Plane apo përralla për destabilizim në Maqedoninë e Veriut – politika ndez fitilin
Përpjekjet që të destabilizohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ndodhin gjithmonë kur kjo i nevojitet një partie, thonë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë, pas një serie incidentesh që ndodhën ditëve të fundit. Më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos […]
Përpjekjet që të destabilizohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ndodhin gjithmonë kur kjo i nevojitet një partie, thonë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë, pas një serie incidentesh që ndodhën ditëve të fundit.
Më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Lidhur me këtë policia arrestoi 17 persona.
Rasti i djegies së veturave dhe një objekti biznesi në Kumanovë mëngjesin e 2 dhjetorit, nga të cilat njëra është e prokurorit publik Xhelal Bajrami, ish-ministër i Punës dhe Politikës Sociale nga BDI-ja, tani në opozitë, dhe tjetra është e një këshilltari në Komunën e Kumanovës nga kjo parti, ndërlidhet me incidentet e përdhosjes së flamujve në Ditën e Flamurit.
Kush hedh benzinë në zjarr?
Partia opozitare nga blloku politik shqiptar, BDI, nuk mund të përjashtohet nga ngjarjet që mund t`i nxisin tensione ndëretnike, komentojnë analistët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Për disa, fajin për këtë e ka pushteti, pasi bëri koalicion me grupimin VLEN nga blloku politik shqiptar. Por, analistë të tjerë fajin e hedhin mbi BDI-në sepse nuk mund të pajtohet me humbjen pas 20 vjetësh në pushtet.
Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE si partner në pushtet ftoi koalicionin VLEN, ndërsa BDI-ja konsideronte se ajo ishte përfaqësuese legjitime e shqiptarëve. Kryeministri Mickoski tha se koalicioni VLEN me rezultatin prej 107.000 votash në zgjedhjet parlamentare, është partner i besueshëm në qeverinë e ardhshme dhe e dërgoi BDI-në në opozitë.
Qeveria kërkon qetësi, opozita – takim liderësh dhe dorëheqje
Kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi një mesazh për qytetarët për unitet dhe qetësi duke i porositur të mos bien pre e provokimeve. Sipas Mickoskit, gjëra të tilla do të ndodhin edhe në të ardhmen, sepse, siç tha ai, “këta njerëz janë të frikësuar për milionat që kanë fituar në kurriz të popullit të thjeshtë dhe tani e dinë se po vjen koha për drejtësi”.
Koalicioni i partive shqiptare VLEN, e dënoi përdhosjen e flamurit shtetëror maqedonas dhe e quajti aktin “të turpshëm dhe të papranueshëm”.
Ky koalicion gjithashtu njoftoi se janë siguruar fotografi që dëshmojnë se të rinjtë që dogjën flamurin shtetëror janë bashkëpunëtorë të afërt të ish-zëvendëskryeministrit nga BDI-ja, Artan Grubi. Grubi përgënjeshtroi lidhjen dhe paralajmëroi padi.
BDI-ja kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, për incidentet në Ditën e Flamurit. Nëse nuk ndodhin dorëheqjet, partia paralajmëroi interpelancë në Kuvend kundër tyre.
Pas incidentit në Kumanovë me djegien e makinave të ish-zyrtarëve të BDI-së, partia bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar, sikurse kumtuan spiralen e rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes që kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend.
LSDM-ja, nga ana tjetër, bëri thirrje për një takim liderësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të majit të këtij viti, kur BDI-ja shprehu pakënaqësi me mospërfshirjen në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja, ajo paralajmëroi protesta në shtator, por deri më tani nuk i ka mbajtur.
Kryeministri Mickoski këtë verë njoftoi se ka informacione të marra nga disa kanale, se udhëheqësia e BDI-së do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit për të mbrojtur kapitalin e krijuar në 20-22 vjetët e fundit.
Pas incidenteve të 28 nëntorit dhe atyre të së hënës në Kumanovë, të shoqëruara me retorikë të ashpër mes partive politike, krerët e bashkësive fetare në Maqedoninë e Veriut bënë thirrje për bashkëjetesë.