“Planet e fshehta të opozitës kosovare!”

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të hënën, i cili ishte pritur me interes të madh nga opinioni publik dhe faktorët politikë në vend. Ky takim konsiderohej si një mundësi e rëndësishme për […]

Prill 24, 2026 - 23:00
“Planet e fshehta të opozitës kosovare!”

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të hënën, i cili ishte pritur me interes të madh nga opinioni publik dhe faktorët politikë në vend.

Ky takim konsiderohej si një mundësi e rëndësishme për të tejkaluar dallimet mes dy subjekteve dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje që do të stabilizonte situatën politike.

Pavarësisht diskutimeve të gjata dhe shkëmbimit të qëndrimeve mes përfaqësuesve të të dyja palëve, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të siguronte konsensus për kreun e ri të shtetit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.

Burime brenda takimit bëjnë të ditur se dallimet kanë qenë të thella, veçanërisht rreth emrave të propozuar dhe mënyrës së arritjes së një kompromisi të pranueshëm për të dyja palët. Mungesa e një marrëveshjeje rrezikon të thellojë më tej krizën politike dhe të vonojë proceset e rëndësishme institucionale në vend. E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Zgjedhjet nuk mund ta zgjidhin krizën e zgjedhjes së presidentit të vendit

Profesori thekson se kriza politike në Kosovë dhe dështimi i vazhdueshëm për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit tregojnë një mungesë serioze të pjekurisë politike dhe të aftësisë për kompromis mes partive, duke krijuar një situatë që mund të përsëritet edhe pas zgjedhjeve të reja pa sjellë ndryshime thelbësore.

Ai shton se kjo gjendje jo vetëm që bllokon funksionimin normal të institucioneve, por gjithashtu dëmton rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u dhënë argumente kundërshtarëve të saj dhe duke i vënë në pozitë të vështirë aleatët që përpiqen ta mbështesin dhe ta promovojnë njohjen e saj. Pas një maratone takimesh, më së shumti me Lumir Abdixhikun dhe më pak me Bedri Hamzën, kreu u mazhorancës në Kosovë, pra Albin Kurti, deklaroi se bisedimet për emrin e presidentit të ardhshëm me këto dy parti opozitare nuk kanë shkuar mirë dhe se vendi përgatitet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Edhe Kurti e pranon se këto zgjedhje nuk sjellin ndonjë zhvillim të ri elekroral e politik, ndaj dhe nuk mund ta zgjidhin krizën e zgjedhjes së presidentit të vendit. Që do të thotë se kjo histori e bisedimeve pa marrëveshje mund të përsëritet pafund.

Çfarë do të thotë që psh edhe pas zgjedhjeve të tjera të parakohshme rezultati zgjedhor të jetë i njëjtë ose i përafërt me atë të sotmin dhe për pasojë të dështojnë sërishmi bisedimet për zgjedhjet e kreut të shtetit? Çfarë do të thotë edhe dështimi i këtyre bisedimeve sot? Do të thotë paaftësi e klasës politike në Kosovë për t’u vetëqeverisur. Këtë lexim nuk do ta bëjnë vetëm dashkëqinjtë e Kosovës, por edhe miqtë e saj. Miqtë dhe aleatët e Kosovës do të ndjehen të turpëruar, sepse vetë shqiptarët po ia japin shansin Serbisë t’u thotë atyre: – E shihni! A nuk ju thamë se Kosova nuk mund të vetëqeveriset, sepse shqiptarët nuk janë të përgatiitur për këtë? A ju thamë ne prej Pashishiqit e këtej se Kosova dhe shqiptarët në Kosovës kanë nevojë për “kujdestarinë tonë”?!

Këtë lexim nuk e bëjnë vetëm politikanët në Kosovë, ndërkohë që kjo ndjehet gjithandej, sidomos te vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Këto vende po kundërshtojnë njohjen edhe në ditët e sotme duke u bazuar pikërisht në këtë situatë të krijuar në Kosovë prej më shumë se një viti. Prandaj dhe miqtë e Kosovës po e kanë të vështirë të gjejnë argumente të pakundërshtueshme për njohjen e Kosovës nga mos-njohësit e saj. Politika në Kosovë ndërkohë bën leximin e saj. Abdixhiku dhe Hamza thonë se “Albini dhe mazhoranca e tij janë fajtorë për bllokadën që bëhet për zgjedhjen e presidentit”! Sipas tyre nuk i takon mazhorancës zgjedhja e kreut të shtetit. Madje shkojnë në akuzën se “Mazhoranca dëshiron t’ë kontrollojë të gjitha pushtetet””, u shpreh profesori.

Kurti nuk lëshon pe

Duke vazhduar bisedën Bytyçi thotë se Kurti ka treguar gatishmëri për kompromis duke ofruar poste për opozitën, por insiston që posti i presidentit t’i takojë mazhorancës si një e drejtë që vjen nga vota e qytetarëve, ndërsa kërkesa e opozitës për ta marrë këtë post përmes presionit shihet si jo e drejtë.

Nga ana tjetër, profesori nënkupton se opozita synon të kontrollojë presidentin për të ndikuar ose bllokuar qeverinë, duke e përdorur këtë si mjet për rikthim në pushtet.

“Megjithatë Kurti ka lëshuar pushtet në këto bisedime. Ia ka ofruar Lidhjes Demokratike ose edhe PDK-së, katër ministri, pozicionin e kreut të parlamentit si edhe atë të zv. kryeministrit. Kjo do të thotë se Kurti dëshiron bashkëqeverisje, nuk dëshiron t’i ushtrojë vetë “të gjitha pushtetet”. Por ai dëshiron që postin e presidentit ta ketë vetë, sepse për këtë është mandatuar nga sovrani. Në fund të fundit kjo është krejt normale, nëse kemi parasysh se edhe në vende të tjera demokratike, si në Gjermani, është zbatuar si kriter. A mundet që Albin Kurti t’ia japë njërës prej këtyre dy partive opozitare postin e presidentit. Edhe mundet! Por nuk është e drejtë që opozita t’ia imponojë këtë përmes bojkotit. Pse opozita nuk jep propozime emrash, me qëllim që ta vendosë Kurtin para përgjegjësisë morale e politike, nëse dështon zgjedhja e presidentit?! Pse psh Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet dhe nuk e jep emrin e akademik Arsim Bajrami, i cili u vetëofrua për postin e kreut të shtetit? Ose pse Abdixhiku nuk del e thotë: – Po, ne jemi dakord që Vjosa Osmani ta ketë edhe një mandat të dytë?!

Sepse pjesa e korruptuar dhe ekstreme e PDK-së nuk e kontrollon dot Arsim Bajramin, edhe pse ai ka qenë tri herë ministër i kësaj partie. Sepse Lumiri nuk ka besim te Vjosa Osmani! Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se LDK dhe PDK duan president, të cilin e kontrollojnë ata. Duan që këtë metodë imponuese për Kurtin ta përdorin përmes kreut të shtetit. Duan që ta bllokojnë qeverisjen e vendit me një president ideologjik që vepron sipas interesave të partisë dhe jo interesave të Kosovës. Shkurt, duahn dështimin e qeverisjes së sotme dhe rikthimin në pushtet me metoda gati puçiste”, shpjegon tutje profesori.

Në fund Bytyçi përfundon se vendi mund të shkojë në zgjedhje për shkak të moskompromiseve, por përgjegjësia nuk është vetëm e një pale dhe qytetarët priren të fajësojnë më shumë opozitën dhe thekson se pa vendosur interesin e shtetit mbi pushtetin, kriza nuk zgjidhet as me zgjedhje.

“Albin Kurti i lexon të tilla qëndrime. Për pasojë “nuk lëshon pe”! Por duke mos lëshuar pe, Kosova shkon sërishmi në zgjedhje të reja. Kush do ta mbartë përgjegjësinë për këtë? Përgjegjësia nuk është dru që i përket njërës ose tjetrës palë. Eshtë diçka abstrakte dhe përceptohet te qytetarët sipas argumentit që përdorin palët. Në këtë rast sërishmi argumenti do të shkojë në favor të mazhorancës. Që do të thotë se qytetarët e Kosovës në shumicë do të fajësojnë dy partitë opozitare më të mëdha, pasiqë me AAK-në nuk ka patur asnjë tentativë për këto bisedime. Nëse politika i bën llogaritë në interes të Kosovës, ka ende kohë për zgjidhje. Deri në minutën e fundit. Nëse i bën këto llogari në interes të liftës për pushtet duke e dëmtuar imazhin e vendit të vet, atëherë zgjidhje duket se nuk ka, përveçse zgjedhjeve, të cilat edhe ato nuk jano e nuk mund të jenë zgjidhje”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.