Plagosja e Dr. Zekirija Shahinit në Kumanovë: Kronologji e ngjarjes dhe reagime
Në pasditen e sotme, kandidati dhe bartësi i listës së Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Likovës, Dr. Zekirija Shahini, u plagos me armë zjarri në Kumanovë. Ai The post Plagosja e Dr. Zekirija Shahinit në Kumanovë: Kronologji e ngjarjes dhe reagime appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Në pasditen e sotme, kandidati dhe bartësi i listës së Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Likovës, Dr. Zekirija Shahini, u plagos me armë zjarri në Kumanovë. Ai mori plagë në krahun e majtë dhe të djathtë, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë, shkruan gazeta Flaka.
“Pacienti i moshës 43-vjeçare është sjell në Klinikën për TOARMIQU me plagë në krahun e majtë dhe në krahun e djathtë. Është jashtë rrezikut për jetë. Janë bërë të gjitha përndjekjet e nevojshme dhe pacienti është transferuar në Klinikën për kirurgji plastike dhe rikonstruktim për trajtim të mëtejm,” – deklaroi drejtori i Klinikës, Igor Merxhanovski.
Detaje nga spitali:
Drejtori i Spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski, sqaroi se Dr. Shahini ka marrë katër plagë nga arma e zjarrit, por gjendja e tij mbetet stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Në ora 14 erdhi personi me iniciale Z.SH., me katër plagë nga arma e zjarrit në pjesën e parakrahut të majtë dhe gjurin të djathtë. Pas ndërmarrjes së masave te ne, të gjitha protokolleve për mjekim, është konstatuar se personi është jashtë rrezikut për jetë, megjithatë për shkak të plagëve që i ka, është dërguar në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup,” – tha Stoshevski për TV21.
Hetimi:
Sipas burimeve të Sektorit të Punëve të Brendshme në Kumanovë, në vendngjarje janë gjetur 8 gëzhoja plumbash 9mm, që sugjerojnë përdorimin e një pistolete.
“Dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprime hetimore. Po mblidhen gjurmë dhe dëshmi materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Autori është ende në kërkim, dhe të dhënat fillestare nuk tregojnë motive politike, por të gjitha rrethanat po verifikohen,” – njofton Prokuroria.
Reagimet e partive politike:
BDI:
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë… Në shenjë solidariteti me të plagosurin, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme,” – theksojnë nga BDI.
AKI:
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një nga liderët e AKI-së, Arben Taravati, reagoi përmes rrjeteve sociale:
“Ngjarja që ka ndodhur sot në Kumanovë është shqetësuese dhe e rëndë. Plagosja e Dr. Zekirija Shahinit është akt kriminal që na kujton, në këto ditë dinamike të fushatës, se sa pak funksionon ky shtet! Fakti që ka mbijetuar është sigurisht mrekulli, por nuk është e thjeshtë. Doktori ndodhet në spital i plagosur dhe natyrisht që do të duhet kohë derisa të rikuperohet.”
AKI ka anuluar të gjitha aktivitetet zgjedhore të ditës së sotme, duke kërkuar nga institucionet të garantojnë siguri dhe të zbardhin autorët dhe motivet e ngjarjes.
Apeli për qytetarët:
Të dy partitë bëjnë thirrje për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në shoqëri dhe nuk duhet përdorur për qëllime politike.
Gjendja e Dr. Shahinit:
Plagosja e tij, megjithëse serioze, nuk paraqet rrezik për jetën, dhe ai po trajtohet në Klinikën e Traumatologjisë dhe në Klinikën për kirurgji plastike dhe rikonstruktim.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe është cilësuar si akt kriminal i papranueshëm, ndërsa hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motivit janë ende në zhvillim.
The post Plagosja e Dr. Zekirija Shahinit në Kumanovë: Kronologji e ngjarjes dhe reagime appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
