji – nuk kishte hidrantë, nuk kishte derë rezervë për evakuim (d.m.th., ishte i mbyllur me dry dhe pa dorezë në brendësi), në mënyrë të paligjshme janë lëshuar mjete piroteknike – dhe shumë krime të tjera.
Diskoteka, siç ka bërë të ditur Toshkovski ka punuar pa licencë legale. Ai tha se dyshohen edhe zyrtarë shtetërorë nga institucione të ndryshme si: një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të tjerë brenda drejtorisë.
Për këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie në të gjithë vendin.
Qeveria gjithashtu ka sjellë vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut në tre ditët e ardhshme të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike.
Në ndihmë të fatkeqësisë dhe familjeve kanë dalë ekipet e Kryqit të Kuq, institucionet të ndryshme, vendet fqinje, BE-ja si dhe bamirës të ndryshëm.
Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë, Kryqi i Kuq ka publikuar llogaritë për donacione për të dëmtuarit nga zjarri
Ndonëse rast i ndjeshëm, edhe në këtë rast pati akuza politike midis partive të opozitës dhe pushtetit.
Më poshtë mund të lexoni të gjithë përmbledhjen e detajuar me ngjarjet e ditës së djeshme.